Më datë 30 mars 2019 në qytetin e Gjirokastrës, Fondacioni Arsimor “Frymë Dashurie” zhvilloi Simpoziumi Arsimor me temë: “Shkolla dhe Familja; Marrëdhëniet Ndërpersonale”. Ky aktivitet u realizua nën kujdesin Mitropolitit të Gjirokastrës, z. Dhimitër, zv/Presidenti i Fondacionit.
Fondacioni Arsimor “Frymë Dashurie” është krijuar nga Kisha Orthodhokse e Shqipërisë me përkujdesjen e Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Prof. Dr. Anastas Janullatos si një institucion me vizionin për të rritur nivelin arsimor të të rinjve.
Pjesëmarrësit në këtë simpozium ishin mësues të rrjetit të shkollave të çelura nga Fondacioni “Frymë Dashurie” dhe prindër të nxënësve të këtyre shkollave.
Simpoziumi u nderua nga tre të ftuar të veçantë, dy prej të cilëve personalitete të njohur të botës akademike në Greqi dhe me gjerë.
Referati i parë me temë “Perceptimet pedagogjike dhe sociale të Shën Kozmait të Etolise u mbajt nga Profesori dhe ish-Dekani i Fakultetit të Theologjike të Universitetit Aristotel në Selanik, z. Michalis Tritos.
Referati i dytë me temë “Familja si Kisha e shtëpisë, vend i trajtimit shpirtëror të pasioneve dhe kultura përballe arsimit” u mbajt nga Teologia, motër Paisia.
Profesori Emeritus në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit Aristotel të Selanikut dhe ish-Drejtor i Përgjithshëm i Klinikës Neurologjike AHEPA – Selanik, z. Stavros Balojanis mbajti referatin me temë “Familja në periudhën e krizës së vlerave”.
Të tre referatet u ndoqën me një vëmendje të jashtëzakonshme nga te gjithë te pranishmit.
Kolegji Universitar “Logos” bëri një prezantim të programeve të studimit të tij si dhe të të dhënave mjaft interesante që lidhen me vizionin dhe qëllimin e këtij institucioni, si një realitet dhe mundësi për të gjithë të rijnë për të përfituar një mundësi të shkëlqyer arsimimi dhe rrugëtim drejt profesionit të tyre.
Të punojmë të gjithë bashkë në frymë dashurie!