Lindja e Hyjlindëses Mari
E para festë e madhe e Kishës, që prej fillimit të Vitit të Ri Kishtar më 1 Shtator, është e kremtja e Lindjes së Hyjlindëses Mari, Virgjëreshës së Tërëshenjtë. Në Kishën Orthodhokse e përkujtojmë këtë festë më 8 Shtator.
Viti i Ri Kishtar çelet me këtë të Kremte të Lindjes së Hyjlindëses, ndërkohë që gjithashtu mbyllet me një festë Hyjlindësore, Fjetjen e të Tërëshenjtës më 15 Gusht. Pra e mbyllim vitin me Fjetjen e Marisë dhe e fillojmë me Lindjen e saj.
Dimë se pothuajse asnjërit shenjtor të Kishës Orthodhokse nuk i përkujtohet dita e lindjes. Faktikisht, shumicës së tyre as që i dihet data e saktë e lindjes. Ne i përkujtojmë ata në ditën e fjetjes së tyre, pra në ditën e lindjes në jetën e përjetshme, ditën kur jeta e re që morën gjatë Pagëzimit plotësohet dhe përmbushet në Mbretërinë e Perëndisë. Kjo vlen më së shumti për martirët, por jo vetëm. Ka edhe shembuj të shenjtorëve të tjerë, si p.sh. shën Hermani, Inocenti etj. përkujtohen në ditën e vdekjes (ka edhe raste kur përkujtohen më shumë se një herë në vit. Në këtë ditë ata vdiqën për botën dhe hynë në përjetësi, duke kaluar nga vdekja në jetë.
Padyshim, tingëllon e vështirë të festosh ditën e vdekjes së dikujt. Megjithatë, sipas Traditës së Krishterë, pas Shërbesës së Varrimit shtrohet gjithmonë një vakt për pjesëmarrësit. Ky konsiderohet një vakt dashurie, një banket për të kremtuar jetën e të fjeturit dhe hyrjen e tij në jetën e përjetshme.
Megjithatë, kemi 3 raste kur përkujtojmë ditët e lindjes së shenjtorëve: Ditëlindjen e shën Joan Pagëzorit, të Hyjlindëses Mari dhe sigurisht, të Krishtit, që e festojmë më 25 Dhjetor.
Në Bibël nuk flitet për lindjen e Virgjëreshës. Kjo ndodh sepse Shkrimi i Shenjtë përqendrohet dhe thellohet më tepër në Jisuin e Nazaretit si Shërbëtorin e vuajtur, Mesian e Vajosur, që përmes kryqëzimit dhe vdekjes së vullnetshme hyn në lavdinë e pasosur dhe lartësohet përmbi gjithçka. Ato çka dimë për lindjen e Virgjëreshës Mari na janë përcjellë nëpërmjet Traditës së Shenjtë, ndërsa lindja e shën Joan Pagëzorit dhe padyshim e Krishtit trajtohen në Shkrimin e Shenjtë.
Megjithatë, ekziston një dorëshkrim i cili shërben si burim të dhënash dhe frymëzim për himnet kishtare kushtuar të kremtes së Lindjes së të Tërëshenjtës. Bëhet fjalë për Ungjillin e Jakovit, i cili fokusohet tërësisht tek Maria, që nga ngjizja, lindja, fëmijëria dhe gjithë jeta e saj, ku përshkruhet si Tempulli i Perëndisë së gjallë. Gjithë ngjarjet e jetës së saj, që nga dita që lindi, janë parë në dritën e asaj që ishte thirrur të bëhej, pra Tempulli i Zotit Krisht. Ajo do të ishte mjeti i ardhjes në botë të Epifanisë më të lartë e më hyjnore, mjeti i përmbushjes së vetëzbulesës së Perëndisë në Mishërimin e Tij.
Pra ky dorëshkrim i Ungjillit të Jakovit na hedh dritë mbi lindjen e Hyjlindëses. Do të mjaftonte vetëm fakti që Biri i saj është Fjala e Mishëruar e Perëndisë, Logos-i Hyjnor që mori natyrë njerëzore dhe lindi prej virgjëreshës nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë, që të krishterët të nderonin edhe lindjen e saj. Do të kishte kaq shumë për të thënë për Marinë, edhe nëse nuk do të kishte asnjë të dhënë. Edhe nëse nuk do të njiheshin emrat e prindërve të saj, apo asgjë tjetër, do të kishte kaq shumë hapësirë për të folur për të vetëm prej atyre që dimë nga Shkrimi i Shenjtë, pra se është Nëna e Zotit Krisht, Shpëtimtarit, Birit të përjetshëm të Perëndisë. Fakti që Maria u denjësua për një lavdi të tillë, dëshmon për hirin e madh të saj.
Nëse lexojmë dhe psalim himnet e së kremtes së Lindjes së Hyjlindëses, do të kuptojmë se ajo është vërtetë e denjë për këtë lavdërim. Në himnet njihemi edhe me hyjprindërit Joakim dhe Ana. Emrat e të dy prindërve të saj përmbajnë emrin e Perëndisë: Ana do të thotë “Hir i Perëndisë, ndërsa Joakim “dhuratë ose triumf i Perëndisë”.
Maria lindi prej tyre ndërsa ishin shumë të shkuar në moshë (gjë që nuk ishte e pazakontë për shumë gra të Biblës) dhe pa fëmijë, pasi Ana ishte shterpë. Të dy prindërit ishin shumë shpresëtarë dhe respektonin Ligjin e Moisiut. Madje thuhet se Joakimi u dha të varfërve një të tretën e pasurisë së tij, një të tretën ia dhuroi Tempullit dhe një të tretën e mbetur e mbajti për vete dhe për Anën. Edhe pse të shkuar në moshë, i luteshin shumë Perëndisë që t’u dhuronte një fëmijë, ashtu si Sarës dhe Abrahamit; nënës së Samsonit, gruas së Manoah-ut; nënës së Samuelit, si dhe Elizabetës dhe Zaharisë, prindërve të Joan Pagëzorit.
Sipas historive biblike dimë se fëmijët e lindur nga nëna beronjë ishin shumë të veçantë. Lindja e Marisë i hoqi Anës mallkimin e madh të shterpësisë. Faktikisht, edhe në shërbesat kishtare thuhet “shterpësinë e Joakimit dhe të Anës”, megjithatë, dimë se asokohe nuk flitej kurrë për shterpësinë e burrit. Gruaja ishte ajo që cilësohej e tillë. Në ndonjë rast, shterpësinë mund ta kishte burri dhe jo gruaja, por atëherë kjo gjë nuk dihej. Fakti që një grua nuk mund të bënte dot fëmijë konsiderohej fatkeqësi mbi të, pasi kështu hiqte një mundësi për të ardhur në jetë një që do të bëhej shërbëtor i Perëndisë, madje edhe vetë Mesia.
Kështu, në lutjet e tyre të pareshtura, Joakimi dhe Ana thoshin se nëse Perëndia do t’i jepte një fëmijë, do t’ia përkushtonin Atij. Perëndia i dëgjon lutjet e tyre, ata bashkohen dhe Ana mbetet shtatzënë, jo me një djalë por një vajzë. Maria ishte për ta një dhuratë e Perëndisë, prandaj ia ofrojnë Perëndisë në Tempull (kjo ngjarje është gjithashtu e kremte e Kishës, të cilën e festojmë në 21 nëntor), ku rritet në shenjtëroren e shenjtëroreve. U lind nëpërmjet një bekimi dhe premtimi dhe u rrit duke u përgatitur për t’u bërë Nënë e Perëndisë.
Këto shprehin dhe himnet që psalen në këtë të kremte. Himnet më poshtë thuhen në shërbesën e Mbrëmësores së të Kremtes së Lindjes së Hyjlindëses:
Sot Perëndia që prehet në fronet mendore
përgatiti për vete një fron të shenjtë mbi tokë
Ai që përforcoi me urtësi qiejt
Bëri me njeridashje një qiell të gjallë
sepse nga rrënjë e pafrytshme
na nxori bimë jetëprurëse
Nënën e Tij
O Perëndi i çudive dhe shpresa e të dëshpëruarve
Lavdi më ty.
Kjo është dita e Zotit, ngazëllohuni o popuj
Se lindi drita dhe libra e Fjalës
Dhe tempulli i Kryepriftit
Edhe Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht
Për shpëtimin e shpirteve tona.
Një himn tjetër:
Edhe pse me vullnet hyjnor, gra të shquara shterpa nxorën lastarë,
Por Maria perëndishëm ndriçoi më tepër se të gjitha këto që lindën,
sepse duke u lindur nga nënë e pafrytshme në mënyrë paradoksale,
lindi në mish përmbinatyrshëm nga barku i pafarë Perëndinë e të gjithave.
Është porta e vetme e Birit të Vetëmlindur të Perëndisë ,
të cilën pasi e kaloi, e ruajti të mbyllur.
Dhe duke i sistemuar të gjitha urtësisht, siç di Ai ,
punoi shpëtimin për të gjithë njerëzit.
Një tjetër:
Sot hapen dyert sterile
dhe del porta virgjërore e hyjnueshme
Sot fillon hiri të japë fryt
duke i paraqitur botës nënë Perëndie
Nëpërmjet së cilës tokësoret bashkohen me qiejt
për shpëtimin e shpirtrave tanë
Në shërbesën e Mbrëmësores ka tre lexime nga Dhiata e Vjetër, siç bëhet gjithmonë në Mbrëmësoret panegjirike. Në Mbrëmësoret e festave kemi gjithmonë lexime të marra nga Dhiata e Vjetër (përveç të kremteve të apostujve, si psh. Petro, Pavli, Sh. Joan Theologu etj.). Në këtë rast kemi tre lexime, tipike për të kremtet Hyjlindësore. Në Hyrjen e Hyjlindëses në Tempull apo në Mbrojtjen e Hyjlindëses (1 Tetor) lexohen pjesë nga Dhiata e Vjetër, të cilat janë interpretuar si profeci apo paraprirje për të Tërëshenjtën.
Leximi i parë është nga Gjeneza (28:13-17):
Doli Jakovi nga pusi i betimit dhe shkoi në Harran dhe gjeti një vend e fjeti aty, sepse perëndoi dielli. Dhe mori një nga gurët e vendit dhe e vuri në kokën e tij edhe fjeti në atë vend edhe pa një ëndërr. Dhe ja, një shkallë e mbështetur në tokë, maja e së cilës arrinte në qiell dhe engjëjt e Perëndisë ngjiteshin dhe zbrisnin mbi të, ndërsa Zoti po mbështetej mbi të, dhe tha: Unë jam Perëndia i Abrahamit, atit tënd, dhe Perëndia i Isaakut; mos ki frikë. Toka mbi të cilën ti fle, ty dhe farës sate do t’ia jap. Dhe do të jetë fara jote si rëra e dheut dhe do të shtrihet në perëndim dhe në jug, dhe në veri dhe në lindje. Dhe do të bekohen në ty dhe në farën tënde të gjitha fiset e tokës. Dhe ja, unë do të jem me ty, duke të të ruajtur në çdo udhë ku do të ecësh. Dhe do të të kthej në këtë tokë, sepse nuk do të të braktis derisa të bëj të gjitha ato që të thashë. Dhe u ngrit Jakovi nga gjumi i tij dhe tha se është Zoti në këtë vend, kurse unë nuk e dija. Dhe u frikësua dhe më tha: “Sa i frikshëm qenka ky vend!” Nuk është ky, veçse shtëpi Perëndie dhe kjo është porta e qiellit.
Është zgjedhur ky lexim sepse shkalla e Jakovit, që ngjitet lart në qiell dhe mbi të cilën ngjiten e zbresin engjëjt e Perëndisë simbolizon Hyjlindësen, sepse nëpërmjet saj vjen në botë Epifania e plotë e Perëndisë. Ajo është si një shkallë nëpërmjet së cilës Perëndia zbret mbi dhé, duke marrë trup njerëzor. Gjithashtu, në këtë ëndërr të Jakovit, i cili më pas e ndryshoi emrin në Izrael, atij i jepet një premtim të bërë Abrahamit dhe Isaakut, një profeci. Sipas kësaj profecie, fara e tij (fakti që ky term përdoret në numrin njëjës dëshmon se i referohet Krishtit) të gjitha fiset e tokës do të bekohen dhe do të shtohen si rëra e detit. Kur thuhet “fëmijë” nënkuptohen fëmijët shpresëtarë, jo ata biologjikë. Përfshihen këtu të gjithë njerëzit e botës, hebrenj dhe paganë, të cilët bekohen përmes farës që do të vijë prej tyre, Birit të Perëndisë dhe filizit të Marisë.
Prandaj, si u ngrit nga gjumi, Jakovi tha: “Nuk është ky, veçse shtëpi Perëndie dhe kjo është porta e qiellit.” Edhe Maria quhet shtëpi e Perëndisë dhe portë e qiellit, sepse trupi i saj u bë tempull dhe banesë e Perëndisë, prandaj ajo është porta që na hap dyert drejt Mbretërisë së Perëndisë.
Do të shohim që imazhet e “shtëpisë së Perëndisë” e “portës së qiellit” hasen edhe në dy leximet që pasojnë. Leximi i dytë i kësaj të kremteje është nga profeti Ezekiel (43). Ja çfarë thuhet në të: “Do të jetë që nga dita e tetë (simbolizon përjetësinë, Mbretërinë e Perëndisë) e më pas do të bëjnë priftërinjtë mbi altarin holokaustet tuaja dhe ato të shpëtimit tuaj, dhe unë do t’ju pranoj, thotë Zoti” (Ezek. 43:27).
Më pas Perëndia e kthen profetin tek porta e shenjtërores së jashtme të Tempullit, portë e cila ishte e drejtuar për nga Lindja. Ajo ishte e mbyllur:
“Dhe Zoti tha tek unë: Kjo portë do të jetë e mbyllur, nuk do të hapet dhe askush nuk do të kalojë nëpërmjet saj, se Zoti, Perëndia i Izraelit do të hyjë përmes saj” (Ezek. 44:1-2)
Thuhet se askush nuk do të kalojë nëpërmjet saj, as Kryeprifti. Këtij të fundit do t’i duhet të hyjë nëpërmjet portës veriore. Nëse e lexojmë me kujdes, thuhet se kur të hyjë në të lavdia e Perëndisë, do të jetë e hapur. Por me të hyrë Ai, dera do të mbyllet dhe vuloset përgjithmonë. Dhe vijon si më poshtë:
Kjo portë do të jetë e mbyllur, nuk do të hapet dhe askush nuk do të kalojë nëpërmjet saj, se Zoti, Perëndia i Izraelit do të hyjë përmes saj dhe do të jetë e mbyllur, sepse ky prijës rri mbi të që të hajë bukë. Ai do të hyjë nga udha e portës së Elamit dhe nga udha e tij do të dalë. Dhe më futi nga udha e portës, që ishte drejt veriut përballë shtëpisë. Dhe pashë, dhe ja plot lavdi ishte shtëpia e Zotit. (Ezekiel 44:2-4).
Në shumë limnologji të shërbesave dhe të kremteve të ndryshme të Kishës sonë Orthoshoke, Maria quhet “porta e Lindjes” dhe “tempulli i Perëndisë”, ajo në të cilën banoi e gjithë lavdia e Perëndisë, në personin e Jisu Krishtit. Faktikisht, në letrën drejtuar Hebrenjve thuhet se Krishti është lavdia e Atit (gr. apávgasma tis dhókseis aftoú) dhe shkëlqimi i lavdisë së Tij. Ai është Mbreti që hyn përmes portës Lindore, e cila më pas vuloset, dhe askush tjetër nuk mund të hyjë më. Kjo ishte profecia që e shtyu Kishën të ruajë e të nderojë virgjërinë e të Tërëshenjtës, duke mësuar besimtarët se Krishti u lind nëpërmjet saj dhe pas Tij ajo mbeti e dëlirë dhe nuk pati më asnjë filiz nga barku i saj, prandaj mbetet tempulli i Perëndisë dhe porta Lindore. Termi “Lindje” (gr. anatolia), “agimi prej së larti” është një nga emrat me të cilin Ungjillor Llukai i drejtohet Krishtit në Ungjillin e tij. Pra simboli i Lindjes ka një rëndësi të veçantë në Shkrimin e Shenjtë.
Gjithashtu në Shkrimin e Shenjtë thuhet: “Lavdia e Zotit hyri në Tempull” dhe madje profeti mbuloi fytyrën e tij përballë kësaj pamjeje. Të gjitha këto vargje janë profetike për Mishërimin dhe ardhjen e Birit të Perëndisë në botë.
Leximi i tretë është shkëputur nga Fjalët e Urta (9) të cilat lexohen në çdo të kremte Hyjlindësore:
Urtësia ndërtoi për vete shtëpi
dhe mbështeti shtatë shtylla.
Theri viktimat e saj dhe përzjeu në kanë verën e saj
dhe përgatiti tryezën e saj.
Dërgoi shërbëtorët e saj
duke ftuar me shpallje të lartë mbi kanë, duke thënë:
Ai që është i metë le të kthehet tek unë.
Dhe atyre që ishin të varfër nga mendja u tha:
ejani, hani bukën time
dhe pini verën që ju kam përzier.
Braktisni idiotësinë dhe do të rroni;
kërkoni urtësinë që të jetoni
dhe që të arrini mençurinë me dije. (Fj. Urta 9:1-6)
Fillim urtësie është frika e Zotit
dhe mendim shenjtorësh është mençuria.
Ndërsa dija e Ligjit i përket mendjes së mirë,
sepse në këtë mënyrë do të jetosh shumë kohë
dhe do të të shtohen vite jete. (Fj. Urta 9:10-11)
Fragmenti më lart i referohet Krishtit si urtësi e Perëndisë (gr. sofίa Theoú; heb. Hokhmah Yahweh). Zakonisht, në Dhiatën e Vjetër urtësisë i referohet në gjininë femërore “ajo”. Ndërsa në Dhiatën e Re, Urtësia Hyjnore e Perëndisë është vetë Krishti. Por shpesh Maria quhet “shtëpia që ndërtoi urtësia” apo edhe “urtësia e krijuar”, e shfaqur në natyrë njerëzore. Krishti është vetë Urtësia Hyjnore që krijoi të gjitha, ndërsa Maria – krijesë të cilës Zoti i fali urtësi.
Pra këto janë leximet, njëri nga Ligji, tjetri nga profetët dhe i fundit nga Fjalët e Urta, të treja të para nën dritën e Mishërimit të Birit të Perëndisë, që u bë nëpërmjet Marisë, ditën e lindjes të së cilës kremtojmë.
Këto janë disa nga himnet e të kremtes:
Cili është tingulli i kremtuesve?
Joakimi dhe Ana bëjnë panair mistikërisht duke thënë:
Gëzohuni bashkë me ne, o Adam dhe Eva,
se qëmoti me një shkelje ju mbyllët parajsën,
sot juve ju dha fryt i lavdëruar fort Madhëria,
duke e çelur hyrjen për të gjithë.
E paracaktuar Tërëmbretëresha, banesë Perëndie,
doli sot nga barku i pafrytshëm i Anës së lavdëruar,
tempulli i hyjshëm i substancës së përjetshme,
përmes të cilës Hadhi arrogant është shkelur
dhe Eva strehohet me tërë gjindjen në jetë të sigurt.
Le t’i thërresim asaj denjësisht:
E lumur je ti në mes të grave dhe fryti i barkut tënd është i bekuar.
Dy himnet kryesore të kësaj feste janë si më poshtë: Tropari dhe Kondaqi
Tropari:
Lindja jote, o Hyjlindëse, i lajmëroi gaz gjithë botës
Se prej teje lindi dielli i drejtësisë, Krishti, Perëndia yn’
Dhe duke zgjidhur mallkimin dha bekimin
Dhe duke shkatërruar vdekjen, na dhuroi jetën e amshuar.
Ky tropar është formuluar në ngjashmëri me troparin e Lindjes së Krishtit, që vijon si më poshtë:
Lindja jote, o Krisht Perëndi dhe Zot
I lindi botës dritën e dijes së hyjshme;
Se ata që adhuronin çdo yll në qiell,
Si sot prej yllit po mësoheshin,
Ty t’adhurojnë, Diellin e Drejtësisë
Dhe të të njohin si lindjen që lartazi,
O Zot lavdi më ty.
Kondaqi i Lindjes së Hyjlindëses:
Joakimi dhe Ana, prej përqeshjes së pafëmijësisë
Dhe Adami dhe Eva u çliruan prej prishjes së vdekjes
Me lindjen tënde, o e shenjtë e pacenuar
Të kremton dhe populli yt, se u shpërblye
Nga barr’ e fajeve duke thirrur:
Beronja lind Hylindësen dhe ushqenjësen e jetës sonë
Nga: At Tomas Hopko
Shqipëroi: Ana Bërbati