– Dëshmorët Julita, Kiriku –
Me prejardhje gjaku mbretëror dhe “në lule të rinisë” duke pasur një “jetë të panjollshme”, Julita mbeti e ve. Jetonte në Ikoni, në brendësi të bregdetit jugor të Azisë së Vogël, kur në fillim të shekullit të 4-t shpërtheu përndjekja e perandorit Dioklecian (284-305). Meqenëse guvernatori lokal i përndiqte të krishterët me egërsi, ajo mori djalin 3-vjeçar, Kirikun dhe iku në Selefkinën bregdetare. Gjendja e njëjtë që ishte atje e dëboi më në lindje, në Tarso të Kilikisë, por atje e arrestoi qeveritari shpirtbishë. Porsa shpalli publikisht besimin e vërtetë, e rrahu dhe e dënoi me gërvishtje dhe me tortura të tjera, të cilat i duroi duke lavdëruar Perëndinë.
Pastaj ia rrëmbyen djalin nga prehri dhe e hodhën në shkallët e gjykatës. Foshnja belbëzoi fjalën “i krishterë”, atëherë tirani i tërbuar e goditi me shkelm, duke i çarë kokën ende të njomë.
Burime të tjera thonë se qeveritari u përpoq që ta mposhtte me përkëdhelje Kirikun (greqisht do të thotë: predikues), ai belbëzoi emrin e Krishtit dhe njëkohësisht e shkelmoi tiranin në bark. Atij i dhembi dhe, i egërsuar, e hodhi nëpër shkallë, duke u goditur në kokë. Kështu koret e shenjtorëve pritën vëllain e tyre të vogël. Nëna trimëreshë nuk u dorëzua prej fundit të tij çnjerëzor dhe ia prenë kokën më 15 korrik pas torturave të tjera.
Lipsanet i kishin varrosur fshehurazi dy shërbëtorët e saj, që kishin vëzhguar martirizimin e tyre. Njëra jetonte akoma në kohën e Konstandinit të Madh (21 maj), kur ndaluan përndjekjet dhe tregoi varrin e tyre.
Shumë shpejt nderimi për dy dëshmorët u shtri në Azinë e Vogël, pak më vonë edhe në Palestinë, Konstandinopojë, Itali dhe Spanjë dhe u ndërtuan shumë kisha për ta.