– 7 Makabejtë, Solomona –
Sipas traditës emrat e të shtatëve janë: Avim (ose Aviv) Anton (ose Antonini), Guria, Eleazar, Efsevoni, Ahim, (ose Samona ose Evlal ose Marku) dhe Markel. Për ta rrëfehet në Makab.II (6:18-7.42) dhe më gjerë në Makab. IV (kap. 5:18). Makab. IV është jashtë listës kanonike të Librave të Dhiatës së Vjetër.
Pra, mbreti i Sirisë, Antioki IV (175-164 para Kr.), i detyronte skllevërit e tij hebrenj të bëheshin idhujtarë. Njëherë i sollën një prift plak, mësues i ligjit, që quhej Eleazar (hebraisht do të thotë: Perëndia është ndihmës), Solomonën (hebraisht: paqësore) dhe shtatë fëmijët e saj. Për më saktë, këta shenjtorë nuk morën pjesë të drejtpërdrejtë në lëvizjen e Makabejve (hebraisht do të thotë: farkëtarë) që ishte një lëvizje politiko-ushtarake dhe nacional-fetare. Ka shumë mundësi të bënin pjesë te Asidejtë (hebraisht do të thotë: shpresëtarë) arketipat e Farisejve që ishin një grupim ekskluzivisht fetar, paralel dhe ndihmës i Makabejve.
Pra, “këshillat” e tiranit nuk e bindën Eleazarin të shijonte mishin e derrit i cili, sipas Dhiatës së Vjetër, ishte i papastër. As që u shtir për diçka të tillë, siç e sugjeruan të tjerë. E fshikulluan atëherë jashtë mase dhe i vunë flakën, duke i hedhur në hundë lëngje me erë të keqe. Kjo gjë vazhdoi derisa ata e karbonizuan.
Gjithashtu të rinjtë përballuan lajka dhe premtime. Por ata, të palëkundur, u torturuan në mënyrë të frikshme me “rrota”, me vegla për nxjerrjen e kyçeve, kazanë, tiganë, doreza hekuri që rripnin madje edhe fytyrën, u dogjën me zjarr. Shpallnin pa frikë besimin e tyre dhe shpërblimin e tij pas vdekjes, nxisnin njëri-tjetrin për të duruar. Por burrërinë më të mahnitshme e tregoi gruaja. Nëna e ve nxiste bijtë e saj, madje edhe atë më të voglin, të qëndronin besnikë, d.m.th. të duronin vdekjen më të frikshme! Më pas u hodh edhe vetë në zjarr.
Këta martirë burrërinë e të cilëve e theksoi si shembull vetë Antioki dhe e ngritën lart Etër të mëdhenj të Kishës u bënë pararendës të martirëve të krishterë. Refreni i historisë së tyre: “Pa dyshim mbizotërues i pasioneve është arsyetimi shpresëtar”. Lipsani i heroinës ruhet në Patriarkanën Ekumenike ndoshta është lipsani më i vjetër që është ruajtur.