20 Μαρτίου, 2019

Kreshma e vërtetë – Këshilla nga Shën Joan Gojarti

Διαδώστε:

Meqënëse kemi filluar Kreshmën e Madhe të Pashkës, nga dt. 11 Mars deri në 28 Prill në të gdhirë pas Liturgjisë, kemi nisur të postojmë rregullisht informacione të vazhdueshme sesi mund të kreshmojmë me lutje, përulësi, pendim, sakrificë, besim, dashuri, bamirësi dhe gëzim, këto ditë nuk hamë ushqime me prejardhje shtazore (mish, vezë, bulmet, peshk) por hamë ushqime bimore (perime, fruta, brumëra, vaj etj.).

– – – –

Sikundër, kur kalon dimri dhe vjen vera e ëmbël, detari me anijen e tij lëshohet në det dhe e përshkon këtë në të katër anët; ushtari i merr armët, i fshin këto, i pastron, dhe i bën gati për luftë; udhëtari fillon një udhëtim të gjatë dhe atleti e sportisti zhvishet e u përvishet lojërave të ndryshme; pikërisht ashtu duhet të veprojmë edhe ne tani që na erdhi koha e kreshmëve, si një verë shpirtërore.

Le t’i bëjmë pra gati armët si ushtarë të vërtetë, le ta mprehim draprin si bujq të kujdesshëm dhe si kapedanë të urtë e të mençur le të përballojmë valët e dallgët e dëshirave të dobëta, duke përdorur si armë dëshirat e mira dhe mendimet e urta… le të fillojmë udhëtimin tonë për në qiell dhe le të përgatitemi e të përvishemi bukur e mirë, për të kaluar kreshmët ashtu si duhet.

Kreshmën, vëllezër të dashur nuk duhet ta kuptojmë ashtu si e kupton shumica e të krishterëve, d.m.th. largim nga disa gjellë të caktuara. Jo. Kreshma e vërtetë nuk është të largohesh vetëm nga disa gjellë, po bashkë me këto të heqësh dorë dhe nga ligësitë, dhe nga mëkatet. Po, duhet të largohesh nga disa gjellë; po njëkohësisht është e domosdoshme që të largohesh dhe nga mendimet e liga, nga dëshirat e dobëta, nga veprimet e këqija. Kjo është kreshma e vërtetë; vetëm kjo mund t’i shpëtojë ata që e mbajnë.

E dini se ç’thotë Shkrimi i Shenjtë për kreshmën?

“Atleti nuk e merr dot kurorën po të mos luajë sipas rregullave të pranuara”. Edhe ne që mbajmë kreshmë, që të mos rrezikojmë të humbasim shpërblimin dhe dhuratën që na përket, le të mësojmë se si duhet të mbajmë kreshmë.

Se edhe fariseu i paravolisë mbajti kreshmë, por megjithatë doli prej tempullit pa ndonjë fitim e dobi për shpirtin e tij. Përkundrazi tagrambledhësi, i cili nuk mbajti kreshmë doli më i fituar se fariseu.

Kjo na tregon se nga kreshmimi nuk mund të rrjedhë asnjë dobi, në qoftë se nuk shoqërohet prej shumë gjërash të tjera. Mbajtën kreshmë ninevitët dhe tërhoqën mëshirën dhe dashurinë e Perëndisë; mbajtën kreshmë dhe judenjtë, por ata jo vetëm që nuk fituan gjë, por edhe ikën të turpëruar e të akuzuar…..

Këto i thashë, jo që të përbuzim kreshmët, po t’i nderojmë ato duke i mbajtur si duhet dhe t’i nderojmë ato duke u larguar jo vetëm nga disa gjellë të caktuara, por edhe nga mëkatet. Ai që kujton se kreshmë është largim nga disa gjellë, ky e përbuz kreshmën.

Mban kreshmë? Tregoje me vepra.

Me çfarë veprash?

Kur shikon ndonjë të vobektë, ndihmoje;

kur takohesh me armikun tënd, të pajtohesh dhe të bëhesh mik me të;

të mos shash,

të mos shpifësh,

të mos vjedhësh,

të mos bësh ndonjë padrejtësi,

të mos mbash nëpër gojë njerëzit e tjerë,

etj., etj.

Me fjalë të tjera nuk duhet të mbajë kreshmë vetëm goja, por edhe syri, edhe veshi, edhe këmbët, edhe duart, edhe të gjitha pjesët e trupit tënd.

Le të mbajnë kreshmë duart, duke mos u ndotur me vjedhje e grabitje; le të mbajnë kreshmë edhe këmbët, duke u larguar nga rruga që shpie nëpër qendra të liga dhe nëpër mbledhje imorale e të dobëta; le të mbajnë kreshmë sytë, duke mos u hedhur nëpër fytyra të bukura me qëllim satanik e shtazor, sepse do të ishte një gjë qesharake sikur gojën ta largosh nga gjellët – të cilat në fund të fundit në vetvete nuk janë të këqija -, kurse syve të mos t’u japësh leje të prekin gjërat që janë të ndaluara dhe që janë vetiu të liga.

Nuk ha mish?

Bukur; por mos i lër dhe sytë të “hanë” imoralitet dhe paturpësi. Le të mbajnë kreshmë edhe veshët.

Po kur mban kreshmë veshi?

Kreshma e veshit është të mos dëgjojë e të mos pranojë as sharje, as shpifje, as qortime.

Shkrimi i Shenjtë thotë: “Të mos pranosh të dëgjosh të shara dhe fjalë të liga”.

Le të mbajë kreshmë dhe goja, e goja mban kreshmë kur nuk nxjerr asnjë fjalë të keqe.

Se me të vërtetë ç’dobi vjen kur nga njëra anë nuk hamë zogj edhe peshk e nga ana tjetër i kafshojmë e i copëtojmë vëllezërit tanë?

https://orthodoxalbania.org/alb/index.php/al/lajme/blog/6880-kreshma-e-vertete-keshilla-nga-shen-joan-gojarti

Διαδώστε: