E DIELA PARA LARTËSIMIT TË KRYQIT Joani 3, 13-17
Dashuria e Njeriut Përballë Dashurisë së Perëndisë
“Sepse Perëndia aq shumë e deshi botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që të mos humbasë kushdo që t’i besojë atij, po të ketë jetë të përjetshme.”v. 16.
Me një shtrirje të kufizuar dhe me kuptime të thella është teksti i sotëm i Ungjillit. Baza e tij është një ngjarje historike dhe alegorike nga Dhiata e Vjetër: “Ngritja lart e gjarprit prej metali nga Moisiu”. Kjo ngjarje ishte një simbol i sakrificës së Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht mbi drurin e Kryqit dhe veprës së Tij për çlirimin e botës nga mëkati.
* * *
Në Dhiatën e Vjetër, dhe më konkretisht, në Librin e “Numrave” në kapitullin 21, lexojmë se, kur Hebrenjtë u treguan besëpakë dhe rënkuan ndaj Perëndisë dhe Moisiut, për shkak të mungesës së ushqimit në shkretëtirë, Perëndia, që t’i qortojë, “dërgoi midis popullit gjarpërinj, të cilët kafshonin njerëzit, dhe shumë Izraelitë vdiqën” (21, 6).Atëherë përikën përsëri tek Moisiu duke rrëfyer mëkatet e tyre dhe i luteshin të ndërmjetojë përpara Perëndisë, në mënyrë që të ndalojë këtë plagë të madhe, vdekjeprurëse. Moisiu iu lut Zotit për popullin. v. 7. Dhe mori urdhrin të ndërtojë një gjarpër dhe ta varë mbi një dru. Ai që shikonte atë gjarpër, menjëherë do të shërohej nga kafshimet e gjarpërinjve të shkretëtirës. Dhe kështu ndodhi.
Gjarpri prej bakri i Moisiut është një simbol i Kryqit të çmuar, mbi të cilin pësoi Perëndinjeriu për shpëtimin e mëkatarëve. Kisha me gjarprin ngjason mëkatin dhe djallin. Jeta jonë ngjanë me shkretëtirën e mbushur me gjarpërinj. Mëkati dhe kurthet e djallit na rrethojnë, ashtu siç rrethonin atëherë Izraelitët e mjerë. Pasionet kanë ndryshuar mënyrën e shëndetshme të mendimit dhe çdo ditë na drejtojnë në vdekjen e shpirtit. Madje “gjarpri i motshëm”, djalli, përdor metoda mashtruese të na nxjerrë nga rruga e jetës së krishterë. Si do t’i dobësojmë pasionet? Si do ta heqim helmin e tyre, që të jenë parrezikshme?
Etërit e shenjtë, të cilët gjithë jetën e tyre luftuan me gjarpërinjtë e mëkatit, na këshillojnë t’i dëbojmë pasionet dhe të ndalojmë së i ushqyeri, që të vdesin. Ashtu siç gjarpërinjtë, kur do t’i mbyllim në një qyp do të ngordhin, kështu dhe pasionet, kur, do t’i kufizojmë dhe nuk do t’i ushqejmë me pakujdesinë dhe plogështinë tonë, do të vdesin. Përndryshe do të bëhen me shumë koka (Zbulesa 13, 1-10) dhe do të shqyejnë shpirtin tonë. Apostull Pavli na nxit, që së pari të vrasim pasionet pastaj t’i përvishemi luftës shpirtërore për arritjen e virtyteve: “Bëni pra të vdesin gjymtyrët tuaja që janë mbi dhe, kurvërinë, papastërtinë, pasionin, dëshirën e keqe dhe lakmimin, që është idhujtari” Kolosianëve 3, 5.
Dritare, përmes të cilave hyjnë pasionet, janë pesë shqisat e trupit: Shikimi, dëgjimi, shijimi, prekja dhe nuhatja. Poeti ynë i krishterë na këshillon: “Nëse kujdesesh për ato që shikon, nëse kujdesesh për ato që dëgjon, i pastër do të jetë shpirti i yt, e pastër dhe mendja jote, kujdes dhe se çfarë lexon, pleh në shpirt mos fut”. “E pashë librin e mirë, në kazanë të hedhur, dhe më tutje një tjetër, disi mbante erë të keqe; ndoshta mundet dikush të hajë bashkë mjaltë me helm?”
Në lidhje me pamjet e pahijshme veterani i predikuesve, protopresviteri Kostandin Kaliniku në Mançester të Anglisë, vëren me saktësi: “Sytë e pakujdesshëm në pamjet e pahijshme e demonizojnë njeriun.”
Pyetën dikur ava Sisoin dhe i thanë: “Për sa vjet duhet njeriu t’i ndërpresë pasionet e tija? Dhe Jerondi iu përgjigj: Do, të mësosh vitet? Sapo të vjen pasioni, përnjëherë ta ndërpresësh.” Është një këshillë e urtë të cilën duhet ta ndjekim të gjithë. Në fillim, çdo pasion mundet. Kur nuk do ta luftojmë menjëherë, bëhet zakon, dhe pastaj natyrë e dytë dhe me vështirësi largohet. Dëboje mendimin e keq, para se të të robërojë mendjen. Hiqi sytë nga shikimi i kënaqësisë së mëkatit, para se të krijojë dëshirimin. Ndërpre çdo lidhje me mëkatin, fuqishëm dhe jo me vendime gjysmake. Mos luaj me gjarpërinjtë dinakë të mëkatit sepse rrezikon të helmohesh.
Kryqi asgjëson helmet e mëkatit. Pa fuqinë e Kryqit të Nderuar, çdo përpjekje kundër pasioneve është e kotë. Kryqi është plaga e demonëve; mbi atë Zoti Perëndinjeri dha goditjen përfundimtare kundër mëkatit. Sakrifica e Krishtit dobësoi fuqinë e dragoit të vjetër dhe i dhuroi gjindjes njerëzore gëzim dhe jetë. Kushdo që në jetën e tij përjeton sakrificën e Zotit dhe ushqehet nga Trupi i nderuar dhe Gjaku i pacenuar nuk i trembet manisë së djallit dhe pasioneve, që sjell djalli. Ka fuqinë e Krishtit Shpëtimtar dhe bukurinë e motshme të parajsës. Shigjetat e dinakut shuhen para se të godasin objektivin e tyre, dhe helmi i tyre asgjësohet para se të arrijë të godasë shpirtin e tij. Shenja e Kryqit të çmuar, kudo që të bëhet “pushon çdo mashtrim i armikut dhe çdo ndikim i të ligut dëbohet dhe përmban fuqitë shpirtërore brenda kufijve të logjikës”. Kryqi i Zotit qetëson mendjen, zbut ndjenjat dhe bekon dëshirat. Kryqi i Krishtit shenjtëron shpirtrat dhe trupat dhe ruan lirinë e njeriut nga çdo dinakëri.
* * *
Ai urdhër i Perëndisë ndaj Moisiut, të lartësojë në dru gjarprin prej bakri, që ishte simbol i Kryqit të Nderuar, ishte një veprim i dashurisë së Tij ndaj popullit izraelit, ishte një shfaqje e kujdesit të Tij të veçantë ndaj popullit të Tij të zgjedhur. Ishte akoma një pamje e zbehtë e shpëtimit të tërë botës, të cilin shpëtim do ta kryente më pas nëpërmjet Birit të Tij.
Nëse do t’i gjykojmë gjërat dhe rrethanat e kësaj jete me bazë dashurinë dhe përkujdesin e Perëndisë, do të shikojmë se të gjitha i përdor dhe i lejon Ai, si Atë i dhembshur, për interesin tonë të përjetshëm. Për dobinë tonë shpirtërore. Për shembull, kur na ndodh një sëmundje, pyesim veten ndoshta, pse Perëndia na sillet kaq ashpër? Pse na lë të vuajmë brenda një vështirësie ekonomike, personale, familjare, kombëtare? Pse të kalojë jeta jonë brenda pasigurisë ndërkombëtare?
Por, le të mos nxitohemi t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve. Le të shikojmë së pari Kryqin e Zotit tonë që do t’i falemi. Është vërtetimi më i madh i dashurisë së Perëndisë, i Cili dërgoi Birin e Tij në botë, që të shpëtojë botën nëpërmjet Tij…” Dhe do të shikojmë se nëpërmjet gjithë ndryshimeve të kësaj jete, të këndshme dhe të pakëndshme, urtësia dhe dashuria e Perëndisë vepron shpëtimin tonë. Pikërisht, ashtu si mjeku me ilaçet e hidhura apo të ëmbla, me operimet apo mjekimet e plagëve, kujdeset për rimëkëmbjen e plotë të shëndetit të të sëmurit. Hidhërimi, dhimbja, dyshimet, e bëjnë më të mprehtë njeriun, stabilizojnë karakterin e tij drejt së mirës. E orientojnë shpirtin e tij drejt Perëndisë.
Të besojmë domethënë se me të vërtetë sprovat e përkohshme që na ndodhin, synojnë interesin tonë të përjetshëm. Se edhe sëmundja dhe ndarja e papritur, nga jeta e personave të dashur nuk janë të rastësishme apo të pavarura midis tyre. Përbëjnë anët e ndryshme të një tërësie harmonike. Të besojmë bashkë me shën Pavlin: “Edhe e dimë se të gjitha u ndihmojnë për mirë atyre që duan Perëndinë, atyre që janë thirrur sipas vullnetit të Tij.” Romakëve 8, 28.
* * *
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!
Ky qëndrim i besës nuk është një shenjë dobësie, por është heroike dhe fuqizon e armatos shpirtin e njeriut me fuqi të pamposhtur. Është qëndrim i dashurisë së njerëzve ndaj dashurisë së Perëndisë, që sakrifikoi Birin e Tij që të shpëtohemi dhe të jetojmë përjetë bashkë me Të.
U bëftë.
Me Urime të Përzemërta dhe Bekime të Shumta:
Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës
† IGNATI
H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.
Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.