13 Απριλίου, 2019

KRESHMA E MADHE, UDHETIM DREJT PASHKES

Διαδώστε:

Atë Alexander Schmemann

Mbi Kreshmën e Madhe

Ky interpretim i shkurtër i Kreshmës së Madhe, u shkrua për ata, të cilët dëshirojnë një kuptim më të thellë të traditës liturgjike të Kishës dhe një pjesëmarrje të ndërgjegjshme në jetën e saj.

Pendimi, siç e dimë të gjithë është fillimi, por edhe atmosfera brenda së cilës përjetohet një jetë e vërtetë e krishterë. Fjala e parë e Krishtit, kur filloi predikimin e Tij ishte: “Pendohuni!” (Mat 4;17). Por, ç’është pendimi? Brenda asaj që mbizotëron në jetën tonë të përditëshme, nuk kemi kohë të mendojmë për pendim. Arrijmë thjesht në përfundimin, se ajo ç’ka kemi për të bërë gjatë Kreshmës së Madhe është që të largohemi prej disa ushqimeve të caktuara. Të kufizojmë “dëfrimet”, të rrëfehemi, të marrim faljen nga prifti, të afrohemi tek Kungimi i Shenjtë dhe mbas këtyre e konsiderojmë veten tonë “në rregull” deri vitin e ardhshëm.

Por, do të duhet të ekzistojë një arsye, për të cilën Kisha i ndau këto shtatë javë si një periudhë e veçantë pendimi dhe na fton në një përpjekje shpirtërore intensive dhe të vazhdueshme. Natyrisht, të gjitha këto duhet të kenë një lidhje direkte me mua, me besimin tim, me jetën time, me veçantinë time si anëtar i Kishës. Kështu pra, a nuk është detyra ime parësore, që të përpiqem të kuptoj çfarë më mëson Kisha për Kreshmën e Madhe, të përpiqem të jem një i Krishterë Orthodhoks, jo vetëm në emër, por edhe në jetë?

Pyetjeve; ç’është pendimi? Përse, kemi nevojë për të dhe si mund ta përjetojmë atë? Kreshma e Madhe na jep këto përgjigje. Kjo periudhë është një shkollë pendimi, e cila është e dobishme për çdo të krishter për çdo vit, që të mund të thellohet në besimin e tij dhe të ndryshojë jetën e tij. Eshtë një udhëtim i mrekullueshëm lutjesh, drejt burimit të besimt Orthodhoks. Eshtë një rizbulim i mënyrës orthodhokse të jetës. Kisha, me urdhërimet e saj dhe me frymën e adhurimit të Kreshmës së Madhe na ofron kuptimin e vetëm të kësaj periudhe. Ky interpretim i shkurtër i Kreshmës së Madhe është i bazuar kryesisht në shërbestat e kësaj periudhe.

Shpresoj, që lexuesi pasi të ketë shfletuar këto faqe, të mund të zbulojë se në këtë botë asgjë nuk është kaq e bukur dhe kaq e thellë, kaq e pasur në frymëzim, sa kjo që Kisha Mëmë na zbulon dhe na i ofron lirisht kur hyjmë në këtë periudhë të bekuar.

Kreshma e Madhe si udhëtim drejt Pashkës.

Kur dikush përgatitet për një udhëtim, duhet të dijë se ku shkon. Kjo ndodh dhe me Kreshmën e Madhe. Mbi të gjitha Kreshma e Madhe është një udhëtim shpirtëror, destinacioni i të cilës është Pashka, “E kremtja e të kremteve”. Eshtë parapërgatitja për “Plotësimin, ose Shpërblimin e Pashkës, që është Zbulesa e vërtetë”. Për këtë arsye, duhet të fillojmë me përpjekjen, për të kuptuar këtë marrëdhënie ndërmjet Kreshmës dhe Pashkës, sepse, kjo zbulon diçka shumë thelbësore dhe të rëndësishme për besimin e Krishterë dhe për jetën tonë. Pra, është e domosdoshme të shpjegojmë, se Pashka është shumë më tepër se një festë, shkon shumë më larg nga një përvjetor i një ngjarjeje të kaluar. Çdo njëri, i cili qoftë dhe njëherë të vetme përjetoi këtë natë “shpëtimtare, dritëprurëse dhe ndriçuse”, që jetoi këtë gëzim të veçantë, e di se kjo, është një prekje personale. Por ç’është ky gëzim? Përse në Liturgjinë Ngjallësore psalim: “të gjitha tani u mbushën me dritë, qielli dhe dheu dhe të përposhtmet”? Çfarë “festojmë” – sikundër themi se bëjmë, “Vdekjen e vdekjes, abolitjen e hadhit”?

Në të gjitha këto pyetje, përgjigja është: “jeta e re”, e cila pothuajse 2000 vjet më parë “lindi prej varrit” dhe na u ofrua të gjithëve ne, që besojmë tek Krishti. Na u dha ditën e Pagëzimit, atë ditë, që siç thotë dhe apostull Pavli: “U varrosëm bashkë me Atë, me anë të pagëzimit të vdekjes, që sikundër Krishti u ngjall prej së vdekurësh prej lavdisë së Atit, kështu dhe ne të ecim në jetë të re” (Rom 6;4). Kështu, në Pashkë festojmë Ngjalljen e Krishtit, si ngjarje që ka ndodhur dhe ndodh ende tek ne. Sepse, çdo njëri nga ne, mori dhuratën e kësaj jete të re dhe fuqinë për të pranuar dhe jetuar nëpërmjet asaj. Është një dhuratë, e cila ndryshon predispozicionin tonë kundrejt çdo situate të kësaj bote, madje dhe kundrejt vdekjes. Na jep fuqinë të vërtetojmë triumfalisht që: “vdekja u mund”. Natyrisht vdekja ende ekziston, dhe një ditë do të vijë edhe për ne, por gjithë besimi ynë është, se Krishti me vdekjen e Tij ndryshoi pikërisht natyrën e vdekjes. E bëri një kalim – “Pashkë” – një kalim në Mbretërinë e Perëndisë duke e transformuar vdekjen, – tragjedinë më dramatike – në fitore dhe triumf të përjetshëm. “Me vdekje vdekjen shkeli”, na bëri pjesëtarë të Ngjalljes së Tij. Pikërisht për këtë në fund të mëngjesores së Ngjalljes – në Fjalën e tij Katekitike – Joan Gojarti thotë triumfalisht: “U Ngjall Krishti dhe jeta qytetërohet. U Ngjall Krishti dhe varret u zbrazën.” I tillë është besimi i Kishës, i cili sigurohet dhe shfaqet me jetën e shenjtorëve të panumërt. Por, mos vallë nuk e jetojmë çdo ditë këtë ngjarje, se ky besim rrallë bëhet edhe përvojë e jona? Mos vallë e humbim dhe e tradhëtojmë shpesh “këtë jetë të re”, që morëm si dhuratë dhe në realitet jetojmë sikur Krishti të mos ishte ngjallur dhe sikur kjo ngjarje unike të mos kishte kuptim? Të gjitha këto për shkak të dobësive tona, të paaftësisë sonë për të jetuar në mënyrë të qëndrueshme me besë, shpresë dhe dashuri, në po atë nivel që na ngriti Krishti kur tha: “Kërkoni së pari Mbretërinë e Perëndisë dhe Drejtësinë e Tij”. Thjesht, ne i harrojmë të gjitha këto, sepse jemi kaq të zënë, kaq të zhytur në të përditëshmen tonë dhe dështojmë, sepse harrojmë. Brenda kësaj harrese, këtij dështimi dhe mëkati, jeta jonë bëhet përsëri “e vjetër”, zhvlerësohet, errësohet dhe humbet, bëhet një udhëtim pa kuptim dhe pa fund. Harrojmë përfundimisht edhe vdekjen – “brenda shijimit të jetës”, – e cila na vjen e frikshme, e pashmangshme dhe pa kuptim. Mundet, që herë pas here të pranojmë mëkate të ndryshme dhe t’i rrëfejmë dhe vazhdojmë të mos e referojmë jetën tonë në atë jetë të re, që Krishti zbuloi dhe na dha. Realisht, jetojmë sikur Ai të mos kishte ardhur kurrë. Ky është mëkati i vetëm real, mëkati i gjithë mëkateve, pikëllimi dhe tragjedia e të gjithë të krishterëve vetëm në emër.

Nëse e njohim këtë, atëherë mund të kuptojmë ç’është Pashka dhe përse nevojitet paraprakisht Kreshma e Madhe. Atëherë mund të kuptojmë, se tradita liturgjike e Kishës dhe i gjithë cikli i shërbesave të saj, janë pikësëpari, që të na ndihmojnë për të rigjetur pamjen dhe shijen e kësaj jete të re, të cilën kaq lehtë e humbasim dhe e tradhëtojmë dhe më pas të mund të pendohemi dhe rikthehemi tek Kisha. Si është e mundur të duam dhe të kemi mall për diçka që nuk e dimë? Si mund ta vendosim mbi çdo gjë tjetër në jetën tonë, diçka që nuk e kemi parë dhe nuk e kemi ndjerë? Me fjalë të tjera, si është e mundur të kërkojmë një Mbretëri, për të cilën nuk e kemi idenë? Adhurimi i Kishës, që prej fillimit ishte dhe është, hyrja dhe komunikimi ynë me jetën e re të Mbretërisë. Brenda jetës së saj liturgjike, Kisha na zbulon: “Ato që syri nuk i pa dhe vesh nuk i dëgjoi dhe mbi zemër njeriu nuk qëndruan, të cilat Perëndia i bëri gati për të dashurit e Tij” (I Kor 2;9). Në qendër të kësaj jete liturgjike është Pashka. Pashka është dera, e cila hapet çdo vit dhe na drejton në të shndritëshmen Mbretëri të Krishtit, është parashijimi i gëzimit të përjetshëm që na pret, është lavdia e fitores, e cila që tani, megjithëse e padukshme pushton të gjithë krijesën: “Vdekja u mund”.

Gjithë adhurimi i Kishës, është i organizuar rreth Pashkës, prandaj ajo e përsërit çdo vit liturgjik, një udhëtim dhe një adhurim drejt Pashkës, që është fundi dhe njëkohësisht fillimi. Është fundi i atyre që përbëjnë të vjetrat dhe fillimi i jetës së re, një “kalim” i vazhdueshëm nga kjo “botë” në Mbretërinë e zbuluar më Krishtin.

Me gjithë këto “jeta e vjetër”, jeta e mëkatit dhe vogëlsisë nuk është e lehtë të mposhtet dhe të ndryshohet. Ungjilli, pret dhe kërkon nga njeriu të bëjë një përpjekje, e cila në gjendjen në ku ndodhet tani njeriu, në thelb është e parealizueshme. Përballemi me një ftesë, që është vizioni dhe qëllimi i jetës së re, është një ftesë e cila gjendet mbi mundësitë tona! Prandaj dhe apostujt, kur dëgjuan mësimin e Zotit e pyetën të dëshpëruar: “Kush mund të shpëtojë” (Mat 19;26). Në të vërtetë nuk është aspak e lehtë të mohosh një ideal të përditshëm jete me përkujdesjet e të përditëshmes, me kërkesat e të mirave materiale, me sigurinë dhe shijimin dhe të pranosh një ideal tjetër jete, i cili nuk na privon aspak përsosmërisht në qëllimin tonë. “Bëhuni të përsosur, sikundër dhe Ati im qiellor është i përsosur”. Kjo botë me të gjitha mjetet e saj na thotë, të jesh i gëzuar, mos u shqetëso ndiq rrugën e “gjerë”. Krishti në Ungjillin e tij thotë: “Zgjidh rrugën e ngushtë”, përpiqu dhe vuaj, sepse kjo është rruga për të vetmen lumturi të vërtetë. Nëse Kisha nuk na ndihmon, si do të mundemi ta bëjmë këtë zgjedhje të frikshme? Si mund të pendohemi dhe të kthehemi në premtimin e mrekullueshëm, që na ofrohet çdo vit për Pashkë? Pikërisht, ky është momenti kur shfaqet Kreshma e Madhe. Kjo është “dora e ndihmës”, të cilën Kisha e shtrin drejt nesh. Është shkolla e pendimit, e cila do të na japë fuqi të pranojmë Pashkën, jo si një rast i thjeshtë për të ngrënë, për të pirë dhe për tu prehur, por kryesisht si fund i të “vjetrave” që janë brenda nesh dhe si një hyrje tek e reja.

Në Kishën e vjetër, qëllimi kryesor i Kreshmës ishte të parapërgatiteshin katikumenët, domethënë kandidatët e rinj për tu bërë të krishterë, për tu pagëzuar. Në atë kohë pagëzimi bëhej në vazhdim të Liturgjisë Hyjnore Ngjallësore. Por edhe tani, që Kisha nuk pagëzon të krishterë në moshë të madhe, kuptimi kryesor i Kreshmës mbetet i njëjtë, pasi dhe nëse jemi të pagëzuar, ajo që shpesh humbim dhe tradhëtojmë, është pikërisht ajo ç’ka morrëm në Pagëzim. Kështu, Pashka për ne është kthimi i përvitshëm tek pagëzimi dhe si rrjedhojë Kreshma është parapërgatitësi ynë për këtë kthim – përpjekja e ngadaltë, por intensive për të realizuar përfundimisht “Kalimin” tonë d.m.th “Pashkën” tonë në jetën e re më Krishtin. Sikundër do të shohim, shërbesat e adhurimit të Kreshmës, ruajnë edhe sot karakteristikën e tyre katekizuese dhe pagëzimore. Kjo nuk ndodh, sepse ruajnë tipin e vjetër, por sepse është diçka e gjallë dhe thelbësore për ne. Prandaj, çdo vit Kreshma e Madhe dhe Pashka, janë akoma edhe një herë, zbulimi dhe ndërgjegjësimi për atë çfarë u bëmë nëpërmjet pagëzimit tonë, vdekje dhe ngjallje.

Një udhëtim, një pelegrinazh! Pasi fillojmë dhe bëjmë hapin e parë, në “Harmolipi” hidhërimin e gëzuar të Kreshmës së Madhe, shohim edhe destinacionin. Eshtë gëzimi i ndriçimit, është hyrja në lavdinë e Mbretërisë, vizioni i parashijimt të Pashkës, i cili e bën hidhërimin e Kreshmës së Madhe gëzim, dritë dhe një përpjekje shpirtërore. Nata mund të jetë e errët dhe e madhe, por në gjithë gjerësinë e rrugës, shfaqet një agim mistik dhe rrezatues, që duket të ndritë në horizont. “Mos na turpëro në pritjen tonë o Njeridashës”.

Διαδώστε: