Parqet arkeologjike, muzetë dhe kalatë në vendin tonë me nisjen e sezonit turistik janë të hapur për vizitorë çdo ditë të javës duke nisur nga data 1 maj – 15 tetor.
Me nisjen e sezonit turistik sot turistë të shumtë kanë shijuar itenerarin turistik në kishat e Voskopojës përmes kultit dhe bukurive natyrore që ky vend ofron.
Vizitorët e shumtë sidomos të huaj mahniten nga arkitektura dhe historia që mbartin këto kisha të cilat tashmë janë bërë destinacione të preferuara dhe pjesë e guidave të tyre turistike.
Voskopoja mbetet një nga qendrat më të rëndësishme kulturore, artistike e historike të Ballkanit, një perlë e kulturës ballkanike dhe europiane.
E veçanta e Voskopojës, janë objektet e kultit, kishat, të cilat i kanë shpëtuar deri diku rrënimit dhe këto janë: ”Shën Nikolla”, ”Shën Maria”, ”Shën Ilia”, manastiri i ”Shën Prodhromit”, ”Shën Thanasi”, ”Shën Mehilli”, të cilat janë monument kulture të kategorisë I dhe për të cilat në vazhdimësi është treguar kujdes për t’i restauruar dhe për t’i ruajtur vlerat arkitekturore të këtyre monumenteve.
Voskopoja gjithashtu ruan dhe potencialin e saj turistik. Fshati, i cili ka të ndërthurur vlerat historike, kulturore dhe bukuritë natyrore, po tërheq përherë e më shumë vizitorë vendas dhe të huaj. Përveç të huajve, fshatit nuk i mungojnë as pushuesit nga kryeqyteti apo qyteteve të tjera të Shqipërisë, gjithashtu të pandarë janë qytetarët e Korçës.
— ATSH