E premte, 13 shtator 2019 – Shenjtori i ditës
Kujtimi i Shenjtërimit të Kishës (Bazilikës) Ngjallja në Jerusalem. Oshënar Kornili kryeqindësh. Dëshmor Aristidhi.
– Kujtimi i Shenjtërimit të Kishës (Bazilikës) Ngjallja në Jerusalem. –
Si falënderim për mbylljen shumë të suksesshme të Sinodit të Nikeas, shën Konstandini i Madh dëshironte të shikonte ndërtimin e një Kishe në Golgotha, ku u krye Shpërblimi i botës. Makari, episkopi i Jerusalemit, i tregoi atij vendin që kujtohej në traditën e krishterë, i cili ishte mbuluar nga një argjinaturë kur Adriani e zgjeroi qytetin (135 pas Krishtit). Ata gërmuan atje dhe gjetën Varrin e Shenjtë dhe veglat e Pësimit, dhe aty sipër ngritën një ndërtesë madhështore.
Përurimi i Kishës u bë më 13 shtator 335, që kjo e kremte të zëvendësonte festën pagane të Jupiterit të Kapitolit. Bukuria e Bazilikës së ndërtuar në vendin më të adhuruar, u kthye në simbolin e fitores së krishterimit dhe ishte një model për çdo kishë të krishterë. Etërit e Shenjtë e kanë zgjedhur të kremten e kësaj dite për t’u ngazëlluar shpirtërisht me psalme, himne dhe këngë shpirtërore, për Ngjalljen e krijesës së dukshme të kryer nga Krishti, në të Cilin të gjitha gjërat u bënë të reja dhe janë përuruar rishtazi.
* * * * *
– Oshënar Kornili kryeqindësh –
Shën Kornili jetoi në kohën e apostujve. Ai nuk ishte as jude dhe as ndonjë nga ata që kishin pranuar ligjin e vjetër, por një pagan i parrethprerë dhe një centurion i Kohortës Italike. Megjithatë ai ishte një njeri i devotshëm dhe që kishte frikë Perëndinë.
Një ditë, apostulli Petro ishte duke u lutur në tarracën e një shtëpie në Jopë, ku ai banonte dhe pati një vizion, kuptimin e të cilit nuk arrinte dot ta merrte vesh. Por kur mbërritën njerëz të dërguar nga Kornili, të cilit i kishte thënë një engjëll në një vizion që t’i thoshte Petros, apostulli e kuptoi “se Perëndia s’mban anë njeriu; po në çdo komb ai që ka frikë prej tij dhe punon drejtësi, është i mirëpritur tek ai. ” (Vep. 10.34-35). Ndërsa Petroja, predikonte Krishtin që u ngjall së vdekurish, Shpirti i Shenjtë erdhi sipër Kornilit dhe shtëpisë së tij, duke nënkuptuar me këtë thirrjen e paganëve. Petroja, duke iu bindur Shpirtit të Shenjtë, nuk u refuzoi atyre pagëzimin, duke habitur ata që e kishin prejardhjen nga Judaizmi.
Që nga ajo kohë Kornili mbajti lidhje të forta me apostujt. Kur ata u larguan nga Jerusalemi pas fjetjes së shën Stefanit dhe kur u shpërndanë në mbarë botën, ai shkoi në Feniki të Qipros, në Antioki e madje deri në Efes. Ai u zgjodh me short të predikonte Lajmin e Mirë te njerëzit e Skepsis, qytet në krahinën e Troas, që drejtohej nga Dhimitri, një filozof i cili e përbuzte besimin e krishterë.
Dhimitri u përpoq ta detyronte Kornilin t’u sakrifikonte idhujve, por ky i fundit nuk u frikësua prej kërcënimeve dhe e pohonte Krishtin me trimëri. Disa kohë më vonë, duke u shtirur se donte t’u sakrifikonte idhujve, e çuan në një tempull pagan. Sapo vuri këmbën aty dhe u lut, një tërmet i fortë bëri që e tërë ndërtesa të shembej e të zinte nën vete gruan e Dhimitrit, Evanthinë, bashkë me djalin e tyre Dhimitrianin. Kur Dhimitri mësoi për këtë ndodhi dhe për më tepër kur i thanë se gruaja e tij bashkë me djalin ishin ende gjallë nën rrënoja dhe po thërrisnin në ndihmë Perëndinë e vërtetë të Cilit i shërbente Kornili, ai rendi në burg ku mbahej Kornili, i kërkoi falje dhe i premtoi se do të besonte në Krishtin po t’i shpëtonte gruan dhe djalin. Kornili i shpëtoi ata me anë të lutjes dhe ata u pagëzuan bashkë me Dhimitrin dhe tërë shtëpinë e tij, të ndjekur edhe nga banorët e tjerë të qytetit. Shën Kornili kaloi pjesën tjetër të jetës së tij në paqe. Fjeti në Zotin në një moshë të madhe po në paqe.
Pranë varrit të tij mbiu një pemë që shëronte çdo sëmundje. Kur lipsanet i zhvendosën në kishën e ndërtuar për nder të tij, arka e lipsaneve lëvizi sipas dëshirës së shenjtit në një vend pranë altarit.
H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.
Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.