24 Ιουλίου, 2019

E Diela e V e Mateut – Mitropoliti i Beratit Hirësi Ignati

Διαδώστε:

E DIELA E V E MATEUT Mateu (8, 28-9, 1).

MITROPOLIA E SHENJTË E BERATIT·E HËNË, 22 KORRIK 2019

Të Mbetet Përgjithmonë

“Edhe kur e panë atë, iu lutën të ikë nga kufijtë e tyre” v.34.

Zoti vjen në qytetin e Gjergjesinëve dhe çliron dy fatkeqë nga fryma dinake e djallit. Shëron dy të demonizuar, të cilët ishin frika dhe tmerri i bashkëqytetarëve të tyre. Jetonin të zhveshur midis varreve dhe terrorizonin zonën përreth, “kaq sa s’mund të shkonte njeri nga ajo udhë” v. 28. Këta shëron Zoti.

* * *

Çfarë gjë e bukur! Shërohen të demonizuarit, çlirohet i gjithë qyteti nga vuajtja e këtyre njerëzve. Dhe ja, tani, i gjithë qyteti vjen të takojë Jisuin… Mos vallë për ta falenderuar? Mos vallë për ta përgëzuar? Apo ndoshta t’i luten të mbetet bashkë me ata? Fatkeqësisht, jo! Ata vijnë, që ta dëbojnë nga qyteti. “Edhe kur e panë atë, iu lutën të ikë nga kufijtë e tyre” v. 34. Ata nuk interesohen për shëndetin e bashkëqytetarëve të tyre. Nuk duan të shërohen ata njerëz fatkeqë. Nuk interesohen për qetësinë e qytetit. Interesohen vetëm për interesat e tyre.

Shpëtimi i të demonizuarve, u kushtoi shkatërrimin e një tufe derrash. Një tufë derrash po kulloste aty pranë; dhe demonët e dëbuar nga shpirtrat e atyre njerëzve, Zoti i lejoi të hyjnë tek derrat. “Edhe ja gjithë tufa e derrave tek u hodh nga gremina në det, edhe ngordhën në ujërat” v. 32. Ishte e jashtëligjshme tregtia e derrave. Nga Ligji Mosaik nuk lejohej të ushqejnë dhe të tregtojnë derra. Dhe megjithatë, ata e shkelnin ligjin. Përbuznin urdhrat e fesë së tyre. Dhe, tani, arrijnë deri në atë pikë -është e tmerrshme dhe ta thotë dikush- sa të dëbojnë Krishtin, për hir të interesave të tyre të jashtëligjshme.

* * *

Fatkeqësisht, kjo sjellje e mjerueshme e Gjergjesinëve ndaj Bamirësit dhe Zotit të Tërëmirë, nuk pushoi së përsërituri as deri sot. Njerëzit, mëkatarë dhe fajtorë, rritës derrash, të pasioneve dhe të mëkatit,
e largojmë Krishtin, si individë dhe si shoqëri, dhe nuk lejojmë të ndriçojë rreth nesh drita e hirit të Tij.

Në jetën tonë individuale, Çlirimtari dhe çlirimi, nuk kanë vend. Në shpirtin tonë admiruam frymën e të ligut. Mendja dhe mendimet tona, zemra dhe dëshirat tona, bëhen mjete të mëkatit. Ngjitemi pas tokës dhe gjërave tokësore dhe e bëjmë jetën dhimbje koke dhe mjerim. Interesi material, është perëndia jonë. E ngrijmë dashurinë dhe urrejtja helmon lidhjet me njerëzit rreth nesh.

Kur një turmë e tërë e qytetit të Gjergjesinëve pa ish të demonizuarit, të veshur dhe të urtë, nuk u mahnit, nuk u habit, as nuk u trondit, në mënyrë, që të pyes duke u dridhur, çfarë të bëjmë, por guxoi të thotë: Largohu nga kufijtë tanë. Kjo do të thotë, se prezenca e Krishtit për vendin e tyre ishte një vizitë shkatërruese. Dhe do të pyesi dikush veten, mos vallë nga turma e demonëve që dolën, një numër analog hyri tek ata? Gjergjesinët dolën, që ta dëbojnë, sepse preku interesat e tyre të jashtëligjshme. U hodhi në det derrat, që ata i rrisnin në mënyrë të paligjshme. Etërit e Kishës sonë, tek derrat, shikojnë figurën simbolike të pasioneve tona.

* * *

Kështu themi dhe ne shumë herë: -Largohu nga ne, o Perëndi, sepse na prek pasionet e zemrës sonë. -Largohu nga ne, o Perëndi, sepse Ti na thua, të mësojmë drejtësinë në tokë dhe ne preferojmë të dimë paligjësinë. -Ti na thua, të duam njëri-tjetrin dhe ne e urrejmë njëri-tjetrin. -Ti na thua, të mos paragjykojmë dhe ne dënojmë. -Ti na thua të kemi besim dhe ne jemi besëpakë. -Ti na thua, “le t’i ngremë lart zemrat tona”dhe ne i kemi poshtë zemrat tona. -Largohu, pra, nga ne. Nuk të do zemra jonë.

Dhe Perëndia, duke respektuar lirinë tonë, largohet. Ikën dhe rrënohen qytetet dhe fshatrat tanë. Rrënohen mendimet tona, politika jonë, shtëpitë tona dhe ekonomia jonë. U rrënua, madje, dhe ajo feja jonë formale dhe e paesencë. Kur largohet Perëndia të gjitha rrënohen. Vjen i ligu, që është katastrofë.

Etërit e Kishës sonë thonë se, të demonizuar nuk janë vetëm ata, që përpëliten nga demonët, por edhe ata, që ia japin mendimet e tyre, dëshirën e tyre, lirinë e tyre të ligut.

Dhe në familje e njëjta gjë ndodh. Ia mbyllëm derën Vizitorit tonë të madh. Edhe çfarë, nëse Ai dëshiron të jetë themeli i saj, që drita e Tij të ngrohë ambientin e saj, që të përbëjë një vatër ndërtimi shpirtëror, përsosjeje dhe lumturie për anëtarët e saj, një familje e krishterë me të vërtetë? Duam të mbetet pa Krishtin, pa orientime të qashtra, me skena të tmerrshme bashkëshortore, me përplasje vëllazërore, me indiferentizmin për edukimin e saktë të fëmijëve, mungesën e respektit dhe dashurisë së fëmijëve ndaj prindërve, divorce dhe drama familjare të përditshme.

U ngritën mure dhe kufij, për të përjashtuar ideologjinë e Krishterë, që bota të katandiset në një arenë, të përplasjeve reciproke të interesave dhe të pësimeve, ku, pothuajse gjithmonë, mbizotëron më i forti në dëm të të dobëtit; në një vend të përbuzjes së vlerave morale dhe shkeljes së parimeve të shenjta të njerëzimit, në teatër luftërash të egra, i ngjyrosur i tëri nga gjaku i njerëzve të pafajshëm. Brenda kësaj gjendjeje të ndërlikuar dhe të ngatërruar të jetës, Krishti nuk ka asnjë vend.

* * *

Sigurisht, në realitet, nuk është Krishti, që ikën nga ne. Jemi ne, që largohemi nga prania e Tij. Ai vetë tha dhe këtë: “Kushdo, që bën punë imorale dhe dinake, urren të vijë në dritë, sepse atje do të shfaqen dhe do të qortohen veprat e tija dinake”. Joani 3, 20. Është dhe pranë mendjes sonë. Drita dhe errësira nuk mund të bashkekzistojnë. Ose njëra, ose tjetra. Kështu pra, Krishti dhe Satanai, nuk është e mundur, që të jenë që të dy bashkë. Është e pamundura e të pamundurave të bashkëqeverisin. Dhe, pasi ne zgjedhim Satanain, atëherë e dëbojmë Krishtin dhe nuk është me ne, largohet.

Kur me inat mbetemi të papenduar. Kur nuk jemi të prirurë të ndryshojmë mendjen, të ndryshojmë jetën. Atëherë ikën. Ai vetë na fton në çdo orë dhe në çdo moment. Na fton të pendohemi dhe t’i japim jetën tonë dhe shpirtin tonë. Nëse ne, do ta mohojmë dhe do mbetemi të papenduar, atëherë largohet, ikën. Dhe, sigurisht, atëherë dëmi është i yni.

Vëllai im, kujdes. Këtë arsye mos e kërko më tej, jashtë vetes tënde, domethënë tek të tjerët. Vëzhgo brenda teje. Vëzhgo mirë dhe do ta gjesh. Dhe kur ta gjesh, eja. Eja, ndrysho jetën. Hidhi poshtë gjërat imorale, të papastra dhe dinake. Eja në rrëfimin hyjnor dhe pastroje shpirtin tënd. Eja dhe lufto për një jetë të bukur, të pastër dhe më të lartë. Dhe atëherë, çfarë gëzimi, çfarë lumturie! Do të vijë Krishti dhe do të banojë brenda teje. Atëherë do të bëhesh i gjithi dritë, i gjithi dashuri, i gjithi paqe dhe gëzim. Eja, mos u vono, tani e tutje.

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!

Le të psalin kurdoherë buzët dhe zemrat tona himnin e përjetshëm të gjithëfuqisë dhe të mirësisë hyjnore. Le të jetë e pareshtur lutja dhe kujdesi ynë. Zoti ynë të mbretërojë përjetë në shpirtin tonë. Ashtu siç erdhi, të mbetet përherë në jetën e botës, që të jetë prania e Tij burim bekimi, gëzimi të vërtetë dhe lumturie reale.

U bëftë!

Me Urime të Përzemërta dhe Bekime të Shumta:

Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës

 IGNATI

Berat me 21.07.2019


 

– Radio Ngjallja

Διαδώστε: