Kisha Orthodhokse në Greqi do të dhurojë 367.000 $ (330.000 Euro) për bursa shkollore për më shumë se 80 studentë vendas dhe të huaj. Ky vendim u mor nga Sinodi i Shenjtë i Kishës, me në krye Fortlumturinë e Tij, Kryepiskopin Jeronim të Athinës dhe të gjithë Greqisë.
Më saktë, bursat iu dhuruan 48 studentëve grekë për studime pasuniversitare dhe 37 studentëve të Kishave të tjera Orthodhokse, për studime Bachelor dhe Master në Greqi. Ky ishte viti i dytë ku shpërndarja e këtyre bursave bëhet me një ceremoni të veçantë.
Hirësi Ignati i Dhimitrias dhe Almiros , që është njëkohësisht Kryetari i Komunitetit të bursave, theksoi se bëhet fjalë për një arritje shumë të madhe nga ana e Kishës, që edhe në kohë të tilla të vështira të arrijë t’u sigurojë bursa studentëve. Ai shtoi gjithashtu se shumë prej kursantëve dallohen për kontributin e madh nëpër kishat e tyre lokale.
Dy prej studentëve në fjalë, një grek dhe një i huaj, shprehën falënderimet e tyre për Kryepiskopin Jeronim dhe të gjithë Sinodin e Shenjtë, për këtë dhuratë kaq të çmuar për ecurinë e tyre studimore.
Fortlumturia e Tij shtoi se anëtarët e komitetit patën madje edhe një ulje të ndjeshme financiare, në mënyrë që të arrinin të përmbushnin nevojat e bursantëve.
Në Korrik u raportua se përgjatë vitit 2018, Kisha Orthodhokse e Greqisë ka dhuruar më shumë se 136 milion $ për vepra të ndryshme bamirëse, duke iu ardhur në ndihmë më shumë se 1 milion personave.
Në prill të këtij viti, Sinodi i Shenjtë i Kishës mblodhi rreth 200.000 Euro për t’iu ardhur në ndihmë 100 familjeve të prekura nga zjarret që ranë në Atikë në verën e 2018-ës. Sipas raportimeve të fundit, ky numër u rrit deri në 354.000 Euro dhe 158 familje.
- Burimi: orthochristian.com & radiongjallja.org