31 Αυγούστου, 2019

Kryeprerja e Shën Joan Pagëzorit Nga: Mitropoliti i Korçës Hirësi Joani

Διαδώστε:

Kryeprerja e Shën Joan Pagëzorit

 

Nga:

Mitropoliti i Korçës Hirësi Joani

Ngjarja që ne përkujtojmë sot është për të nderuar kujtimin e Shën Joan Pagëzorit, një nga profetët më të mëdhenj, njeriu më i madh i gjithë historisë së njerëzimit. Këto i ka thënë vetë Zoti, sepse Ai tha që nuk ka njeri më të madh se Shën Joan Pagëzori që të ketë lindur prej gruaje. Dhe pikërisht njeriu më i madh në historinë e njerëzimit, ra viktimë e dëshirave më të ulëta të njerëzimit. Ju e dini historinë se si Herod Andipa i cili ishte i biri i Herodit të madh, i atij që kishte masakruar 14 mijë foshnjat në Rama, që kishte persekutuar e vrarë me mijëra e me mijëra njerëz të tjerë, po ky njeri duke shkelur ligjin e Zotit, kishte ndarë gruan e tij dhe kishte marrë gruan e të vëllait, kur i vëllai i tij ishte ende gjallë. Askush nuk guxonte të fliste sepse të gjithë e kishin frikë tiranin. Megjithatë zëri i drejtësisë asnjëherë nuk është ndalur në botë, Zoti ka ngritur gjithmonë njerëz që kanë folur për të mbrojtur ligjin e Perëndisë dhe një nga këta njerëz për atë kohë ishte dhe Shën Joan Pagëzori. Ai nuk u tremb nga persekutimi, ai nuk u tremb se do ta vrisnin apo do ta burgosnin, por doli përpara mbretit dhe i tha që nuk është e drejtë të mbash gruan e vëllait tënd. Kjo është një shkelje që i bëhet ligjit të Perëndisë. Ju mund ta merrni me mend zemërimin e mbretit kur këto fjalë u thanë në publik, sepse Shën Joani i doli para në kohën kur Herodi po shkonte në tempull dhe i foli që nuk është e drejtë dhe e hijshme që një njeri si ty të shkelë ligjin e Zotit. Herodi u tërbua nga zemërimi e megjithatë pati një lloj frike, sepse populli e mbante Joanin për profet dhe Shën Joani ishte profeti më i madh ndër profetët. Gruaja e Herodit, një grua e zhytur në vese vazhdimisht e nxiste të shoqin që ta vriste Shën Joan Pagëzorin, sepse ai fliste vazhdimisht, goja e tij kurrë nuk u ndal dhe të gjithë ne duhet të marrim një lloj shembulli që sa do të vështira të jenë kushtet, qoftë nga pushtetet, qoftë nga farefisi, qoftë nga miqtë, askush nuk duhet të bëjë kompromis me drejtësinë, drejtësia mbetet drejtësi, kjo është dhe fjala që Shën Jakovi thotë në letrën e tij “a nuk e dini që miqësia e botës është armiqësi për Perëndinë.” Shpesh ne për të mbajtur hatrin e këtij apo atij nuk e kemi për gjë të shkelim ligjin e Perëndisë dhe kjo gjë është e padrejtë, asnjë nuk mund të justifikojë shkeljen e ligjit të Zotit. Pikërisht Shën Joani është ai pishtar që vazhdimisht na jep këtë shembull, vazhdimisht na kujton që duhet ta mbrojmë drejtësinë pa asnjë lloj kompromisi. Ne do ta bëjmë me butësi dhe paqe, por gjithmonë duke mbrojtur të drejtën.

Herodi urdhëroi të arrestohet Joani dhe të futet në burg në një kështjellë që është afër Jerusalemit dhe e mbanin në bodrum, i cili, jo vetëm mbante erë të keqe, por ishte edhe shumë vapë dhe atje e mbajtën përreth një vit. Megjithatë askush nuk mund ta ndalte gojën e profetit. Shumë njerëz vinin e flisnin me të, sepse Shën Joan Pagëzori ishte profeti që vazhdimisht predikonte pendimin, ai e fillon misionin e tij me të njëjtat fjalë që e filloi dhe Krishti “Pendohuni se Mbretëria e Qiellit u afrua.” Këto janë fjalët për të cilat ne kemi nevojë më shumë se çdo fjalë tjetër, sepse pendimi në Kishën Orthodhokse nuk do të thotë vetëm të pranosh me mend dhe të thuash pendohem për atë ç’ka bëra. Pendimi në Kishë do të thotë ndryshim i mënyrës së të jetuarit, do të thotë të ndryshosh gjithçka, prandaj dhe metania ka kuptimin e ndryshimit të mendjes, ndryshimit të gjithçkaje që mendojmë dhe jetojmë. Pikërisht këtë predikim bënte vazhdimisht Shën Joan Pagëzori dhe ju e dini nga Ungjilli që një ditë kur Herodi dha një festë të madhe, kur po afrohej Pashka dhe ai kishte ditëlindjen. Vajza e Herodianës, gruas së tij kërceu shumë bukur para tij. Këto kërcime ishin kërcime të ulëta, kush ka njohuri rreth Palestinës së asaj kohe e kupton se çfarë lloj kërcimesh ishin ato dhe pikërisht Herodit i pëlqeu ky kërcim dhe i tha vajzës duke bërë be që t’i kërkonte çfarë të donte qoftë dhe gjysmën e mbretërisë së tij ishte gati ta jepte. Ajo mbasi mbaroi kërcimin u këshillua me nënën e saj dhe i kërkoi kokën e Shën Joanit. Herodit i erdhi keq thuhet në ungjill, sepse përsëri kishte frikë nga ai, por për të mbajtur fjalën dërgoi një nga ushtarët për t’i prerë kokën dhe ia sollën kokën e Shën Joan Pagëzorit në një pjatë Herodianës, e cila mbasi mori një gjilpërë filloi t’ia shponte gjuhën t’ia priste copa-copa duke thënë “Kjo gjuhë që deri tani fliste kundër meje, ku është” dhe nga zemërimi i madh mori kokën dhe shkoi e varrosi në një vend të ndotur. Një nga shërbëtoret e saj një grua besnike me emrin Joana, nuk e duroi dot këtë gjë, e mori kokën e profetit dhe shenjtorit të madh dhe e varrosi në malin e ullinjve dhe prej asaj kohe ne nuk kemi asnjë të dhënë rreth kokës së tij. Dy a tre shekuj më vonë një senator i famshëm i Perandorisë vendosi të bëjë një jetë asketike në malin e Ullinjve, një mal në lindje të Jerusalemit, atje ku po lutej Perëndia i shfaqi që poshtë vendit ku po lutej ai ishte koka e Shën Joan Pagëzorit. Ai gërmoi gjeti kokën e tij dhe që prej asaj kohe koka e tij u bë simbol i gjithë shërimeve. Kushdo që i afrohej kokës gjente shërim dhe pikërisht më vonë Shën Konstandini dhe Elena ngritën një Kishë të madhe në Sebastë, ku vunë dhe si lipsan kokën e tij më 29 Gusht. Kjo është dhe arsyeja që ne pikërisht përkujtojmë këtë ditë. Historia nuk mbaron me kaq. Çdokush do të dënohet dhe do të shpërblehet për ato që ka bërë, kur ne themi vazhdimisht që gjithsekush çfarëdo që bën e bën për veten e tij kjo është mëse e vërtetë. Mbas pak kohësh mbasi vranë profetin e madh, i vjehri i Herodit i zemëruar se i kishin ndarë të bijën duke qenë mbret i Arabisë e sulmoi dhe e mundi Herodin dhe nga kjo Herodin romakët e internuan në Spanjë dhe atje e kaloi jetën në poshtërim bashkë me Herodianën dhe Salomenë. Gjithsekush nga ne e ka të qartë që gjithçka që do të bëjë do ta bëjë për veten e tij. Ne nuk mund as ta dëmtojmë Zotin, as nuk mund t’i japim Zotit diçka që ta shtojmë, Zoti as nuk pakësohet as nuk shtohet, gjithçka që ne e bëjmë në Kishë tek vëllezërit apo tek motrat, tek prindërit gjithçka e bëjmë për veten tonë. Prandaj kur përkujtojmë jetët e shenjtorëve, kur përkujtojmë ngjarjet e tyre ne nuk i përkujtojmë thjesht si ngjarje të veçuara nga jeta jonë, jetët e tyre na japin neve jetë, ato jetë na japin shemull jete, çdo jetë shenjtori është një model i të jetuarit, ne i përkujtojmë ato për t’i imituar, sepse ata janë modelet, ata ishin njerëzit të cilët pasqyruan jetën e Krishtit nëpërmjet jetës së tyre, kështu që nëpërmjet tyre ne shohim pikërisht Krishtin. Meqenëse ne nuk jemi aq të shenjtë sa të shohim direkt Krishtin, ne ndihmoemi nga shenjtorët, sepse çdo shenjt pasqyron Krishtin. Nuk është pa qëllim që në Malin e Shenjtë, sidomos në trapezaritë po të shikosh të gjithë shenjtorët janë pikturuar me të njëjtën fytyrë. Kjo ngjall një lloj kureshtje tek disa. Ndoshta piktorët nuk dinë të pikturojnë, dhe dinë vetëm një model, pa kuptuar arsyen e thellë, pse piktori i ka pikturuar të gjithë në atë formë. Piktorët i kanë pikturuar në këtë formë, sepse të gjithë shenjtorët janë të ngjashëm me fytyrën e Krishtit, për shkak se me jetën e tyre ata imituan jetën e Krishtit duke u bërë të ngjashëm me Krishtin dhe me Zotin. Kjo është arsyeja, pse ne i përkujtojmë ngjarjet e tyre vazhdimisht.

Dita e sotme është një ditë përkujtimi, por edhe një ditë agjërimi. Kisha Orthodhokse e ka ndjekur në mënyrë të përpiktë agjërimin sot, pikërisht si shenjë për të treguar se Kisha ndahet nga qejfet e kësaj bote, nga qejfet e ulëta të saj, sepse pikërisht Herodi bëri një darkë. Në shumë vende orthodhokse si në Rusi dhe vende të tjera këtë ditë nuk përdorin as pjatanca në guzhinë, nuk përdorin as diçka që t’iu kujtojë atë ngjarje, për të treguar që Kisha është e ndarë nga dëfrimi i kësaj bote, është e ndarë nga dëfrimi i Herodit, prandaj dhe agjërimi nuk është një lloj diete, por një lloj meditimi për të kuptuar dhe ndijerë fuqinë e madhe që kishte mëkati në këtë botë. Ju e shihni që njeriu më i madh që ka lindur nga gratë, profeti më i madh i të gjitha kohërave, ai që lidh Dhiatën e Vjetër me Dhiatën e Re, pikërisht u vra si rezultat i mëkatit, mëkati luftoi kundër tij dhe e vrau. Kjo gjë duhet të na bëjë ne të mendojmë pak më thellë, të mendojmë se nuk është aq e lehtë të luftohet kundër mëkatit, të mendojmë që ne mund ta mundim mëkatin vetëm me fuqinë e Perëndisë, sepse mëkati është shtrirë në të gjithë botën. Ju e shikoni sesi gjithë njerëzimi, gjithë universi është prirur drejt mëkatit, është prirur drejt vdekjes. Pikërisht ajo që mund ta ndali këtë shkatërrim, ajo që mund t’i japë botës një rilindje është vetëm feja. Çdo shoqëri njërëzore e cila nuk ka si bazë morale fenë është e destinuar të prishet dhe të korruptohet. Historia e gjatë e njerëzimit e ka treguar këtë, nuk ka egzistuar asnjëherë ndonjë shoqëri njerëzore, pa patur një bazë morale. Kjo është dhe arsyeja që ne sot agjërojmë dhe meditojmë, meditojmë rreth jetës tonë, meditojmë rreth seriozitetit të mëkatit. Mëkati nuk është diçka abstrakte, diçka që rri diku larg, mëkati është zhytur thellë në natyrën njerëzore, është zhytur aq thellë, sa që ne jemi bërë të vdekshëm, ne jemi bërë gati të sëmuremi, gjëja më e vogël na sëmur përnjëherë, shumë është zhytur mëkati tek ne dhe pikërisht për ta mposhtur atë ne kemi nevojë për fuqinë e Perëndisë, ne duhet të mbajmë para syve tanë gjithmonë njerëz si Shën Joan Pagëzori, si simbol i drejtësisë pa kompromis, si simbol i agjërimit, si simbol i shenjtërisë. Kështu që gjithsekush nga ne, duke agjëruar le të meditojë pak më tepër mbi jetën e tij, mbi fenë, mbi rëndësinë e madhe të ardhjes së Krishtit, mbi shpëtimin që solli Krishti në botë dhe mbi shpëtimin tonë personal.

Le t’i lutemi shenjtit të madh, të na ndihmojë dhe ne në rrugën e pendimit, në rrugën e drejtësisë dhe në rrugën e shenjtërimit. Amin

Mitropoliti i Korçës Hirësi Joani

radiongjallja.org
Διαδώστε: