24 Ιουλίου, 2019

E mërkurë, 24 korrik 2019 – Shenjtori i ditës: Dëshmore e madhe Kristina. Omologjet Athinagora. Dëshmorët Borisi, Gljebi

Διαδώστε:

– Dëshmore e madhe Kristina –

Fëmijë e vetme e gjeneralit idhujtar Urban, lindi dhe jetoi në qytetin bregdetar të Tirit, në veri të Palestinës, në kohën e Sevirit (193-211). Për shkak të bukurisë së saj, u mbyll nga i ati në një kullë luksoze, nga ku, duke vështruar qiellin me yje, filozofonte për krijesën dhe Krijuesin e saj. Atëherë, me anën e zbulesës hyjnore, besoi te Krishti dhe nuk u falej më idhujve të saj prej ari, siç e këshillonin prindërit. Për më tepër, një natë ajo i copëtoi ato dhe ua shpërndau të varfërve.

Pas kësaj Urbani dha urdhër dhe e torturuan. E goditën pa mëshirë; e vendosën në një rrotë, ku poshtë kishte zjarr, i cili dogji shumë njerëz, por jo vajzën; e burgosën, duke e lënë pa ushqim dhe ujë, por ndërkohë, e ushqeu dhe e shëroi një engjëll; e hodhën në det, duke i varur gur në trup, por ajo pa Shpëtimtarin që e pagëzoi. Pastaj u ndodh në stere shëndoshë e mirë. I ati e burgosi përsëri për ta ekzekutuar si magjistare, por po atë natë ai dha shpirt me dhimbje.

Pasardhësi i tij, pasi nuk ia ktheu besimin me lajka, dha urdhër ta rrihnin dhe ta hidhnin në zift të përvëluar, t’i rruanin kokën dhe ta shëtisnin rrugëve të zhveshur. Virgjëresha, në vend që t’i falej idhullit të Apolonit, urdhëroi dhe u vetëshkatërrua dhe, si rezultat, sundimtari vdiq nga hidhërimi. Në saje të mrekullive të saj u kthyen 3.000 idhujtarë. Sovrani i ri e hodhi në furrë, por ajo brenda furrës, e paprekur, psalte së bashku me engjëjt; e hodhi te zvarranikët helmues, por nuk u prek. Madje ngjalli zbutësin e egërsirave, të cilin e kishin kafshuar gjarpërinjtë kur i ndërsente kundër saj.

Pastaj xhelatët i prenë gjinjtë, por në vend të gjakut rrodhi qumësht. I prenë edhe gjuhën që pohonte Krishtin, të cilën ajo vetë ia hodhi tiranit në sy, i cili u verbua si dënim, siç ia sqaroi ajo, duke i folur qartë edhe pse nuk kishte gjuhë. Së fundi, e shpuan me shtizë në brinjë e në zemër dhe kështu fitoi (24 korrik) kurorën që i kishte parathënë një zë qiellor.

 

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë / Facebook

Διαδώστε: