1. Jisu Krishti, Shpëtimtari i njeriut të rënë:
Njeriu i parë nëpërmjet shkeljes së urdhëresës së Perëndisë ra në mëkat dhe u ndëshkua nga Perëndia për apostazinë e tij. Ai e përzuri atë nga Parajsa dhe e dënoi me vdekje. Por shkelja e Adamit nuk ishte e pariparueshme. Duke qenë se Adami nuk e konceptoi dhe e zbuloi të keqen nga vetja, por u tundua nga jashtë nga Djalli dhe në këtë mënyrë ra në mëkat, rënia e tij nuk ishte plotësisht e pakorrigjueshme – njësoj si Djalli që e nxiti atë të bënte të keqen – por mund të kurohej dhe të shërohej. Njeriu i cili u largua nga hiri i Perëndisë mbeti i hapur për tu penduar. Ai mund të pendohej dhe të korrigjonte rënien e tij dhe mund të shpëtohej prej shkeljes së tij sepse siç na thotë Shën Joan Damaskinoi “ai që mëkaton nga nxitja e një tjetri meriton butësi dhe falje më të madhe sesa ai që mëkaton me pëlqimin e tij”, si djalli i cili e shpiku të keqen dhe u turr nxitimthi drejt saj. “Prandaj dhe Djalli nuk pendohet”, ndryshe nga njeriu, “i cili mëkatoi për shkak të mësymjes së Djallit dhe ka mundësi të pendohet”.
2. Përkujdesja më e përsosur është shpëtimi i njeriut:
Perëndia, duke shfaqur denjësi, mirësi dhe mëshirë të pafund drejt njeriut të rënë, shpalli që më parë dhe përgatiti me Providencën e Tij dashamirëse, pendimin dhe shpëtimin e njeriut. Fjalët e Tij drejtuar djallit në Parajsë: “Dhe unë do të shtie armiqësi midis teje dhe gruas, midis farës sate dhe farës së saj; fara e saj do të shtypë kokën tënde, dhe ti do të plagosësh thembrën e farës së saj” (Zanafilla 3:15) ishin profecia e parë për sa i përket restaurimit dhe shpëtimit nëpërmjet farës dhe pasardhësit të gruas që s’ishte kush tjetër veçse Jisu Krishti, Biri i së Tërëshenjtës. Prandaj përgjatë shekujve Ai përgatiti botën për të marrë shpëtimin që Ai paratha. Ai përgatit paganët, megjithëse nëpërmjet dritës së zbehtë të ndërgjegjes së tyre. Ai më pas i përgatiti ata me anë të mendimeve të urta të shumë filozofëve të lashtësisë dhe nëpërmjet ndikimit të madh të botës Judaike që ishte shpërndarë ndër të gjitha kombet e tokës.
Megjithatë, Ai nuk përgatiti vetëm Paganët, por edhe Judenjtë – veçanërisht Judenjtë – me anë të Ligjit të Moisiut dhe Profetëve dhe gjithë Dhiatës së Vjetër, që u bë “Mësuesi për te Krishti”, për popullin e Izraelit , siç e thekson Shën Pavli (Galatasve 3:24). Pra, me këtë përgatitje “kur u mbush koha, Perëndia dërgoi Birin e Tij, të lindur prej gruaja, të nënshtruar ligjit, që të shpengonte ata që ishin nën ligj, që ne të fitojmë birërinë” (Galatasve 4:4-5). Që do të thotë, kur arriti koha e përshtatshme, kur u përmbush përgatitja si e Judenjve ashtu dhe Paganëve, Perëndia dërgoi nga qielli Birin e Tij që lindi prej gruaje pa ndërhyrjen e një burri dhe që na dhuroi ne birësimin, Ai na bëri ne fëmijët e Perëndisë ndërsa ne nga ana jonë, që nga ajo kohë, mund të shijojmë frutin e këtij birësimi. Kjo ngjarje madhështore dhe shpëtimtare, shpengimi i njeriut të rënë mëkatar nëpërmjet mishërimit të Birit të Perëndisë, është dogma më kryesore dhe themelore e besimit të Krishterë. Prandaj dhe Kisha jonë në artikullin e dytë të Simbolit të Besës shpall:
2. Dhe në një Zot Jisu Krishtin, Birin e Perëndisë, të Vetëm-lindurin, që lindi prej Atit përpara gjithë shekujve.
3. Dritë prej dritë; Perëndi të vërtetë prej Perëndie të vërtetë; të lindur, jo të bërë, që ka të qenët një me Atin, me anën e të cilit u bënë të gjitha.
4. Që për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiejve, edhe u mishërua prej Shpirtit të Shenjtë edhe Virgjërës Mari dhe u bë njeri.
Ardhja e Birit të Perëndisë në botë për shpëtimin e njeriut mëkatar është parimi dhe shprehja më prekëse e Providencës hyjnore drejt njeriut. Ne duhet t’i kushtojmë vëmendje kësaj. Megjithatë Providenca e Perëndisë ka shumë aspekte të tjera. Ajo kujdeset gjithashtu për jetën e njeriut nëpërmjet dhuratave dhe të mirave të Tij të pafundme. Providenca Hyjnore është gjithashtu ndërhyrja e drejtpërdrejtë dhe në mënyrë të mrekullueshme për mbrojtjen e jetës së njeriut. Kjo Providencë, megjithatë, është e përkohshme dhe me kohëzgjatje të shkurtër duke qenë se ajo ka të bëje vetëm me aspektin material dhe të kësaj bote dhe kryhet për nevojat dhe mbrojtjen trupore, për nevojat e kësaj bote. Përkujdesja reale e Perëndisë për njeriun, ajo Providencë që nuk mund të krahasohet në asnjë mënyrë me llojet e tjera të Përkujdesjes që kemi përmendur, është Përkujdesja dhe interesimi i Tij për shpëtimin shpirtëror të njeriut. Ajo i shërben aspektit më perfekt dhe më sublim të njeriut: shpirtit të tij frymor dhe të pavdekshëm. Kjo Providencë u përmbush dhe u krye në Kishë , nëpërmjet Birit dhe Fjalës së Perëndisë. Prandaj ajo ka një vlerë të pakrahasueshme.
3. Krishti duhej të bëhej Shpëtimtari i njeriut:
A duhej pra, që Zoti, Biri i Perëndisë, të bëhej Shpëtimtari i njeriut mëkatar? Po, duhej, sepse asnjë engjëll dhe asnjë kryeëngjëll nuk mundej, përveç Tij, Birit të Perëndisë, që ta shpëtonte nga errësira e mëkatit. Ai duhej ta drejtonte njeriun tek e gjithë e Vërteta dhe tek drita e njohjes reale të Perëndisë. Por, përse vetëm Biri i Perëndisë? Për shkak se Biri, ashtu si Ati, është “i vetmi Perëndi i tërëditur”, “ku janë fshehur të gjitha thesaret e diturisë dhe të njohjes” (Kolosianëve 2:3). Pra, është Ai që e drejton njeriun tek e gjithë njohja dhe urtësia hyjnore dhe shpëtimtare. Edhe për shkak se ishte Ai, Biri, I Cili i dha formë dhe e krijoi njeriun, ishte e përshtatshme që vetëm Ai, Biri, mundej t’i rijepte formë dhe ta rikrijonte njeriun e rënë. Dhe ashtu si Ai në fillim e kishte krijuar njeriun nga toka dhe e kishte vendosur në Parajsë kështu që me të drejtë Profeti shpalli “duart e Tua më krijuan dhe më dhanë formë”, po kështu do të ishte Ai që do t’i rijepte formë përsëri njeriut. Ai i shtriu duart e Tij në Kryq dhe i bashkoi ata (Perëndinë dhe njeriun) që ishin të ndarë dhe hapi për njeriun Parajsën Qiellore të Perëndisë.
Shën Vasili, duke patur këtë në mendje, thotë se, “ekonomia e Perëndisë dhe Shpëtimtarit tonë drejt njeriut është thirrja që Ai i bën njeriut të rënë për ta pajtuar me Perëndinë nga ndarja që ishte krijuar me mosbindjen e njeriut”. Dhe Shën Athanasi i Madh vëren në lidhje me Logosin se “Ai u bë bir i Adamit me anë të ekonomisë për hatrin tonë”. Prandaj, Biri dhe Fjala e Perëndisë At u bë Shpëtimtari dhe Shpenguesi i njeriut të rënë me anë të mishërimit të Tij. Kështu, “Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne” (Joani 1:14). Edhe Biri “i cili, edhe pse ishte në trajtë Perëndie, nuk e çmoi si një gjë ku të mbahej fort për të qenë barabar me Perëndinë, por e zbrazi veten e Tij, duke marrë trajtë shërbëtori, e u bë i ngjashëm me njerëzit dhe duke u gjetur nga pamja e jashtme posi njeri, e përuli vetveten duke u bërë i bindur deri në vdekje, deri në vdekje të kryqit” (Filipianëve 2:6-8).
4. Shpëtimi i njeriut është vepër e Trinisë së Shenjtë
Sigurisht shpëtimi i njeriut u arrit me anë mishërimit, kryqëzimit dhe ngjalljes së Personit të Dytë të Shën Trinisë, Birit dhe Fjalës së Perëndisë. Por kjo vepër shpëtimtare nuk është vetëm vepër ekskluzive e një Personi, domethënë e Personit të dytë të Shën Trinisë, Birit. E tërë Hyjnia, të Tre Personat (Hipostazat), e gjithë Trinia, veproi dhe solli shpëtimin e njeriut të rënë. Kjo për shkak se siç na thotë Shën Joan Damaskinoi “veprat e Shën Trinisë janë të pandashme”.