10 Μαΐου, 2019

E Diela e Shën Thomait

Διαδώστε:

Nga Dyshimi në Dëshmim

“Zoti im dhe Perëndia im” v. 28.

Sot Kisha jonë kremton ngjarjen e prekjes së Krishtit të ngjallur prej apostull Thomait. Thomai ishte një njeri dashamirës, ishte nxënës i Krishtit. Ishte ai që, kur Krishti u shfaq për herë të parë pas Ngjalljes së Tij, mungonte dhe dyshonte për fjalët e nxënësve të tjerë, se panë Zotin. Siç bënë edhe nxënësit, kur dëgjuan nga gratë Miroprurëse për Ngjalljen e Krishtit.

Tashmë, të sigurt për ngjarjen dhe të gëzuar, që e panë Krishtin të ngjallur, ia lajmëruan edhe Thomait. Por, Thomai, nuk donte ta besonte. Si është e mundur, që Mësuesi, që e la frymën e Tij të fundit mbi Kryq; Ai që, të Cilit, Nikodhimi, nxënësi i fshehur i natës, i ofroi, bashkë me gratë Miroprurëse, himnet mbi varr dhe nderimet e fundit; Ai, të Cilin e mbuloi pllaka e rëndë e varrit, si është e mundur të jetë ngjallur? Lajmërimi i ngeli “si gurë pengese” Romakëve 9, 32.

Jetonte një javë të tërë në mes të dyshimeve. I kishte ngelur në mendje, “unë”, thoshte, “po të mos shoh shenjat e gozhdëve në duart e Tij, po të mos vë gishtin te shenjat e gozhdëve dhe po të mos vë dorën te brinja e tij, nuk do të besoj” v. 25. Logjika e tij nuk mund ta shpjegojë.

Përse vallë, o nxënës i dashur i Krishtit? -Nuk e pe ngjalljen e djaloshit në Nain? Por, para kësaj. -Nuk e pe ngjalljen e bijës së Jairit? -Nuk e pe ngjalljen e Llazarit? Sigurisht, Krishti ynë, u tregua i butë me Pjetrin, nxënësin e Tij, që e mohoi. Dhe Pjetri nuk donte ta mohonte. Por, dobësia njerëzore, o çoi në mohim. Krishti nuk e dëboi si nxënës të Tij. E mbajti dhe tregoi gjithë dashurinë dhe dhembshurinë ndaj Pjetrit mohues. Të njëjtën gjë bën edhe sot me Thomain.

* * *

Edhe ne, shumë herë, në këtë klimë lëvizim. “Vallë ekziston ferri? Mos nuk ekziston?” “A zbatohet dot Ungjilli? Mundet të zbatohet?” “Mos Krishti ishte Perëndi dhe nuk ishte njeri apo ishte njeri dhe nuk ishte Perëndi?”Dyshime të shumta. Veçse, dyshimet, nuk vijnë nga dëshira e keqe, nuk vijnë nga prirja e keqe, nuk nisen nga shprehja: “nuk do më bindësh edhe po të më bindësh”. Por, nëse kemi argumente dhe prova, atëherë nuk nevojitet besimi. “Lum ata që nuk panë dhe besuan”, i tha Zoti. Besa vjen për të plotësuar boshllëkun, që krijohet nga logjika e njeriut, midis të vërtetave, që janë të lehta për t’u vërtetuar apo nuk mund t’i vërtetojë dhe t’i shpjegojë logjika njerëzore.

Kështu, pra, mbas tetë ditësh, ndërkohë, që të gjithë nxënësit janë mbledhur, bashkë me ta dhe Thomai, brenda një shtëpie në Jerusalem, të trembur dhe “me dyer të mbyllura”, shfaqet në mes tyre Zoti, pranon dhe lejon Thomain, që ta prekë, që ta vërtetojë vetë, se Zoti është i ngjallur. Para se ta prekë, Thomai thërret: “Zoti im dhe Perëndia im” v. 28. Dhe Zoti ynë i tha: “Lum ata që nuk panë, por besuan” v. 29.

Ja, pse themi, se sot kremton nxënësi i dyshimit. Dhe himnografi i hirshëm me hijeshi këndon: “Oh, sa i mirë ishte dyshimi i Thomait, që i shpuri zemrat e besimtarëve në njohje të të Ngjallurit”.Vallë, ekziston dhe dyshim i keq? Ekziston. Por, Thomai, dyshonte, jo nga dëshira e keqe, jo nga prirja e keqe. Por çfarë dëshironte? Donte të shikonte dhe të njihte. Thomai, me dërrmim dhe i emocionuar, nga dashuria e papritur dhe e pakuptuar, i dorëzohet pa kushte rrezatimit të Zotit të Ngjallur dhe si përfundim, ndriçohet “njeriu i fshehtë i zemrës” 1 Pjetrit 3, 4, dhe me shikimin e besimit, shikon në Personin e Krishtit “Zotin e tij dhe Perëndinë e tij”. Thomai, në këtë mënyrë, na hapi të gjithëve thesarin tonë të fshehur, Zotin e Ngjallur. Në lidhje me këtë është dhe tropari i odës së nëntë, që përmendet tek besnikët nëpër shekuj: “Ty, që si Perëndi dhe Krisht të ngjallur prej varrit, pasi të pamë me dëshirën e zemrës sonë, dhe jo me sytë tanë truporë, të besojmë dhe të lavdërojmë, me himne falënderuese”.

* * *

Kjo prekje vazhdon në Trupin e Krishtit, që është Kisha. Ajo pranon vazhdimisht prekjen e botës. Bota kërkon të gjejë nëse Kisha është e vërtetë ose jo. Nëse i ka “gozhdët” në trupin e saj. Domethënë, nëse ka dhimbje për fëmijët e saj. Nëse dashuron, nëse sakrifikohet. Nëse është e thjeshtë, asketike, e vërtetë. Dhe kur e gjen kështu, entuziazmohet dhe thërret: Këtu është drita ime. Zoti im dhe Perëndia im. Por, kur nuk e gjen kështu. Dhe në vend të thjeshtësisë gjen lukse, në vend të së vërtetës gjen diplomaci, në vend të bashkimit gjen përçarje, atëherë skandalizohet dhe dëshpërohet. Atëherë bije mbi ne fjala e rëndë e Krishtit: “emri i Perëndisë prej jush shahet në kombet” Romakëve 2, 24.

Zoti ynë sot, na ofrohet që ta prekim. Por nuk mjafton vetëm kjo. Nevojitet dhe lëvizja jonë. Ai na jep duart e Tija të shpuara dhe brinjën e Tij të shpuar me shtizë, që t’i prekim. Na e përsërit edhe neve, atë që i tha Thomait: “Sille dorën tënde dhe vendose në brinjën Time”.

Kjo lëvizje nga ana jonë është e domosdoshme. Domethënë, duhet dhe përikja jonë në lutje, në adhurimin e Çlirimtarit tonë të ngjallur. Ata, që bënë këtë lëvizje, me besë të ngrohtë dhe të gjallë, ndjenë të prekin me të vërtetë Perëndinë e Tërëfuqishëm. Le të kujtojmë profeteshën Ana, nënën e Samuelit, Kananeasen e Ungjillit, Patriarkun Jakov, dhe aq të tjerë. Të gjithë këta, e përjetuan aq shumë lëvizjen e lutjes, saqë mundeshin të thonë se, “pamë dhe duart tona e prekën” 1 Joanit 1, 1, Perëndinë e gjallë.

Por sa nga ne bëjmë të njëjtën lëvizje të lutjes për të takuar dhe për të prekur Krishtin? Sa familje sot prekin Zotin e Ngjallur me lutjen e mëngjesit dhe me lutjen e mbrëmjes, me kishërimin e së dielës dhe në përgjithësi, me pjesëmarrjen e tyre në adhurimin hyjnor? Në këndimin e paraklisit, të përshëndoshjeve të Hyjlindëses, me leximin e fjalës hyjnore? Kur lutemi, bashkëbisedojmë me Perëndinë; dhe kur studiojmë me vëmendje, dëgjojmë zërin e Tij, siç thotë fjala e Perëndisë tek psalmet: “Do të dëgjoj se ç’do të më thotë Zoti Perëndi” Psalm 84, 9.

Njeriu nuk mund të jetojë pa Perëndinë. Prisni litarin, që na lidh me Perëndinë, që është ndjenja fetare në zemrën e çdo njeriu, dhe do të shikoni errësirë, fatkeqësi, zhgënjim, dëshpërim, kaos përpara nesh.

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!

Cilido që beson te Krishti mund të thërrasë dhe të shpallë dhe të thotë: “Zoti im dhe Perëndia im”. Kudo bashkë me Krishtin. Në punë, në rrugë, në udhëtimin tonë në det, në mal, në shëndet dhe në sëmundje, në vdekje. Kudo që të ndodhemi, të jemi bashkë me Krishtin. Çdo ditë dhe çdo moment le të jetë për ne një mundësi për ta takuar dhe për të psalur: “Zoti im dhe Perëndia im”.

U bëftë!

Me Urime të Përzemërta dhe Bekime të Shumta:

Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës

IGNATI

Radio Ngjallja

Διαδώστε: