Pjesëmarrës ishin më shumë se 4000 të rinj, ndër to përfaqësues të të gjitha dioqezave të Patriarkanës Rumune, si dhe përfaqësues të Kishave Orthodhokse nga vende të ndryshme të botës, si Repoblika e moldovës, Ukraina, Greqia, Shqipëria, Gjermania, Franca, Belgjika, italia, Spanja, Portugalia, Mbretëria e Bashkuar, Zvicra, Turqia, Siria, Qiproja etj.
Tashmë për të gjashtin vit rradhazi, Patriarkana Rumune organizon Konferencën Ndërkombëtare të të rinjve Orthodhoksë (me inicialet rumune ITO). Përgjatë këtyre viteve, bijtë dhe bijat e Kishave orthodhokse të shteteve të ndryshme janë bashkuar vëllazërisht në Baia Mare (2014); Kluj (2015); Bukuresht (2016); Iasi (2017) dhe Sibiu (2019). Këtë vit, me bekimin e Fortlumturisë së Tij, Patriarkut Daniel të Rumanisë dhe me mbikëqyrjen e Kryepiskopit të Krajovës, Hirësisë së Tij Irineut, konferenca u organizua në Kryepiskopatën e Krajovës, e cila bën pjesë në mitropolinë e Oltenias, nga datat 5-8 Shtator.
Tema e këtij viti titullohej: “Jemi të gjithë një Potir! Besë, shpresë dhe dashuri”. Synimi i këtij organizimi ishte t’i mundësonte të rinjve të njiheshin më mirë me njëri tjetrin, duke krijuar lidhje të ngushta vëllazërore, dhe gjithashtu të kontribuonte në promovimin e vlerave dhe identitetit fetaro-kulturor të zonës së Oltenias. Mesazhi që iu përcoll të rinjve orthodhoksë qëndron në përjetimin dhe transmetimin e mëtejshëm të vëllazërisë, kungimit dhe unifikimit me njëri-tjetrin, që do të shërbejë edhe si themel për një të ardhme më të ndritur, me në qendër besën, shpresën dhe dashurinë.
Programi ishte i mbushur me aktivitete të llojeve të ndryshme, si fjalime, workshop-e, marshime, vizita në Katedralet dhe Kishat e qytetit, vizita nëpër muze e qendra të ndryshme kulturore, koncerte etj.
Gjatë workshopeve, të rinjtë u nxitën të diskutonin dhe të reflektonin për pyetje lidhur me kontributin e tyre në jetën e enorive përkatëse, qëllimin e pjesëmarrjes në shërbesat kishtare, përmirësimin e marrëdhënieve me të afërmin etj.
Pjesëmarrëse në këtë evenimet ishte dhe Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, e përfaqësuar nga Mitropoliti i Elbasanit, Hirësi Andoni si dhe pesë të rinj nga mitropoli të ndryshme.
- Burimi: en.ito2019.ro & radiongjallja.org