11 Οκτωβρίου, 2019

E premte, 11 tetor 2019 – Shenjtori i ditës

Διαδώστε:

E premte, 11 tetor 2019

– KRESHMË –

– Shenjtori i ditës –

Apostull Filipi nga 7 dhjakonët. Omologjet Theofani, i shkruari. Arsaki i Konstandinopojës. Dëshmore Filonila. Oshënar Nektari i Optinës.

– Apostull Filipi nga 7 dhjakonët –

Shën Filipi lindi në Qesari të Palestinës. Nga martesa pati katër vajza, të cilat ia kushtuan virgjërinë e tyre Perëndisë dhe kishin dhuratën e profecisë (Vep. 21.8). U dorëzua dhjak nga apostujt në të njëjtën kohë me Stefanin (Vep. 6), që të shërbente nëpër tryeza dhe në vepra bamirësie.

Kur vëllazëria apostolike u shpërnda për të shpallur Ungjillin, Filipi predikoi Lajmin e shpëtimit në të gjithë Samarinë. Ai pagëzoi edhe Simon magjistarin, i cili donte të blinte me pará dhuratën e Hirit (Vep. 8).

Ai u dërgua nga Jerusalemi për në Gaza për t’i dhënë eunukut, funksionarit të lartë të Kandakës, mbretëreshës së Etiopisë, çelësin e mistereve të profecive të Isaias. Pasi e pagëzoi, u rrëmbye nga Fryma për të vazhduar predikimin.

Duke filluar nga Azoti, Filipi ungjillëzoi gjithë qytetet ku kalonte, deri në Qesari; pastaj u kthye në Azinë e vogël, në provincën e Tralisë. Atje fjeti në paqe, si ktheu shumë paganë në njohjen e Perëndisë dhe ndërtoi një kishë.

* * * * *

– Oshënar Nektari i Optinës –

Atë Nektari (Tikhonov) i Optinës u lind më 1857 në një familje të varfër. Punoi për një tregtar i cili e pëlqente dhe dëshironte ta bënte dhëndër, por me këshillën e një murgeshe të moshuar shkoi në Optina për t’u këshilluar me etërit atje.

Sa e pa Shën Ambrozi në Optinë, e mori mënjanë nga vizitorët e tjerë dhe biseduan të dy përreth 2 orë. Vendosi të bëhet murg atje. U udhëhoq nga atë Anatoli për më shumë se 20 vjet, por gjithashtu shkonte shpesh të këshillohej edhe me atë Ambrozin.

Përparoi shumë në mësimet e etërve. Kishte interes të gjallë për tema letrare, artistike dhe shkencore.
U hirotonis prift më 1898. Dëshironte të punonte në mision larg, por nuk pati bekimin nga ati i tij shpirtëror, prandaj qëndroi në skit ku iu dha meditimit dhe lutjes.

Një tjetër etapë filloi në jetën e tij. U përpoq të ndiqte rrugën e marrëzisë për Krishtin, por etërit ia ndaluan sjelljet e tij ‘të marra’. Në fund të jetës jetoi i mbyllur.

Ai thoshte se dy janë arsyet për murgun kur braktis qelinë e tij: kur shkon në kishë dhe kur sëmuret. Shumë vizitorë vinin për ta takuar. Intelektualëve iu thoshte këto fjalë: “Mos mendoni, sepse mendimet fluturojnë gjithandej; filloni të meditoni përbrenda jush”.

Ai thoshte gjithashtu se më kot mburren artistët si krijues kur ata nuk bëjnë diçka tjetër veçse e rindërtojnë ndryshe botën, imazhet dhe gjërat që Perëndia ka bërë nëpërmjet frymës që Ai iu dha atyre, ndonëse nuk ka art më të lartë se ndryshimi i vetes.

Më 1913 etërit e Optinës u mblodhën për të zgjedhur një jerond të ri. Arkimandriti Agapiti i cili ishte tërhequr me disa nga nxënësit e tij në një vend me jetë më të mbyllur, refuzoi propozimin që i bënë, ndaj caktoi si jerond Nektarin, i cili pranoi nga bindja.

U vendos në qelinë e atë Ambrozit në hyrje të skitit dhe i ndihmuar nga bashkëpunëtori i tij atë Anatoli (Potapov) filloi detyrën e tij si udhëheqës shpirtëror.

Më 1923 manastiri i Optinës u mbyll dhe u shkatërrua nga ‘aktivistët’ më 1926. Starec Nektari u largua në fshatin Kholmiska në rajonin e Brianskit ku dhe fjeti në paqe në një moshë të madhe, më 29 maj të vitit 1928. Pas shtatë vjetësh trupi i tij u gjet i paprishur.

Διαδώστε: