07 Ιουνίου, 2019

Kuptimi i Eukaristisë – Kungimi i Shenjtë

Διαδώστε:

KUPTIMI I EUKARISTISË – KUNGIMI I SHENJTË

Supozoni se ju ftojnë në një festë – kjo mund të jetë një martesë, një drekë familjare, ose mund të jetë një ftesë nga dikush për të ngrënë një vakt në familjen e tij. Tani mendoni se ai që ju ka thirrur në një prej këtyre gostive që thamë u ofron ushqimin dhe ndërsa të gjithë hanë ju nuk pranoni të merrni asgjë nga ushqimi, si do të ndihej i zoti i shtëpisë? Veçanërisht në një familje shqiptare ku ushqimi dhe mikpritja luajnë një rol qendror, i zoti i shtëpisë do të insistonte që i ftuari të merrte ushqim (të hante) dhe nëse i ftuari do të vazhdonte të refuzonte i zoti i shtëpisë do të ndihej i fyer.
Shën Joan Gojarti e përdori këtë analogji shumë shekuj më parë për të përshkruar se sa fyese është për Perëndinë, që i fton të Krishterët të vinë në Kishë, të marrin pjesë në Liturgjinë Hyjnore, dhe më pas në momentin më të veçantë të Kungimit të Shenjtë, kur vet Zoti ynë ofron Veten e Tij për besimtarët, shumica e besimtarëve refuzojnë për t’iu afruar dhe për të marrë pjesë në banketin e Tij qiellor.
“Psalët Himnet” predikoi Shën Joan Gojarti “pohuat Besimin”. Përse nuk merrni pjesë në tryezën qiellore? Disa nga ju pretendojnë se nuk jeni të denjë. Epo atëherë ju nuk jeni gjithashtu të denjë për të marrë pjesë në Lutjet e Kishës. Ju përgjërohem! Tryeza mbretërore është shtruar për ju. Engjëjt shërbejnë në këtë tryezë. Vet Mbreti i mbretërve është i pranishëm. Çfarë prisni atëherë? Keni veshur rroba të papastra dhe akoma nuk shkoni të ndërroheni?
“Jisui na ka ftuar në qiejt, në tryezën e Mbretit të lavdive, dhe ne hezitojmë, në vend që të shkonim me vrap drejt saj; Atëherë çfarë shprese kemi për shpëtimin? Ne nuk mund të fajësojmë dobësinë tonë; ne nuk mund të fajësojmë natyrën tonë. Dembelizmi na bën të denjë për të marrë Kungimin Hyjnor! Prandaj – vazhdon Shën Joan Gojarti – ju përgjërohem që të afroheni me frikë dhe me përulësi.
Shikoni çfarë fjalë dalin nga goja e Shenjtit! Sa prej nesh e konsiderojnë fyerje ndaj Perëndisë kur shkojmë në Kishë të Dielave, dhe nuk Kungohemi sepse shkojmë të papërgatitur!
Sigurisht që Shën Gojarti nuk është i vetmi që shpreh këtë qëndrim drejt marrjes së Kungimit të Shenjtë.
Shën Joan Kasianoi këshillon: “ Do të ishte shumë herë më mirë, që me përulësi dhe duke qenë të vetëdijshëm se ne nuk jemi kurrë të denjë për të marrë Kungimin e Shenjtë,{ne do t’i afroheshim dhe ta merrnim atë çdo të diel për shërimin e sëmundjeve tona, sesa nga krenaria të themi se vetëm një herë në vit jemi të denjë për të marrë Kungimin e Shenjtë”.
Të dy këta shenjtorë nxisin besimtarët që të kungohen sa më shpesh madje nëse është e mundur edhe Të dy këta shenjtorë nxisin besimtarët që të kungohen sa më shpesh madje nëse është e mundur edhe çdo javë!
Shën Joan Kasianoi vazhdon: “ ne nuk duhet t’i shmangemi Kungimit të Shenjtë për shkak se mendojmë se jemi mëkatarë. Ne duhet t’i afrohemi sa më shpesh për shërimin dhe pastrimin e shpirtrave tona, por me përulësi dhe besim duke e konsideruar veten të padenjë ….Kungimi i Shenjtë është ilaçi për kurimin e sëmundjeve tona”.
Besimi ynë Orthodhoks është si një thesar; me traditën, mësimet dhe urtësinë. Për fat të keq shumë njerëz që i përkasin besimit Orthodhoks, edhe disa që gjatë gjithë jetës së tyre shkojnë në Kishë, nuk e kuptojnë se çfarë thesari të pafund ka besimi ynë.
Ne duhet ta dimë shumë mirë se synimi ynë parësor i besimit tonë është të kuptojmë se çfarë do të thotë të jesh i Krishterë Orthodhoks dhe t’i përkasësh Kishës Orthodhokse.
Që të kapësh esencën e Besimit tonë do të thotë të hysh në një marrëdhënie të ngushtë, të gjallë, dinamike me Perëndinë e tërëdashur. Nëse ne do të hyjmë në këtë marrëdhënie me Perëndinë, atëherë çdo marrëdhënie tjetër që kemi – me familjen tonë, me miqtë tanë, me kolegët, me fqinjët do të shtrihet në mënyrën më frutdhënëse dhe më të bukur.
Kështu synimi ynë si të Krishterë është bashkimi me Perëndinë. Por si mund ta arrijmë këtë bashkim?
Ne duhet të përdorimit mjetet që Kisha na ofron! Ne duhet t’i kuptojmë dhe t’i përdorim siç duhet mjetet shpirtërore që mësimi ynë Orthodhoks na i mëson. Dhe cilat janë këto mjete kryesore?
Lutja, Kreshmimi, lëmosha, bashkë me Misteret e Kishës – veçanërisht Kungimi i Shenjtë dhe Rrëfimi i Shenjtë.
Po le të flasim për Kungimin e Shenjtë: “
Sa prej nesh e kuptojnë se Eukaristia – Kungimi i Shenjtë – është mjeti i parë dhe kryesor me anë të cilit ne bashkojmë veten tonë me Perëndinë. Në një mënyrë mistike, të cilën ne kurrë nuk mund ta shpjegojmë apo kuptojmë plotësisht, Zoti ynë e ofron Veten e Tij për ne, dhe hyn brenda nesh në mënyrën më të ngushtë.
Ashtu siç ka shkruar dhe teologu i njohur Aleksandër Shmemen: “Darka mistike është përmbushja, kurorëzimi, plotësimi i dashurisë së Perëndisë, esenca e shërbesës, mësimeve dhe mrekullive të Tij. Mendoni për Darkën Mistike jo thjesht si një vakt, por si një vepër e tërë {larja e këmbëve të dishepujve, ofrimin për ta të bukës dhe verës, dhënien e mësimit të Tij në një Urdhërim të ri të dashurisë}. Kungimi i Shenjtë është një Ikonë e Dashurisë Hyjnore.
Është shija e banketit qiellor, banketit Mesianik – që banon në prezencën e Perëndisë, që qëndron në dashurinë e Tij, duke marrë pjesë në gëzimin e Tij! Kungimi i Shenjtë është shfaqja e synimit tonë – pjesëmarrja në Mbretërinë e Perëndisë”.
Nëse Kungimi i Shenjtë është mjeti kryesor me anë të së cilit ne bashkojmë veten me Zotin tonë Jisu Krisht, atëherë ne mund të kuptojmë përse – javë për javë – çdo të Diel Kisha kremton Liturgjinë Hyjnore. Ne mblidhemi së bashku çdo të Diel dhe në festa të veçanta për të marrë Trupin dhe Gjakun e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht!
Ashtu si Aleksandër Shmemen vazhdon të shpjegojë: “ Fakti i padiskutueshëm është që në Kishën e hershme {e shekujve të parë} kungimi i të gjithë besimtarëve në çdo Liturgji Hyjnore ishte një normë e qartë. Gjithashtu ai që nuk merrte Kungimin e Shenjtë për disa javë rresht shkishërohej vet nga Trupi i Kishës”. Kungimi me Trupin dhe Gjakun e Krishtit ishte një përmbushje e vetëkuptueshme e Pagëzimit dhe Krezmimit, dhe nuk ekzistonte asnjë kusht tjetër për marrjen e Kungimit.

Ashtu si Priftërinjtë marrin Kungimin në çdo Liturgji Hyjnore, po kështu duhet të marrin edhe besimtarët, na mëson Shën Joan Gojarti, “ka raste kur Prifti nuk ndryshon nga ata që janë poshtë tij, si në rastin e Mistereve të Shenjta. Ne nderohemi njësoj me ta, …. e njëjta Kup dhe i njëjti Trup ofrohet për të gjithë…. dhe të gjithë ne njëlloj përqafojmë njëri – tjetrin”.
Pra secili prej nesh duhet të përgatitet për tu bashkuar me Perëndinë nëpërmjet Kungimit të shenjtë rregullisht. Por ngrihet pyetja: Si duhet të përgatitemi? Çfarë duhet të bëjmë çdo javë për të qenë në rregull për të marrë Kungimin e Shenjtë?
Së pari dhe më kryesorja, përgatitja më e madhe për të marrë Kungimin e Shenjtë është të jetuarit e një jete të Krishterë sa më serioze. Kjo përfshin komunikimin me Perëndinë çdo ditë me anë të lutjeve tona, me anë leximit të Ungjillit dhe librave të tjerë shpirtërorë. I krishteri serioz vjen në Kishë rregullisht dhe merr pjesë plotësisht në adhurim. Dhe pjesë e kësaj jete të disiplinuar përfshin kreshmimin – kreshmim të Mërkurave dhe të Premteve, ditët që kujtojmë tradhtinë dhe kryqëzimin e Zotit, po ashtu dhe kreshmim në mbrëmje para se të marrim Kungimin e Shenjtë, dhe sigurisht mosngrënien dhe pirjen e asgjëje mëngjesin e Liturgjisë Hyjnore.
I Krishteri serioz është një shërbëtor besnik i dhuratave të Perëndisë,
Që do të thotë të përdorë diturinë, talantat dhe aftësitë që i ka besuar Zoti për të mirën dhe në dobi të të tjerëve. Ai bëhet një dëshmi e dashurisë së Perëndisë, që përpiqet të shpërndajë Ungjillin e Zotit në vendin që jeton. Dhe mbi të gjitha, i Krishteri serioz që dëshiron të marri Kungimin e Shenjtë duhet të ketë dashuri në zemrën e tij. Nëse ne përpiqemi seriozisht për të jetuar një jetë me në qendër Krishtin, një jetë të disiplinuar ku ne përpiqemi t’i duam të gjithë njerëzit dhe t’i falim ata që na bëjnë keq, atëherë jemi të përgatitur për të marrë Kungimin e Shenjtë dhe të bashkojmë veten me Perëndinë çdo javë.
Kungimi i Shenjtë është mjeti i parë dhe kryesori që ne duhet ta fillojmë ta përdorim. Duke marrë pjesë në këtë Mister çdo të Diel, duke jetuar nga një Eukaristi në Eukaristinë tjetër, ne do të zbulojmë një burim ushqimi të bollshëm, shërimi, fuqie për t’iu afruar sa më afër Perëndisë dhe për tu përballur me çfarëdolloj gjërash që mund të na sjellë java tjetër!


Radio Ngjallja

Διαδώστε: