E DIELA III E LUKAIT Luka 7, 11-16
MITROPOLIA E SHENJTË E BERATIT·SATURDAY, 5 TETOR 2019
Një Mësues i Madh
“Ja tek sillnin përjashta një të vdekur, të cilin e ëma e kishte bir të vetëm, dhe ajo ishte e ve.” v.12.
Është e vërtetë, se vdekja gjithmonë i shkaktonte njeriut ndjenja frike dhe neveritje. Prandaj dhe njeriu, bën çdo gjë, në mënyrë që, të mbetet në jetë dhe të shtojë shpresat e saj. Ky qëndrim justifikohet, sepse njeriu, duke u bamirësuar nga Krijuesi, me shpirtin e gjallë, është gatuar për pavdekësinë. Vdekja është një gjendje e huaj për vetë natyrën e tij. Por, paralelisht, është dhe zgjedhja e tij, sepse ai vetë hapi rrugën për ardhjen e saj, me mëkatin dhe largimin nga vullneti i Perëndisë. Frytet e vdekjes, sipas kësaj, janë: dhimbja, ndjenja e mungesës, pikëllimi, zbrazëtia. Rezultati i gjithë këtyre, për njeriun, që gjendet larg Perëndisë, është zhgënjimi dhe dëshpërimi. Por, fjala e Perëndisë, si një rreze e ndritshme, dëbon errësirën e dëshpërimit dhe na tregon mënyrën, që t’i shmangemi dëshpërimit dhe na ndriçon rrugën e kthimit në Parajsën e humbur.
* * *
I
Vdekja është një ngjarje e sigurt. Shën Pavli na jep eksperiencën e tij hyjnore: “Sikurse njerëzit një herë vdesin dhe pastaj vjen gjykimi” Hebrenjve 9, 27. Duhet, që në fillim të theksojmë se, nuk duam të krijojmë mendime melankolike, por të ndihmojmë dhe të ndihmohemi shpirtërisht. Realiteti, pra, dëshmon se vdekja është një ngjarje e përditshme në këtë botë. Se çdo ditë ikin nga kjo jetë qindra dhe mijëra njerëz.
Sigurisht, fal shkencës, që ka përparuar kaq shumë, është siguruar një jetë më e gjatë, për njeriun e sotëm, por vdekja nuk është kapërcyer. Me gjithë përparimin e shkencës, shumë sëmundje të pashëruara korrin jetë të panumërta çdo ditë. Akoma dhe aksidente dhe fatkeqësi të ndryshme, që madje, u detyrohen këtyre mjeteve të përparimit, kontribuojnë në vdekjen e parakohshme të shumë njerëzve. Vdekja është bërë një ngjarje e përditshme, që shpesh vjen papritur, pa qenë njeriu gati. “Dita e Zotit do të vijë siç vjen vjedhësi natën” 1 Selanikasve 5, 2, na vërteton Shkrimi i Shenjtë.
Vallë nuk dëgjojmë herë pas here për vdekje të papritura të njerëzve tanë? Njëri ndërron jetë në zyrën e tij, tjetri ndërkohë që, është në gjumë. I treti bije atje ku ecën. Të tjerë ndërkohë që udhëtojnë. Por vdekja duket se nuk bën as përjashtime. Vjen në kasollen e të varfrit, ashtu si dhe në pallatin e të pasurit. Merr të moshuarin dhe plakun, por edhe të riun e njomë, fëmijën e ëmbël, madje dhe foshnjën. Viziton familjen e atij, që mundohet për jetën, ashtu si dhe vilën e aristokratit.
Vallë nuk e dëgjuam dhe në ungjillin e sotëm, një djalë i ri, ishte biri i gruas së ve, varrimin e të cilit vërejti Zoti. Gjendej në lulen e moshës së tij. Dhe vdiq, ndërkohë që, sigurisht, nuk e priste asnjë njeri. E tillë, është vdekja. Çdo ditë, e papritur dhe nuk bën përjashtime. Prandaj thamë më lart se duhet ta kujtojmë dhe ta mendojmë. Ta presim si vizitor të sigurt, që, dikur, do të na vijë patjetër.
Për më tepër, e gjithë kjo jetë, është një parapërgatitje për vdekjen. Për këtë arsye detyrohemi, shpesh dhe dendur, që ta kujtojmë. Ky kujtim do të jetë një frenim i vërtetë sa herë që do të ndjejmë makinën tonë individuale të lëvizë me shpejtësi marramendëse në bulevardin e mëkatit, njëkohësisht, do të jemi vigjilent dhe do të jemi gati në çdo gjë, që ta presim.
II
Si do ta presim? Do jemi gati? Fatkeqësisht, për këtë temë të madhe të kësaj parapërgatitje mbetemi njerëz të ngathët, të pakujdesshëm, indiferent, kështu, vitet, që na jep Perëndia për t’u përgatitur, kalojnë pafryte. Dhe ndërkohë, që merremi me mijëra punë të tjera me vlera të dyshimta, por dhe grumbullojmë mëkate në shpirtin tonë, nuk merremi me përgatitjen shpirtërore. Dhe, siç thotë shën Joan Gojarti, “ndërkohë, që momenti i prerjes së fillit të jetës sonë është afër dhe afati i vdekjes arriti, koha e pendimi nuk duket fare.” Arrin fundi jonë dhe ne nuk pendohemi dhe nuk ndryshojmë jetë.
Prandaj Zoti, i cili na do dhe dëshiron shpëtimin tonë, na thërret: “Jini gati, se nuk e dini orën kur do të vijë Biri i njeriut” Luka 12, 40. Dhe na paralajmëron: “Rrini zgjuar, sepse nuk e dini në ç’ ditë vjen Zoti. Po ta dinte i zoti i shtëpisë se në ç’ orë të natës do të vinte vjedhësi, do të rrinte zgjuar dhe nuk do të lejonte t’i vidhej shtëpia. Prandaj jini gati, se Biri i njeriut do të vijë në një orë që nuk e prisni”. Mateu 24, 42-44.Këto tregojnë se duhet të kujtojmë orën e vdekjes, orën kur Zoti do të vijë për secilin prej nesh dhe do të na ftojë, që të na gjykojë.
Çfarë përgatitje kemi bërë, pra? Përgjigjja gjendet në paravolinë e dhjetë virgjëreshave. Atje lexojmë se “ato që ishin gati -virgjëreshat e mençura- hynë bashkë me Dhëndrin në dasmë” Mateu 25, 10.Hynë në Mbretërinë e Perëndisë, se kishin “vaj” në llambadhet e tyre. Domethënë, shpirti i tyre shkëlqente nga drita e virtytit dhe dispononin vajin e nxehtësisë dhe fuqisë shpirtërore. Pra, e tillë duhet të jetë dhe përgatitja jonë, ajo që do të na japë guxim para Gjykatësit të drejtë dhe do të na hapë derën e qiellit. Fitimi i virtyteve duhet të bëhet qëllimi i jetës sonë. Dhe virtyti arrihet me luftë të përditshme dhe brenda mundësive, që na jep Perëndia, në punë, në marrëdhëniet tona, në shtëpi, kudo.
Kur vdes dikush, zakonisht, ne të tjerët, “që do të mbetemi”
1 Selanikasve 4, 15,rrimë dhe shikojmë jetën e tyre dhe veprën e tyre në përgjithësi. Por, në kohëra kritike, siç janë të sotmet, do të ishte më mirë, të mos shikojmë ata që ikin, por ata që mbeten. Sot nevojitet të kujdesemi më shumë për të gjallët. Dhe ky vëzhgimi ynë të bëhet, me thjerrën e vdekjes, nën prizmin e përjetësisë. Ne, që mbetemi, që jetojmë, a mund ta justifikojmë jetën tonë të sotme me masë dhe pasqyrë vdekjen? A justifikohen ato që themi dhe bëjmë me realitetin se, një ditë do të vdesim? Le të kujtojmë mësuesin e madh, sepse nëse e harrojmë egërsohemi. Dhe toka ka mjaft egërsira, nuk nevojiten të tjera. Nevojitet butësi dhe dashuri.
Nevojitet, mbi të gjitha, njohje personale me Jisu Krishtin, të cilit vetëm i përket froni i zemrës sonë dhe njohja e Tij si monarku absolut i saj. Një rrëfim i guximshëm dhe i plotë do të na drejtojë në rivendosjen e marrëdhënieve tona me Perëndinë, do të na dhurojë pastërtinë e duhur të shpirtit dhe qetësinë e ndërgjegjes dhe, njëkohësisht, do të krijojë sigurinë e shpëtimit tonë.
I krishteri nuk ndjenë frikë ose agoni para vdekjes, por mbetet i qetë dhe i kthjellët. Dhe kjo, sepse i krishteri e përballon vdekjen me besë dhe shpresë. Me shpresën e ngjalljes së të vdekurve gjatë Ardhjes së Dytë të Zotit. Atëherë do të ngjallet përsëri trupi dhe do të bashkohet me shpirtin, që të jetojë, tashmë, i tërë njeriu, përjetësisht, i lumtur pranë Perëndisë.
* * *
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!
Dhurata e madhe e Krishtit për ne besnikët e Tij është, se me vdekjen dhe ngjalljen e Tij na dha besën dhe shpresën e jetës së përjetshme dhe të mos kemi frikë para vdekjes. Nëse parapërgatitemi, siç thamë më sipër, atëherë vdekja dhe për ne do të jetë një kalim “nga më të hidhurat në më të gëzueshmet, nga të përkohshmet në të përjetshmet” Uratë e uljes së gjunjëve në Pendikosti. Do të na shpjerë pranë Zotit tonë, në lumturinë e Mbretërisë së Qiejve.
U bëftë.
Me Urime të Përzemërta dhe Bekime të Shumta:
Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës
† IGNATI
Berat me 06.10.2019
H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.
Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.