Dje, e enjte 18 tetor 2018, Universiteti Aristotelian i Selanikut nderoi me titullin e lartë “Aristoteli i Artë”, Fortulmturinë e tij, Kryepiskopin e Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë Anastasin, si personalitetin me rrezatim botëror dhe me rol hierapostolik.
Mbledhja panegjirike publike e Senatit të Universitetit Aristotelian të Selanikut u zhvillua në Sallën e Ceremonive të Universitetit, e cila ishte mbushur plot me përfaqësues të autoriteteve më të larta kishtare dhe politike lokale, si edhe nga qindra besimtarë që kishin ardhur për të nderuar Kryepiskopin e Shqipërisë.
Rektori i Universitetit Aristotelian të Selanikut, z. Periklis Mitkas, i dorëzoi Primatit të Kishës sonë titullin “Aristoteli i Artë”. Në fjalën e tij përshëndetëse ai e karakterizoi Kryepiskopin Anastas “njeri të fjalës dhe të veprimit, personalitet me rrezatim ndërkombëtar”.
Duke iu drejtuar Kryepiskopit Anastas, Rektori i Universitetit Aristotelian tha se “na keni mësuar me penën tuaj se për një njeri të shpirtit është e mundur të takojë njerëzit e tjerë, ata qe janë në nevojë. Na frymëzoni të jemi në kërkim të mënyrave të paqësimit dhe të mirëkuptimit”. Duke iu referuar më shumë personalitetit të Kryepiskopit Anastas, Rektori Mitkas theksoi se “stigma e Kryepiskopit është prekja shpirtit. Është dashuria siç na e mësoi vetë Krishti. Kryepiskopi i Shqipërisë ka dhuntinë e perëndishme të çkyçë zemrën e bashkëbiseduesit”.
Duke përfunduar Rektori Mitkas uroi qe “prania Juaj e përndritur të na ndihmojë për tu bërë shkencëtarë më të mirë dhe njerëz më të mirë dhe iu drejtuar Kryepiskopit Anastas me thirrjen “I denjë!”.
Për Kryepiskopin Anastas folën në vazhdim profesorët Theodhoros Dhardhavesis, Dekan i Fakultetit të Shkencave të Shëndetit, Emilios Mavrudhis, përgjegjes i Departamentit të Filologjisë dhe Simeon Paskalidhis, përgjegjës i Departamentit të Pimantikës dhe të Teologjisë Sociale.
Zoti Dhardhavesis u përqendrua në veprën hirapostolikëe dhe sociale të Kryepiskopit Anastas duke theksuar respektin qe tregoi ndaj popujve të Afrikës dhe traditave të tyre. “Nuk ushtroi kurrë presion mbi afrikanët tu largoheshin traditave të tyre”, theksoi ai, duke shtuar se “vepra e Kryepiskopit Anastas në Afrikë përbën manual se si duhet ushtruar vepra ne rajonet e varfëra të Planetit”. Duke iu referuar veprave të Kryepiskopit në Shqipëri, zoti Dhardhavesis theksoi se “Kryepiskopi Anastas realizoi në Shqipëri një çudi”, për të shtuar se “është përpjekur dhe vazhdon të përpiqet për zbutjen e konflikteve në Ballkan”.
Zoti Mavrudhis foli për veprën shumëvëllimëshe dhe të shumanshme të Kryepiskopit Anastas. Prezantoi studimet e Tij më të veçanta dhe iu referua vlerave të librave të Kryepiskopit.
Zoti Paskalidhis iu referua vizionit ekumenik që përcjell vepra e Kryepiskopit Anastas, i cili “kultivoi dhe promovoi në praktikë dialogun ndërfetar për arritjen e paqes midis popujve”. E karakterizoi si “të dimensioneve kolosale” veprën e Kryepiskopit Anastas për ndërtimin e kishave në “çdo vend që Përkujdesja Hyjnore i ngarkoi të shërbejë”. Madje ai e karakterizoi veprën e Kryepiskopit Anastas në Shqipëri me atë të Shën Kirillit dhe Methodhit tek popujt sllavë.
Kryepiskopi Anastas mbajti para pedagogeve dhe besimtarëve të shumtë kumtesën “Pluralizmi fetar dhe bashkëjetesa paqesore: disa mendime”, ku nënvizoi se “kultivimi i një ndërgjegje të shëndoshë fetare përbën mjedisin për arritjen e bashkëjetesës paqësore”.
Kryepiskopi theksoi nevojën e kultivimit nga të gjithë entet fetare të një teologjie paqësore. “Apelohemi të dënojmë çdo formë dhune dhe urrejtjeje fetare. Çdo krim në emër të fesë është edhe një krim kundër vetë fesë. Askush nuk ka të drejtë të përdorë vajin e fesë për të përforcuar konfliktet”, tha konkretisht.
«Varfëria është një nga format më të këqija të dhunës»
«Paqja lidhet ngushtë me drejtësinë. Një botë e padrejtë nuk mund të jetë paqësore. Në shekullin tonë paqja dhe drejtësia kanë përftuar edhe një sinonim tjetër, zhvillimin. Varfëria është një nga format më të këqija të dhunës. Nuk është çudi që kur njerëzve u mungojnë gjërat më të nevojshme të përqafojnë ide radikale për arritjen e drejtësisë. Duhet të kërkojmë më shumë drejtësi për të gjithë popujt, pavarësisht fesë dhe traditave”, shpjegoi Kryepiskopi Anastas.
«Për dashurinë jetojmë dhe vdesim»
Në përmbyllje të fjalës se vet, Kryepiskopi Anastas, ngriti lart rëndësinë e dashurisë. “Për dashurinë jetojmë dhe vdesim. Dashuria është Perëndia dhe Perëndia është dashuria. Vetëm pushteti i dashurisë mund të triumfojë mbi dashurinë për pushtetin. Karburanti mistik qe ve në lëvizje motorin e dashurisë tek çdonjëri prej nesh është besimi i krishterë. Orthodhoksia është një punishte dashurie”
Pas fjalës se Kryepiskopit u shfaq një dokumentar i shkurtër për jetën dhe veprën e Tij, si në Afrikë edhe në Shqipëri ku, përmes skenave emocionuese u prezantuan veprimtaritë e shumanshme të Kryepiskopit Anastas.
Veprimtari për nder të Kryepiskopit Anastas u mbyll me këngë nga kabineti muzikor të Departamentit të Studimeve Muzikore të Univeristetit Aristotelian të Selanikut.
Të pranishëm në veprimtari ishin Mitropoliti i Arkallohorit, Andreas, si përfaqësues i Patriarkut Ekumenik, Mitropolitet e Selanikut, Anthimos; të Llangadhasë, Joanis; të Kassandhrias, Nikodhimos; të Ierissos, Theoklitos; të Neas Krinis, Justinos dhe të Kavallës, Stefanos, si edhe Episkopi i Amorios Nikiforos. Kryepiskopi shoqërohej nga Mitropoliti i Amantias, Nathanaili dhe Episkopi i Bylisit, Asti.
Titulli “Aristoteli i Artë”, ky nderim i lartë, që presupozon personalitete me kontribut të veçantë në Shkencë dhe në Shoqëri, është dhënë vetëm për ish-Presidentin e Greqisë, Kostis Stefanopoullos, për Patriarkun Ekumenik Vartholomeu dhe për Profesorët e shquar Vasilis Skuri dhe Emanuil Kriaras.
Kryepiskopi Anastas nderohet me “Aristototeli i artë” nga Universiteti i Selanikut
Me vendim unanim të Senatit të Universitetit “Aristoteli” të Selanikut, Fortlumturia e Tij, Anastasi, Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, u nderua për veprën e jashtëzakonshme hierapostolike, bamirëse e sociale gjatë qëndrimit në Afrikë, si Kryepiskop i Kenias, Ugandës dhe Tanzanisë (Patriarkana e Aleksandrisë) dhe veprën titanike për ringritjen nga gërmadhat të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Ai u nderua për përpjekjet e pandërprera në mbrojtje të të drejtave njrëzore, për barazi sociale, për pranimin e kujtdo pa dallim racial apo fetar dhe aktivitetin e tij në përgjithësi.
Në veprimtarinë e organizuar me këtë rast, pasditen e së enjtes, 18 tetor, në sallën qendrore të Universitetit “Aristoteli”, fjala e hapjes u mbajt nga Rektori i tij, Prof. Periklis Mitkas. Vazhdoi më pas dorëzimi Kryepiskopit Anastas i nderimit më të lartë të këtij Universiteti, “Aristoteli i Artë”, që jepet vetëm në raste shumë të veçanta. Dorëzimi i medaljes u bë nga dekani Theodhoros Dardavesis dhe shefat e departamenteve, profesorët Emilios Mavrudis dhe A. Paskalides. Pastaj u vazhdua me leximin e motivacionit nga Rektori i Universitetit.
Veprimtaria u mbyll me referatin e mbajtur nga Kryepiskopi, Prof. Dr. Anastasi: “Pluralizmi fetar dhe bashkëjetesa paqësore, disa konstatime”.