01/09/2019 01/09/2019 «Edhe Jisui erdhi në Nazaret, atje ku ishte rritur» (v.16) Kuptimi i së kremtes Sot më 1shtator, Kisha kremton fillimin e indiktit, domethënë, fillimin e vitit të ri kishtar. Gjatë kohës së Bizantit, u caktua shtatori si muaji i parë i vitit. Këtë radhë mban edhe sot Kisha Orthodhokse e Lindjes, në mujorin kishtar. Një shtatori...
01 Σεπτεμβρίου, 2019 - 16:54
Τελευταία ενημέρωση: 01/09/2019 - 16:55

FILLIMI I INDIKTIT 1 SHTATOR (Luka. 4:16-22)

Διαδώστε:
FILLIMI I INDIKTIT 1 SHTATOR (Luka. 4:16-22)

«Edhe Jisui erdhi në Nazaret, atje ku ishte rritur» (v.16)

Kuptimi i së kremtes

Sot më 1shtator, Kisha kremton fillimin e indiktit, domethënë, fillimin e vitit të ri kishtar. Gjatë kohës së Bizantit, u caktua shtatori si muaji i parë i vitit. Këtë radhë mban edhe sot Kisha Orthodhokse e Lindjes, në mujorin kishtar. Një shtatori është si fillim, një periudhë e re në ciklin e katër stinëve të vitit. Frytet e tokës, me bekimin e Perëndisë, pas mundimit të njerëzve, u grumbulluan në magazina dhe filloi mbjellja për vitin e ri. Temperatura e lartë e verës bie dhe vesa e vjeshtës e freskon natyrën. Për Kishën fillimi i indiktit do të thotë një ndryshim shpirtëror, një periudhë e re kishtare.

* * *

Teksti i Ungjillit

Kisha jonë kremton fillimin e shtatorit edhe për arsyen tjetër të mëposhtme. Përgjatë kësaj dite, Zoti ynë Jisu Krisht, shkoi në sinagogën e judenjve. Atje i dhanë librin e profetit Isaia, dhe Ai, sapo e hapi, gjeti atë pjesë ku ishte shkruar: «Shpirti i Zotit qëndron dhe prehet mbi mua, Mesian, që të bashkëpunojë në punën time shpëtimtare. Dhe mbetet kjo Frymë tek unë, sepse Zoti më leu, si njeri, dhe më dërgoi për të predikuar ungjillin e shpëtimit, tek ata që privohen nga hiri i Perëndisë dhe janë të varfër shpirtërisht dhe në një gjendje të mjerë. Më dërgoi, akoma, të shëroj ata, zemra e të cilëve është e dërrmuar nga barra e mëkatit; më dërgoi të shpall ndjesë dhe liri tek skllevërit dhe robërit e mëkatit, dhe të dhuroj shikim tek ata që e kanë mendjen të verbër nga errësira e pasioneve; më dërgoi t’i zgjidh dhe t’i bëj të lirë nga çdo faj, ata që janë të plagosur dhe të shtypur nga mëkati.
Më dërgoi të shpall e të lajmëroj fillimin e periudhës së re, që është e pëlqyer nga Perëndia dhe e dëshiruar nga njerëzit, sepse kështu realizohet, nga unë Mesia, vullneti i Perëndisë për shpëtimin e njerëzve.» Isaia 61: 1-2.

* * *

Qëllimi i pranisë së Zotit Krisht

Sapo Zoti mbaroi leximin e tekstit nga libri i profetit Isaia, që i referohej vetes së Tij, e mbështolli përsëri dhe pasi ia dorëzoi shërbyesit të sinagogës, tha: «Sot u realizua dhe u vërtetua kjo profeci në veshët tuaj». Dhe judenjtë e shumtë, që ishin mbledhur në sinagogë, u mrekulluan nga shpjegimi i profecisë dhe nga fjalët e hirit që dilnin nga goja e Zotit; dhe thoshin të shtangur: «A nuk është ky biri i Josifit?»

Ungjilli i hirshëm e paraqet Zotin, duke u kthyer në atdheun e tij Nazaret, pas vendosjes së tij në Kapernaum, për një zhvillim më të mirë të punës së tij publike. Erdhi në Nazaret, në të cilin, sigurisht, nuk kishte lindur, por në të ishte ushqyer dhe rritur, dhe atje kishte jetuar derisa mori përsipër punën e tij për shpëtimin e njerëzve. Prandaj edhe quhej Nazareti atdheu i Tij dhe Ai nazaretas. Pasi kishte predikuar në qytete të tjera, pasi kishte bërë çudira në to dhe kishte shpërndarë dhuratat e dashurisë së tij hyjnore, erdhi edhe në Nazaret, që të tregojë nderimin, të ofrojë bekimin dhe dashurinë në qytetin që e ushqeu dhe e rriti, për të shlyer borxhin ndaj tij. “Erdhi të na mësojë edhe ne, të japim së pari mësimdhënien tek bamirësit, e më pas të tregojmë njeridashje edhe tek të tjerët” -thotë Theofilakti i hirshëm.

* * *

Shfrytëzimi i së kremtes

Me rastin e periudhës së re natyrore dhe shpirtërore, po shënojmë disa mendime të përshtatshme. Së pari, periudha e re na ofron rastin për një llogaridhënie. Si e kaluam verën?

Me rrezet përvëluese të diellit, mos ndoshta pa u kujdesur shkaktuam djegie shpirtërore? Na jepet rasti, me fillimin e vjeshtës dhe punës që siguron mjetet e jetesës, të rinovojmë veten tonë të brendshme. Të afrohemi tek vendkurimi shpirtëror, që quhet rrëfim hyjnor, dhe të kërkojmë shërimin dhe ndihmën nga ati shpirtëror me përvojë.

Për rrëfimin hyjnor nuk duhet të presim vigjiljet e festave të mëdha, por të afrohemi në periudha kur ati shpirtëror nuk është i ngarkuar me shumë detyra baritore dhe nuk shtrëngohet nga shumica e atyre që afrohen. Rrëfimi duhet të kryhet me kohë të mjaftueshme që të tregohet për të krishterin një mjet i rëndësishëm shpirtëror dhe psikologjik.

Bujku, në vjeshtë, grumbullon frytet e tokës që fitoi me mundimin e tij. Dhe besimtari i krishterë, le të kontrollojë veten nëse vjeshta e gjeti më të pasuruar në thesare shpirtërore. Nëse shpirti i tij u pasurua me më tepër shprestari, me vepra dashurie, drejtësie, mirëdashjeje. Gjithashtu me parmendën e besimit le të kultivojë shpirtin e tij për një begati shpirtërore.

Ashtu si flladi i vjeshtës freskon natyrën, kështu edhe vesa e frymës së krishterë le të freskojë shpirtrat tanë me ndjenja të mira. Vetëm fryma e Perëndisë na drejton në vepra të mira dhe të famshme, të cilat përbëjnë vërtetimin e besës sonë. Le t’i afrohemi më tepër Perëndisë me studimin e Ligjit të Tij dhe lutje. Ligji i Perëndisë përmbahet në Shkrimin e Shenjtë, i cili është kandili që na ndriçon në rrugën e drejtë të jetës.

Përtej lutjes personale, me dëshirë të mirë, të marrim pjesë edhe në adhurimin e përbashkët. Adhurimi ynë hyjnor u konsiderua si një shtyllë kurrizore e jetës sonë shpirtërore dhe na ndihmon në lartësimin e shpirtit tonë. Dhe qëllimi i afrimit tonë në adhurimin hyjnor është pjesëmarrja jonë në mbledhjen falënderuese të kungatës hyjnore, ku shpirti ynë mbushet me ndjenja të larta. Kjo është dobia e kishërimit tonë.

* * *

Zoti, shembulli ynë

Zoti, sapo erdhi në Nazaret, sipas zakonit që kishte që nga vogëlia, shkoi në sinagogë, sepse ishte ditë e shtunë, dita e adhurimit dhe fjalës së Perëndisë; një detyrë shumë e lartë dhe shumë e hirshme për çdo besimtar shpresëtar dhe jude me frikë Perëndie, siç është e diela për çdo besimtar orthodhoks. Zoti, i pari, është i ndërgjegjshëm për këtë detyrë, dhe nëse këtë, me shumë përpikëri, e zbatonte kur ishte i vogël, shumë më tepër e zbaton tani kur është në moshë të pjekur, por edhe që u shpall si Mesia, në pagëzimin e tij në Jordan, nga Ati i tij qiellor, dhe populli e njohu si profetin dhe shpëtimtarin e pritur. Vjen pra në sinagogë dhe, si mësues i njohur i Izraelit, ngrihet nga vendi i tij që të lexojë tekstin e Perëndisë e t’ua shpjegojë judenjve kuptimin e thellë dhe dëshirën e Zotit.

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!

Fillimi i indiktit. Periudhë e re kishtare. Le të rinovojmë botën e ndjenjave tona dhe le të kujdesemi për zbatimin e virtyteve, që zbukurojnë jetën dhe na tregojnë të lumtur. Le të vendoset brenda nesh Mbretëria e Perëndisë. U bëftë.

Me Urime të Përzemërta dhe Bekime të Shumta:

Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës

 IGNATI

Berat me 01.09.2019

 


H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων