10 Ιουνίου, 2024

Leximet biblike

Διαδώστε:

E hënë, 10 qershor 2024 – Leximet biblike.

KRISHTI U NGJALL!

APOSTULLI – Veprat e Apostujve 17:1-9

Edhe si kaluan nëpër Amfipoli e nëpër Apoloni, erdhën në Thesalonik, ku ishte sinagoga e Judenjve. Edhe Pavli sipas zakonit të tij hyri tek ata, edhe tri të shtuna me radhë diskutonte me ta prej shkrimeve, duke zgjidhur e duke u treguar se Krishti duhej të pësonte e të ngjallej prej së vdekurish, edhe se ky është Krishti Jisu, që po ju predikoj unë juve. Edhe disa nga ata u bindën, edhe u bashkuan me Pavlin e me Silën, si dhe një shumicë e madhe nga Grekët shpresëtarë, edhe jo pak nga gratë e parisë.
Po ata Judenj, të cilët nuk bindeshin, patën smirë, edhe morën me vete ca njerëz të këqij nga ata të tregut, edhe mblodhën njerëz, edhe trazonin qytetin; edhe u sulën në shtëpinë e Jasonit, edhe kërkonin që t’i sillnin ata në popull. Po pasi nuk i gjetën, hoqën zvarrë Jasonin dhe ca vëllezër tek të parët e qytetit, duke bërtitur se këta që kthyen përmbys botën, kanë ardhur edhe këtu, të cilët Jasoni i priti në shtëpi; dhe të gjithë këta punojnë kundër urdhëresave të Qezarit, duke thënë se është një tjetër mbret, Jisui. Edhe përzien turmën dhe të parët e qytetit që i dëgjonin këto. Edhe si u siguruan prej Jasonit e prej të tjerëve, i lëshuan.

* * * * *

UNGJILLI – Joani 11:47-54

Kryepriftërinjtë, pra, dhe Farisenjtë mblodhën një këshillë, dhe thoshin: Çfarë të bëjmë? Se ky njeri bën shumë çudira. Në e lënçim atë kështu, të gjithë do t’i besojnë; edhe do të vijnë romakët, dhe do të marrin edhe vendin tonë edhe kombin.
Edhe një nga ata, Kaiafa, që ishte kryeprift i atij viti, u tha atyre: Ju nuk dini asgjë. As nuk mendoni se është mirë për ne të vdesë një njeri për popullin, edhe të mos humbasë gjithë kombi. Edhe këtë nuk e tha prej vetes së tij, po duke qenë kryeprift i atij viti, profetizoi se Jisui kishte për të vdekur për kombin. Edhe jo për kombin vetëm, po edhe që të mbledhë në një bijtë e shpërndarë të Perëndisë.
Që atë ditë pra morën vendim në këshillë që ta vrasin. Prandaj Jisui nuk ecte më haptas në mes judenjve, po shkoi së andejmi afër shkretëtirës, në një qytet të quajtur Efraim, edhe atje rrinte bashkë me nxënësit e tij.

Διαδώστε: