Fuqia e Perëndisë
Napoleoni dëshironte që të fshinte dy fjalë nga fjalori: “Nuk mundem” dhe “e pamundur”. Këto janë pikërisht ato fjalë që Zoti ynë erdhi që t’i largonte nga fjalori ynë. Atë që nuk mund ta bënte Napoleoni e bëri Zoti.
Kur dy njerëz të verbër shkuan te Zoti për tu shëruar, Jisui i pyeti ata: “A besoni se Unë mund ta bëj këtë gjë”? Ata i thanë: “Po o Zot”. Atëherë Ai preku sytë e tyre, duke thënë: “U bëftë sipas besimit tuaj”.
Kriteri bazë për heqjen e këtyre dy fjalëve “Nuk mundem” dhe “E pamundur” për mënyrën tonë të të jetuarit si të Krishterë së pari është premtimi i Perëndisë dhe së dyti fuqia e Perëndisë.
Le të shohim fillimisht premtimet e Perëndisë në Shkrimin e Shenjtë:
“A ka vallë diçka që është shumë e vështirë për Zotin” (Zanafilla 18:14).
“A mos është e kufizuar vallë fuqia e Perëndisë” (Numrat 11:23).
“Ja dora e Zotit, vallë mos është e shkurtër që s’mund t’ju shpëtojë” (Isaia 59:1).
“Forcohuni në Zotin dhe në forcën e fuqisë së Tij, vishni gjithë armatimin e Perëndisë që të mund të qëndroni kundër kurtheve të djallit” (Efesianët 6:10-11).
“Ah Zot, Zot. Ja Ti e sajove qiellin dhe tokën me fuqinë tënde të madhe dhe me krahun tënd të shtrirë. Nuk ka asgjë të vështirë për Ty. Ti e tregon mirësinë tënde ndaj një mijë vetave dhe e shpaguan paudhësinë e etërve në gji të bijve të tyre që vijnë pas atyre, o Perëndi i madh dhe i fuqishëm, emri i të cilit është Zoti i Ushtrive” (Jeremia 32: 17-18).
“Disa kanë besim te qerret dhe të tjerë te kuajt, por ne do të kujtojnë emrin e Zotit, Perëndisë tonë. Ata u përkulën dhe ranë, por ne u ngritëm përsëri dhe mbahemi në këmbë” (Psalmi 20:7-8).
“Në fakt unë nuk kam turp për Ungjillin e Krishtin, sepse Ai është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e cilitdo që beson” (Romakëve 1:16).
“Sepse fuqia e Perëndisë nuk qëndron në fjalë por në fuqi” (1Kor.4:20).
“Sepse Ai është plotësisht në gjendje të shpëtojë ata që me anë të tij i afrohen Perëndisë” (Hebrenjve 7:25).
“Tani atij që, sipas fuqisë që vepron në ne, mund të bëjë jashtë mase më tepër nga sa kërkojmë ose mendojmë” (Efesianëve 3:20).
“Të gjitha gjërat janë të mundura për atë që beson” (Marku 9:23).
“Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më forcon” (Filipianëve 4:13).
Të gjitha këto premtime bazohen në fuqinë e Perëndisë të udhëhequra nga dashuria e Tij.
Ne u krijuam të jetojmë me fuqinë që Perëndia na jep ashtu si një pajisje elektrike kryen funksionin e saj vetëm nëse priza e saj vendoset në linjën elektrike. Në qoftë se elektriciteti nuk përcillet tek ajo, pajisja nuk ka asnjë vlerë. E njëjta gjë është edhe me ne. Ne realisht jetojmë ku marrim fuqinë e Tij. Plotësia e jetës bëhet realitet për ne kur kemi fuqinë e Tij brenda nesh. Zoti erdhi në këtë botë që ne të kemi fuqi dhe jetë dhe ta kemi atë me tepri. Fjala që i karakterizon njerëzit e sotshëm është fjala dëshpërim. Po përse dëshpërim? Për shkak se shumë njerëz nuk kanë fuqi për tu përballur me atë çfarë u sjell jeta. Problemi ynë real është se shumica prej nesh nuk kanë fuqinë për të bërë atë që ne dimë se është e drejtë, dhe fuqinë për tu shmangur nga ajo që ne e dimë se është e gabuar.
Me fjalë të tjera, kriza reale në botë është brenda nesh. Shumë prej nesh e kanë shkëputur veten nga burimi i fuqisë. Ne lexojmë tek Libri i Veprave të Apostujve: “Por do të merrni fuqi kur Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ju” (1:8). Zoti i foli këto fjalë te dishepujt e Tij të frikësuar dhe të dekurajuar. Ata kërkuan fuqi dhe ajo zbriti si gjëmim dhe i transformoi ata. Ata u tejmbushën me energji. Që nga ajo ditë ata shkuan deri në fundin e botës duke predikuar, mësuar dhe duke e bërë shembull Jisuin në jetët e tyre. Ata nisën revolucionin më të madh shpirtëror në histori. Ata u bënë njerëz të fuqishëm me anë të Shpirtit të Shenjtë.
“Fuqia e më të Lartit do të mbulojë me hijen e vet” i premtoi Engjëlli të Tërëshenjtës në ditën e Ungjillizimit. “Fuqia e më të Lartit” – kjo është ajo që na nevojitet; dhe kjo është ajo çfarë na ofron Zoti. “Ju do të merrni fuqi kur Fryma e Shenjtë do të zbresë mbi ju”. Kur ne e kemi këtë fuqi ne e dimë se fuqia mbas nesh do të jetë më e madhe se sa detyra që kemi përpara. Shën Pavli përdor termin “i mjaftueshëm”për të përshkruar hirin e Perëndisë: “Hiri im të mjafton, sepse fuqia Ime përsoset në dobësi” (II Kor. 12:9). Me të vërtetë fuqia e Perëndisë është e mjaftueshme. Në fakt dobësia jonë i jep Perëndisë një mundësi për të treguar se sa i fuqishëm Ai është dhe se sa e mjaftueshme është kjo fuqi. Kur nuk kemi gjë tjetër përveç Perëndisë, për herë të parë bëhemi të vetëdijshëm që Perëndia është i mjaftueshëm. Siç na thotë edhe Shën Pavli: “Dhe Perëndia mund të bëjë që gjithë hiri të teprojë ndaj jush, që të keni gjithnjë mjaft në çdo gjë dhe t’ju teprojë për çfarëdo vepër të mirë” (II Kor. 9:8).
Profeti Isaia na jep një shembull madhështor të fuqisë së Perëndisë kur ai shkruan:
“Nuk e di ti, vallë nuk e ke dëgjuar? Perëndia i përjetësisë, Zoti krijuesi i kufijve të tokës, nuk mundohet dhe nuk lodhet, zgjuarsia e Tij është e panjohshme. Ai i jep forcë të lodhurit dhe rrit fuqinë e të këputurit. Të rinjtë mundohen dhe lodhen, të rinjtë e zgjedhur me siguri pengohen dhe rrëzohen; por ata që shpresojnë te Zoti fitojnë forca të reja, ngrihen me krahë si shqiponja, vrapojnë pa u lodhur dhe ecin pa u lodhur”.
Novelisti i njohur Rus Boris Pasternak na rrëfen për torturat që ai vuajti gjatë periudhës Sovjetike për shkak të shprehjes së besimit të tij Orthodhoks në shkrimet e tij. Jeta ishte bërë një ferr për të. Ai tregon se ku e gjeti fuqinë që i duroi të gjitha vuajtjet e tmerrshme që përjetoi: “Vetëm, kurrë nuk mund tu bëja ballë gjithë atyre torturave por ishte Vet Zoti Jisu Krisht Krisht që më fuqizonte”.
Ne kurrë nuk mund të kemi fuqi në qoftë se nuk lidhemi me burimin e fuqisë. Prandaj të gjithë ne duhet që të bëjmë lidhjen me Krishtin nëpërmjet besimit dhe pjesëmarrjes në jetën sakramentale të Kishës që të mund të çlirohet fuqia e Perëndisë në jetët tona.
H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.
Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.