Zoti u tha nxënësve të Tij në mbledhjen e Darkës Mistike: “Do t’ju shoh përsëri e atëherë do të gëzoheni dhe gëzimin tuaj askush nuk do të mund t’jua marrë”. Fjalë e shkurtër kjo, por megjithatë ka brenda saj një ngushëllim të madh. Le të shohim pra se ç’kuptim kanë fjalët: “Gëzimin tuaj askush nuk do të mund t’jua marrë”. Ja se ç’kuptim kanë. Në qoftë se ke pasuri dhe gëzohesh, këtë gëzim mund të ta marrin shumë njerëz e në shumë raste kusari, ose shërbëtori yt, të cilit i ke ngarkuar ruajtjen e parave të tua. Kur je në fuqi, përsëri shumë janë ata që mund të ta rrëmbejnë gëzimin që të jep ndoshta fuqia. Së pari, vendi që ke të sjell shpeshherë shumë çështje të vështira dhe kokëçarje, të cilat ta pakësojnë, në mos ta heqin fare, gëzimin; fuqia nuk është diçka që nuk ka mbarim, përkundrazi, si çdo gjë e kësaj bote, është e shkurtër; me të marrë pra, tatëpjetën rrëshqet edhe fuqia derisa të zhduket fare. Mund të më thuash se gëzimin ta jep shëndeti i mirë dhe fuqia trupore që ke. Aspak. Një sëmundje e shkurtër, ta rrëzon shëndetin bashkë me këtë edhe gëzimin. As mos më thuaj se ke një bukuri trupore të rrallë dhe se për këtë me të drejtë gëzohesh, gabim i madh. Sepse të pllakos pleqëria, e zhduk bukurinë tënde dhe kështu ta merr gëzimin. E kjo ngjet, vëlla i dashur, sepse tërë gjërat e kësaj bote janë të përkohshme dhe ndryshohen shpejt e për këtë arsye nuk mund të na japin një gëzim të përhershëm e të vërtetë. Po krejt e kundërta ngjet me shpresëtarinë e me virtytin. Jep p.sh. lëmoshë dhe shpëton një familje të tërë nga uria dhe nga rreziku. S’ka dyshim se ndien për këtë një gëzim të patreguar; po më e madhja është se këtë gëzim e ke gjersa të vdesësh; se asnjë fuqi në botë nuk është e zonja të ta zhdukë e të ta marrë. Sikur të vërsulet një ushtri e tërë, sikur tërë armiqtë të bashkohen, nuk do të mundin të ta pakësojnë këtë gëzim. Gëzimi që fitove mbetet përherë; se është regjistruar atje sipër në qiell. “U dha të vobektëve”, – thotë Shkrimi i Shenjtë, – “dhe drejtësia e Tij mbetet në jetë të jetëve”. Dhe me shumë të drejtë. Se është mbyllur dhe ruhet në arkat e qiellit, ku as kusari s’mund ta rrëmbejë, as vjedhësi s’mund ta grabisë, as mola ta hajë. Ose lutesh dendur te Zoti dhe falesh ditë e natë, si në kohë mjerimesh, ashtu edhe në kohë gëzimesh. Edhe pema e këtyre lutjeve mbetet përjetë dhe askush nuk mund të ta marrë, sepse ka zënë rrënjë atje lart e sigurt dhe e lirë nga çdo shpifje apo mësymje. Nëse më së fundi të lëndojnë dhe ti u bën të mirë, flasin keq për ty të tjerët dhe ti u sillesh me dashuri si një i krishterë i vërtetë, nëse të shajnë dhe ti u përgjigjesh me bekime e me mirësi, gëzimi që ndien nga këto sjellje është i përhershëm, se asnjë njeri nuk mund ta rrëmbejë me asnjë mënyrë. Pse? Sepse këto janë veprime shpirtërore që nuk vdesin kurrë, e pra edhe gëzimi që rrjedh nga këto mbetet përjetë.