Të dielën, më 15 dhjetor 2024, në të kremten e Shën Elefterit, Episkopit të Vlorës – Ilirisë, në Katedralen e Hirshme të Ngjalljes së Krishtit në Tiranë, të mbushur plot me besimtarë, u hirotonis si Episkop i Krujës Protosigjeli dhe Arkimandriti Anastas (Mamaj).
Hirotonisjen e kreu Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, z. Anastas, së bashku me Mitropolitët e Nderuar: të Korçës, z. Joan; të Apollonisë dhe Fierit; z. Nikolla; të Elbasanit, z. Andon; të Beratit, z. Asti, dhe të Amantias, z. Nathanail.
Në fjalën e tij, Episkopi i sapohirotonisur shprehu mirënjohjen e thellë ndaj Kryepiskopit Anastas, për kontributin e madh në ringritjen e Kishës sonë. Ai iu referua në mënyrë të veçantë domethënies simbolike të ditës së hirotonisjes të tij, që përkon me kujtimin e Shën Elefterit, Episkopit të Vlorës dhe Ilirisë. Gjithashtu, ai theksoi rëndësinë historike të Episkopatës së Krujës, e cila, me 300 kishat e saj, ka qenë një fortesë e vazhdueshme e Krishterimit dhe i ka bërë qëndresë orvatjes për të konvertuar popullsinë e krishterë të Shqipërisë.
Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas, në fjalën e tij, theksoi: Urojmë dhe lutemi që: (1) “Perëndia t’ju japë fuqi sipas pasurisë së lavdisë së tij, (2) ju bëftë më të fortë shpirtërisht përmes Shpirtit të tij të Shenjtë. (3) Krishti banoftë në zemrat tuaja përmes besimit, (4) në mënyrë që të rrënjosur dhe të themeluar në dashuri, të mund të kuptoni bashkë me të gjithë shenjtorët se cila është gjerësia, gjatësia, lartësia dhe thellësia e dashurisë së Krishtit. Lutemi që të njihni dashurinë e Krishtit, që tejkalon çdo dije, (5) që të mbusheni me gjithë plotësinë e Perëndisë, (6) i cili mund të bëjë shumë më tepër sesa gjithçka që i kërkojmë ose mendojmë, falë fuqisë që vepron në ne; atij i qoftë lavdia përmes kishës dhe përmes Jisu Krishtit për të gjitha breznitë, në jetë të jetëve. Amin” (Efes. 3:14-21).
Shërbesa u mbyll me thirrjen entuziaste “I denjë” në nga kleri dhe populli.