31 Οκτωβρίου, 2019

Kongresi Ndërkombëtar i Muzikës Kishtare Ruse afron psaltë dhe këngëtarë nga 125 dioqeza nga 15 shtete

Διαδώστε:

Në datat 24-26 Tetor u mbajt në Moskë Kongresi II Ndërkombëtar i dirigjentëve dhe këngëtarëve të korit të Kishës Orthodhokse Ruse. Këtë vit, ky kongres iu dedikua përkujtimit të dirigjentit, kompozitorit dhe autorit të muzikës kishtare Pavël Grigoroviç Ҫesnokov, pasi ky vit përkon edhe me 75 vjetorin e fjetjes së tij.

Në këtë event morën pjesë 547 delegatë nga 142 dioqeza të Kishës së Rusisë edhe 15 vendeve të tjera. Ndër to bënin pjesë dirigjentë të katedraleve, enorive apo manastireve të ndryshme, mësues të shkollave të Kishës, studentë të Akademisë Teologjike të Moskës, Universitetit të shën Tikhonit etj..

Gjatë ceremonisë së hapjes së eventit, protopresviteri Aleksandër Agejkin tha se në krahasim me Kongresin e fundit, i cili u mbajt para tre vitesh, numri i pjesëmarrësve është katërfishuar.

Në fjalën e tij, Patriarku Kirill theksoi se Ҫesnokovi është një ndër përfaqësuesit më të denjë të shkollës së kompozitorëve të Moskës, dhe se harmonia e tij e përsosur, me të cilën përcillte himnologjitë e lashta, ndikoi që këto të fundit të bëhen të njohura e të dashura edhe për brezat e rinj.

“Duke sjellë ndër mend punën e madhe të Ҫesnokovit, si dhe dirigjentëve të tjerë të famshëm të muzikës kishtare, thirremi të kujtojmë se këndimi përbën një komponent të rëndësishëm të shprehjes së bukurisë dhe thellësisë shpirtërore të adhurimit të krishterë. Të gjithë e dimë tashmë se muzika ka një ndikim të madh emocional tek njeriu, ndërsa muzika kishtare depërton më thellë gjendjes emocionale, duke arritur të ndikojë në shpirtin e njeriut. Muzika kishtare është një pasuri e vërtetë, të cilën duhet ta ruajmë e ta zhvillojmë më tej.”- tha ndër të tjera Patriarku në fjalimin e tij.

Gjatë konferencës u fol për jetën dhe veprën e kompozitorit Ҫesnokov, u diskutuan problematika të ndryshme praktike që lidhen me ruajtjen dhe zhvillimin e këndimit tradicional të muzikës kishtare, dhe kongresi përfundoi me kremtimin e Liturgjisë Hyjnore në Katedralen e “Krishtit Shpëtimtar”.

Pasi u caktuan 10 pika, të cilat shprehnin problematika të fushës së muzikës kishtare,mbi të cilat do të punohet në vazhdim, u vendos që kongresi i radhës të mbahet më 2022.

 

— Burimi: orthochristian.com & radiongjallja.org

Διαδώστε: