1. Hiri Hyjnor – Çfarë është Hiri Hyjnor?
Për aq sa kemi thënë deri tani është e qartë se çfarë është Hiri Hyjnor. Por për ta analizuar më gjerësisht kuptimin e Hirit Hyjnor, ne themi se Hiri Hyjnor është dëshira e mirë, mirëdashja, dashuria, ndihma dhe dhurata që Perëndia shfaq dhe ia ofron njeriut ndonëse ai nuk është i denjë ta marrë atë. Mirësia dhe dhembshuria e Perëndisë për njeriun është kaq e madhe saqë Perëndia ofron hirin e Tij dhe Ai e ofron atë me bollëk. Ai ia ofron atë njeriut me qëllim që ai (njeriu) të mund të njoh Krishtin Shpëtimtar, dhe ta përvetësojë për vete veprën shpëtimtare të Krishtit, dhe gjithashtu, me qëllim që ky hir të mund të jetë për atë një forcë e fuqishme në veprën e ringjalljes së tij shpirtërore dhe të jetës së shenjtërisë më Krishtin. Dhe ky hir na dhurohet falas. Ai nuk është një shpërblim për veprat dhe punërat dhe sakrificat nga ana njerëzore, ai nuk është madje as si një ofrim në përgjigje të kërkesës së njeriut. Ai është një dhuratë që rrjedh nga sakrifica e Zotit tonë Jisu Krisht në Kryq. Ashtu siç pohon edhe Apostull Pavli: “Dhe po të jetë prej hirit, nuk është më prej veprash, përndryshe hiri nuk do të ishte më hir, përndryshe vepra nuk do të ishte më vepër” (Romakëve 11:6). Dhe në këtë kuptim gjendet Hiri në Dhiatën e Re, si një dhuratë ndaj njeriut të padenjë. “Mirëpo hiri nuk është si shkelja; nëse në fakt për shkak të shkeljes së një njeriu të vetëm vdiqën shumë, shumë më tepër hiri i Perëndisë dhe dhurata me anë të hirit e një njeriu, Jisu Krishtit, i teproi për shumë të tjerë” (Romakëve 5:15) na thotë Shën Pavli. Që do të thotë se, ky Hir i Krishtit u dha si dhuratë Perëndie dhe u dha me tepri – në fakt më shumë sesa nevojitej. Dhe përsëri, ai është quajtur “hiri i Zotit Jisu Krisht”, “hiri i dhënë në Jisu Krishtin. Që do të thotë, Hir dhe dhuratë që u ofrua nga Krishti i kryqëzuar dhe i ngjallur për shpëtimin e racës njerëzore. Ky hir ka si burimin e tij mirëdashjen e Perëndisë At, dhe vërshon nga sakrifica e Birit të Vetëmlindur të Perëndisë At në Kryq, por u dhurohet dhe u jepet njerëzve nga Shpirti i Shenjtë. Me fjalë të tjera ripërtëritja që Hiri Hyjnor sjell te njerëzit dhe frytet shpirtërore të jetës sipas Krishtit, dhurohen nga Personi i Tretë i Hyjnisë, nga Shpirti i Shenjtë.
2. Domosdoshmëria e Hirit Hyjnor
Sa i domosdoshëm është Hiri Hyjnor për restaurimin dhe shpëtimin e mëkatarit?
Në fakt është jashtëzakonisht i domosdoshëm; i domosdoshëm për njeriun mëkatar si për të nisur ashtu dhe për të përfunduar; për ta nisur me rilindjen dhe për ta përfunduar me shpëtimin. Hiri Hyjnor nuk duhet të mungojë madje edhe për asnjë çast të vetëm nga njeriu i rilindur, përndryshe ai nuk mund të qëndrojë. Ai nuk mund të qëndrojë as edhe një çast si një i Krishterë i rilindur pa Hirin Hyjnor. Ai duhet gjithnjë të jetojë, veprojë dhe të bëjë më të mirën, vepra që i pëlqejnë Perëndisë brenda pranisë dhe me ndihmën e Hirit të Perëndisë. Me mendimet dhe me mendjen dhe zemrën e tij, ai nuk ta zbulojë Perëndinë, nuk mund të lutet dhe as të komunikojë me Atë. Me fuqinë e vet, ai nuk mund ta largojë veten nga degradimi moral dhe të qëndrojë i pastër dhe me ndershmëri, me guxim para Perëndisë. Perëndia e drejton atë në pendim dhe besim. Perëndia e rigjeneron dhe e shenjtëron atë, që do të thotë, Ai e pastron atë nga çdo mendim, dëshirë dhe ngacmim i keq dhe i mëkatshëm. Perëndia e mbush shpirtin dhe jetën e tij me gjithçka të ndershme, me gjithçka të pastër dhe të shenjtë, dhe Perëndia e bën këtë nëpërmjet hirit të Tij. Prandaj është kaq i domosdoshëm Hiri Hyjnor për njeriun pasionant dhe të mëkatshëm: i domosdoshëm gjithashtu për çlirimin e tij dhe pastrimin nga Mëkati Stërgjyshor. I dobishëm gjithashtu për ta bërë, për ta rritur dhe përsosur për të qenë një i Krishterë i vërtetë. I dobishëm për kultivimin dhe zhvillimin, për lulëzimin dhe përmbushjen shpirtërore të një një jete të re më Krishtin. Fjalët e Zotit, “Askush nuk mund të vijë tek Unë, po qe se Ati që më ka dërguar nuk e tërheq” (Joani 6:44) dhe “se kush nuk ka lindur nga uji dhe nga Fryma, nuk mund të hyjë në Mbretërinë e Perëndisë” (Joani 3:5), theksojnë domosdoshmërinë absolute të Hirit Hyjnor si në fillim, ashtu dhe për kultivimin dhe zhvillimin e besimit, dhe për ripërtëritjen e njeriut. Por gjithashtu kur Apostulli Shën Pavli thotë se “Perëndia është Ai që vepron në ju vullnetin dhe veprimtarinë, sipas pëlqimit të Tij” (Filipianëve 2:13), çfarë tjetër nënkupton ai përveç kësaj? Kështu që kur njeriu jeton dhe zhvillohet brenda Mbretërisë së Hirit Hyjnor, vetëm atëherë ai bën një nisje të bekuar dhe një fund të bekuar drejt shpëtimit të tij. Perëndia, nëpërmjet Hirit të Tij Hyjnor, na dhuron edhe vullnetin në fillim për të dëshiruar të shpëtohemi edhe të kërkojmë shpëtimin tonë. Prandaj Perëndia na jep energji praktike për të jetuar sipas Perëndisë dhe të jemi të pëlqyer në sytë e Tij. Domethënë, të arrijmë shpëtimin që na u dhurua nga Biri i Vetëmlindur i Perëndisë me anë të sakrificës në Kryq.