20 Δεκεμβρίου, 2018

Kisha 9 shekullore e Marmiroit i nënshtrohet mirëmbajtjes

Διαδώστε:

TIRANË, 20 dhjetor /ATSH/- Kisha 9-shekullore e Marmiroit në rrethin e Vlorës, është e vogël por, përfaqëson një nga objektet më me vlerë të kultit në këtë zonë, njëkohësisht është edhe një ndër më të vjetrat në shkallë vendi.

Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare, Vlorë, në kuadër të zbatimit të paketës së mirëmbajtjes 2018, kreu ndërhyrje restauruese në kishën e Marmiroit në Orikum, monument kulture i kategorisë së parë.

Ndërhyrjet restauruese konsistuan në heqjen e tjegullave të degraduara dhe mbulimin e kishës me tjegulla të reja sipas teknikës dhe modelit origjinal si dhe zëvendësimin e dyerve të drurit.

Ndërtimi i saj është një risi në arkitekturën e kohës, sipas muzeologut Ilia Çano, kisha është ndërtuar në shekullin XII sipas një arkitekture që shënonte një risi për kohën. Kjo reflektohet në disa elementë, që, në tërësi përfaqësojnë një model të ri arkitekturor për ndërtimet kishtare dhe që vijuan më pas të zbatoheshin edhe në objekte të tjera.

Në hyrjen e kishës, ruhet tamburi cilindrik, ndërkohë që kupola është realizuar sipas një teknike të veçantë. Kjo kishë është një nga monumentet më të rëndësishme të periudhës bizantine dhe së bashku me kishën tjetër të Zvërnecit, përfaqësojnë dy shembujt e vetëm të tipit në formë kryqi të lirë me kupolë, që njihen deri sot në Shqipëri. Kupola mendohet se ka shërbyer si model për kishën e Shën Mërisë në Zvërnec, që u realizua më vonë.

Kisha, një vend pelegrinazhi

Lefteri, një 60 vjeçar, banor i fshatit Dukat, thotë se dikur kjo kishë mbahej si një vend “i mirë” ku njerëzit vinin për të falur mëkatet por edhe për të marrë bekimin, madje edhe për t’u shëruar nga sëmundje të ndryshme.

Të moshuarit tregojnë rastin e një vajze shumë dekada më parë, e cila vuante nga një sëmundje që i kishte marrë këmbët. Prindërit e sollën atë në këtë kishë shumë herë, deri në momentin që ajo nisi të lëvizë.

Kjo histori legjendë që transmetohet brez pas brezi, evidenton vlerat dhe vendin që ka tek besimtarët ky objekt kulti, që ndodhet disa kilometra pranë qytezës së Orikumit, në një kodrinë të vogël, e rrethuar nga një mjedis moçalor.

Kisha ndodhet shumë pranë detit. Në periudhën e verës dhe të pranverës, frekuentohet nga mjaft banorë të zonës dhe të rretheve të tjera të vendit. /a.a/ /a.g/

Διαδώστε: