01 Αυγούστου, 2024

KRESHMA

Διαδώστε:

Quinoa, mushrooms, lettuce, red cabbage, spinach, cucumbers, tomatoes, a bowl of Buddha on a dark background, top view. Delicious balanced nutrition concept

Festa e Fjetjes së Hyjlindëses kremtohet në 15 gusht, e paraprirë nga dy javë kreshmë.
Kalendari ynë kishtar është hartuar në mënyrë të tillë që të na drejtojë me zell në rrugën e duhur në jetën tonë shpirtërore. Në të ka shumë ditë kreshmimi të cilat na përgatisin për ditët e festave.
Gjithashtu është e këshillueshme që çdo i krishterë orthodhoks të këshillohet me atin shpirtëror (priftit ku rrëfehemi) përsa i pёrket nevojave personale për të kreshmuar, vështirësive apo privimeve shëndetësore apo gjatë marrjes së ilaçeve. Pra për raste të tilla merrni udhëzime prej atit shpirtëror.
Gjatё gjithё kreshmёs Kisha rekomandon pakёsimin e sasisë sё ushqimit qё konsumoni çdo vakt dhe tё mos hahet ndёrmjet vakteve.
Kreshmoni (mos hani) pёr disa ushqime dhe pije qё ju pёlqejnё më shumë (ёmbëlsira, alkool) dhe pёr disa zakone apo varёsi (tё pirit duhan, televizori, radio, rrjetet sociale etj).
Pse kreshmojmë:
* Kreshma na bën të vetëdijshëm për varësinë tonë tek Perëndia.
* Kreshma na ndihmon të krijojmë disiplinë personale.
* Kreshma shërben si një periudhë ndriçimi, veçanërisht për të na përgatitur për kremtimin shpirtëror dhe misionin e krishterë.
* Kreshma është periudhë që zbulojmë nevojat tona të vërteta.
* Kreshma është shenjë vuajtjeje dhe pendimi.
Si të kreshmojmë:
* Mbani kreshmë shenjtëruese.
* Kaloni më shumë kohë me Perëndinё gjatë Kreshmës.
* Kombinoni bamirësinë me kreshmën.
* Ruani një shpirt përulësie, pendimi dhe faljeje.
* Kreshmoni në fshehtësi.
*Kreshmoni me gëzim.
Kreshma dhe familja
– Diskutoni me familjen pёrpara se tё fillojё Kreshma, pёr rëndёsinё e tё kreshmuarit, sesi do të kreshmojё familja juaj dhe pёr çfarë feste tё madhe po pёrgatiteni.
– Gjatё periudhёs sё kreshmёs tё heqim dorë nga diçka e veçantë pёr ne.
– Tё reduktojmё pak sasinё e ushqimit qё hamё.
– Nga paratё e kursyera nga kreshma të bёjmë diçka pёr njerёzit nё nevojё.
– Rriteni aktivitetin tuaj shpirtёror (lutuni nё komunitet dhe personalisht vetёm pёr vetёm me Zotin, lexoni çdo ditё Biblёn, lexoni jetё shenjtorësh dhe shkrime tё tjera tё shenjta tё Kishёs).
– Mos e kufizoni pёrfitimin nga kreshma thjesht duke hequr dorё nga ushqimi, sepse kreshmё e vërtetё do të thotё tё shkëputesh nga e keqja.
– Prishni çdo lidhje tё padrejtё, hidhni tutje çdo pakёnaqёsi ndaj tё afёrmit tuaj, faleni pёr ofendimet e tij ndaj jush.
– Mos u grindni.
– Kujdes! Ju nuk hani mish, por mёrzitni me grindje tё tjerёt; nuk pini verë, por vazhdoni tё fyeni tё tjerёt. Nёse jetoni kёshtu, pёrpjekja e kreshmёs nuk ka dobi.
* * * *
Çfarë konsumojmë dhe çfarë jo gjatë kreshmës së Fjetjes së Hyjlindëses:
– Nuk lejohen përdorimi i mishit dhe i produkteve të tij, as i peshkut (lejohet të konsumohet vetëm në dt. 6 gusht në të kremten e Metamorfozës së Shpëtimtarit), as bulmetit, djathit të çdo lloji, gjalpit, kosit, qumështit, vezës, ndersa vaji pёrdorimi apo privimi i vajit varet nga udhёzimet e atit shpirtёror. Ndalohet konsumimi i alkolit, duhanit dhe veseve të tjera të dëmshme.
– Lejohet konsumimi i frutave të thata: bajame, kikirikë, lajthi, fara, arra, susam, rrush ose fik i thatë. Lejohet konsumimi i perimeve si domate, patate, kungull, spec, panxhar, rrepa, hudhër, fasule(pllaqi), thjerza, qepë, karrota, patëllxhanë, bizele, brokoli, lakër, kastravec, bamje, kërpudha, spinaq, sallatë jeshile, rukola etj.
Nga produktet e ëmbla lejohet konsumimi i reçelit, marmalatës, mjaltë, hallvë, biskota kreshmore(lexoni paketimin), kakao, sheqer, tahini.
– Gjithashtu lejohet konsumimi i turshive të të gjitha llojeve, kosumimi i vitamit ose margarinës, brumërave si oriz, makarona, byrek me spinaq, qep ose domate, ketchup, mustardë.
– Nga frutat e detit lejohet kallamari, oktapodi, karkalecat, midhjet, aragosta etj.
– Për gatim lejohet kakao, soda e bukës, vanilje, miell, maja etj.
Vazhdim të mbarë të kreshmës!

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

Διαδώστε: