E Diela e VI e Lukait Mitropoliti i Beratit Hirësi Ignati – Shërimi i të demonizuarit
EDIELA VI E LUKAIT Luka 8, 26-39.
MITROPOLIA E SHENJTË E BERATIT
Shndërrues Karakteresh
“Ε gjetën njeriun duke ndenjur… të veshur e të urtësuar” v. 35.
Të padurueshme janë prangat e mëkatit. Dhe kjo ndodh, sepse roje burgu është vetë satanai. Me të vërtetë, sa shumë vuan njeriu për shkakun e atij! Por, është e habitshme; megjithëse dëshiron të lirohet, nuk bën asnjë përpjekje të këpusë zinxhirët, që e kanë lidhur nga duart e këmbët. Dhe kjo është për të ardhur keq! Fatmirësisht, që ndërhyn Perëndia, Jisu Krishti, Çlirimtari dhe Shpëtimtari; sepse, me fuqinë e mbinatyrshme që ka, ia lidh duart mbrapa, djallit, dhe e çliron njeriun e mjerë. Dhe jo vetëm kaq, por dhe diçka më tepër. Pas çlirimit, e shndërron karakterin e tij. E bën më të mirë njeriun. Të marrin e bën të logjikshëm, barbarin të urtë, të pamoralshmin të moralshëm. Një rast të tillë na shfaq pjesa e gadarinasit të demonizuar.
* * *
Në breg të liqenit Gjenisaret, ngrihej qyteza e Gadarinëve. Banorët e saj ishin bujq, blektorë dhe peshkatarë. Nga ato, që na përmend pjesa e Ungjillit, duket se nuk ishin njerëz të Perëndisë. Midis tyre ishte dhe një i demonizuar. Ishte pushtuar nga shumë demonë, që e torturonin tej mase. E lidhnin me zinxhirë, që të jetë i parrezikshëm, por frymët dinake, që kishte brenda tij, bënin diçka të tmerrshme. I jepnin fuqi trupore satanike, në mënyrë, që të këpusë zinxhirët e trashë dhe të vrapojë në vende të shkreta. Atje përfundonte, duke u larguar si një kalë pafre dhe duke këputur çdo kapistër. Djalli me mani, e torturonte natë e ditë atë njeri të mjerë. Sepse satanai është armiku i madh i shpirtit tonë. Nuk ka asnjë dyshim, për të krishterin, që djalli është një realitet. Sigurisht, nuk e shikojmë me sytë tanë, sepse është frymë. Por, shikojmë veprat e tija njerivrasëse dhe të liga, viktimat e tija të shumta dhe tragjike.
Demonët i luftojnë njerëzit, me urrejtje satanike, natë e ditë. Qëllimi i tyre është të na largojnë nga Perëndia, Zoti ynë, dhe nga Kisha e Tij. Të zhvillojnë brenda nesh pasionet dhe dobësitë e karakterit tonë. Të na sjellin trazirë, mosbindje, kureshtje të sëmurë dhe çdo të keqe.
Një përpjekje tjetër e demonëve është të na mbështjellin me errësirën e vetmisë. Të na ndajnë nga personat, që kanë lidhje me Perëndinë dhe na ndihmojnë shpirtërisht. Dhe e arrijnë këtë duke i frymëzuar njerëzit të mbyllen në vetvete. Të largohen nga shoqëria e njerëzve, siç bënë dhe me të demonizuarin që përmendim.
Para se të pranojë vizitën e Jisu Krishtit, i këpuste zinxhirët dhe vraponte në vende të shkreta. Tani, shijon prezencën e Zotit. Qëndron si dele pranë këmbëve të Jisuit, të Bariut të mirë. Ai, që i pëlqente të banonte në varreza, pothuajse i zhveshur, tani është i qetë, i veshur dhe i urtë. Ky ndryshim i mrekullueshëm i të demonizuarit të Gadarinëve, na jep rastin të konstatojmë një temë të rëndësishme: Ndryshimin dhe shndërrimin, që i bëhet trupit të njeriut, kur i afrohet Krishtit çlirimtar dhe pranon hirin e Tij të tërëfuqishëm.
Një shndërrim i mrekullueshëm ndodh në shpirtin, por dhe në trupin e atij njeriu, që e bën Krishtin, çlirimtarin dhe shpëtimtarin e tij personal. Fjala shndërrohem, do të thotë ndryshoj pamjen. Ndryshoj fytyrën. Ndryshohet dhe pamja e jashtme. Në fillim, pamja e njeriut, që demonizohet, që dehet, që shan të shenjtat, ishte e tmerrshme, sytë e turbullt, mimika e egër, shikimi i tij i ashpër dhe i dyshimtë, i mbushur me dinakëri. Tani, sytë e tij kthjellohen. Shikon me thjeshtësi, me mirësi, me dashuri. Fytyra e tij shkëlqen nga gëzimi dhe rrezaton paqen e Krishtit.
Njeriu, që e njohu me të vërtetë Zotin, besoi se dhe trupi i tij është krijesë e Atij. Tempull i gjallë i Shpirtit të Shenjtë. Vend i hirshëm dhe i shenjtë. Na e thotë qartë apostull Pavli: “Apo nuk e dini se trupi juaj është tempull i Frymës së Shenjtë që rri në ju, të cilin e keni nga Perëndia, dhe nuk jeni të vetvetes?” 1 Korinthianëve 6, 19.Këtë besim dhe këtë frymë kishin gjithmonë të krishterët për trupin e tyre, si edhe për trupat e njerëzve të tjerë.
Por, trupi ynë, është dhe gjymtyrë e Krishtit. 1 Korinthianëve 6, 15.Trupi i çdo të krishteri nuk është mish, që ekspozohet në çdo reklamë dhe hidhet në treg. Është gjymtyrë e trupit mistik të Krishtit. Ky besim na bën ta shikojmë ndryshe trupin tonë dhe trupat e njerëzve të tjerë. Me sy të pastër, me respekt dhe ky besim pasqyrohet në fytyrën tonë.
Le ta vërejmë disi më tepër të demonizuarin, që u shërua. Së pari u ul pranë këmbëve të Jisuit, i veshur dhe i urtësuar. Pastaj, iu lut Jisuit “të mbetet bashkë me Të.” Dhe, së fundi, mori urdhrin nga Zoti, t’u shpallë njerëzve të tij mrekullitë e Perëndisë. Me fjalë të tjera, këtu kemi një njeri, që brenda pak kohe, shfaq një ndryshim të habitshëm. Nga njeri i demonëve, u bë apostull i Zotit. Hiri i Krishtit veproi aq shumë, saqë për disa minuta të orës, bëri një shenjtor. Dhe, sigurisht, kjo është një mrekulli; një mrekulli nga të shumtat, që bëhen në botë; dhe duhet ta themi, se kjo nuk është vetmja.
Aq dhe aq mrekulli të ngjashme bëhen herë pas here brenda Kishës sonë. Njerëz “të demonizuar”, me demonë të shumtë dhe të larmishëm, që ishin një plagë në shoqëri, brenda pak kohe, ndryshuan rrënjësisht dhe u bënë të krishterë, me Krishtin në zemrën tyre. Dhe ndërkohë, që nuk kanë diploma teologjie, prapëseprapë janë të parët dhe më të mirët në kishë; rrëfehen, kungohen, dhe u thonë të tjerëve dy fjalë të krishtera. Në familje, janë “të urtët”, që ndërtojnë “shtëpi”, që kultivojnë frymën e bashkimit, që kontribuojnë në bashkëjetesën harmonike dhe i rrisin fëmijët e tyre “me edukatën dhe këshillën më Krishtin”. Në shoqëri janë qytetarë të mirë, që “u nënshtrohen pushteteve që janë mbi ta” Romakëve 13, 1,që i rregullojnë marrëdhëniet e tyre sipas Ligjit të Perëndisë dhe të shtetit dhe ndihmojnë për përparimin e bashkësisë. Çdo veprim i tyre, “qoftë kur hanë, qoftë kur pinë, apo në çdo gjë që bëjnë, të gjitha i bëjnë për lavdi të Perëndisë” 1 Korinthianëve 10, 31.Domethënë, bijtë e demonëve, me hirin e Krishtit, bëhen bij të Perëndisë.
* * *
Por, si do t’i përballojmë demonët e tmerrshëm, që të gjithë na ngacmojnë pak apo shumë? Zoti ynë na jep përgjigjen me fjalët e Tija: “Rrini zgjuar dhe lutuni, që të mos hyni në ngasje” Matheu 26, 41.Kur dikush rri zgjuar, nuk habitet në momentin e vështirë të ngasjes.
Mos ki frikë, pra, kur rri zgjuar dhe kujdesesh. Demonët nuk mund të na bëjnë keq, kur jemi vigjilent dhe rrimë zgjuar.
Në lidhje me këtë temë, shën Joan Gojarti na këshillon: “Shiko mirë dhe vëzhgo vigjilues, cili nga demonët dinak të lufton pa pushim, kur qëndron, apo udhëton, apo rri ulur, apo lëviz trupin, apo punon,
apo lutesh ose fle. Dinak është djalli, e pohoj edhe unë, por ndaj vetes së tij është dinak jo tek ne, nëse rrimë zgjuar dhe jemi të përmbajtur.”
Arma e dytë është lutja e gjallë. Kur, në kohën e ngasjes, i ngremë sytë tanë dhe zemrën tonë drejt qiellit dhe kërkojmë ndihmën e Jisu Krishtit, atëherë i fshikullojmë demonët dhe largohen. Shën Agustini na këshillon: “Djalli kundrejt teje, ti kundrejt Perëndisë, dhe atëherë vjen fitorja.”
Kryqi i Krishtit tonë është një armë e tjetër e frikshme në duart tona kundër djallit. Shën Kozmai nga Etolia shkruan në mënyrë karakteristike në mësimëdhëniet e tija: “Kryqi i ndjek demonët dhe largohen si rrufe… dhe ai që e bën nuk ka kurrë dëm, por e ruan nga çdo gjë helmuese dhe nga çdo tundim demoniak.”
* * *
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!
Jisu Krishti ka gjithë fuqinë, të çlirojë dhe të shpëtojë nga robëria e satanait. Ai i këput gjithë zinxhirët e tmerrshëm të robërisë së viktimave të djallit, çliron nga grackat dhe kurthet e tija. Le të përikim, pra, gjithmonë tek Ai, që pranë Tij të shijojmë jetë, gëzim, siguri, paqe dhe lumturi të vërtetë.
U bëftë!
Me Urime të Përzemërta dhe Bekime të Shumta:
Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës
† IGNATI
H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.
Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.