26 Ιανουαρίου, 2019

Manastiri i Shën Gjon Vladimirit u “prezantohet” gjimnazistëve

Διαδώστε:

Në kuadër të programit “Edukimi përmes kulturës”, gjimnazistët e shkollës jo-publike “Protagonistët” morën pjesë në veprimtarinë “Një ditë me kuratorin” me temë: “Manastiri i Shën Gjon Vladimirit dhe të dhënat epigrafike të tij”.

Takimi i sotëm kishte si qëllim prezantimin e Portalit të Manastirit të Shën Gjon Vladimirit dhe të dhënat epigrafike të tij. Manastiri i Gjon Vladimirit gjendet në perëndim të Elbasanit. Sipas një gojëdhëne, manastiri është ngritur mbi themelet e kishës së “Trinisë së Shenjtë”, e cila u shemb nga tërmeti.

Në vitin 1381, Karl Topia ndërtoi manastirin e Gjon Vladimirit mbi rrënojat e kësaj kishe. Në një mbishkrim me përmasa 2.20×0.27 m, që gjendet i gdhendur në gurin e madh arkitra të portalit të derës jugore të kishës thuhet: Duhet ditur se ky tempull u shemb nga tërmeti deri në themel gjatë sundimit dhe në ditët kur zotëronte mbi të gjithë vendin e Albanit i ndrituri Karl Topia i parë, nip dhe prej gjaku i mbretit të Francës. Ky e ndërtoi këtë tempull të gjithënderuar të Shën Gjon Vladimirit dhe e ngriti prej themeli deri në mbarim nga besimi dhe zemra e përvëluar. Prej lindjes së Krishtit deri në ndërtimin e tempullit janë vjet 1380 dhe prej krijimit të botës janë vjet 6890 dhe deri atëherë vjet 22 të zotërimit të tij, indikti 5, cikli i diellit 1, cikli i hënës 14, dhe është ndërtuar tempulli që shkon katër herë më i madh se ka qenë më parë tempulli i vjetër.
Mbishkrimi ka pesë radhë dhe është shkruar me shkronja të mëdha, me shkurtime e sigla dhe me gabime drejtshkrimore e gramatikore. Guri i madh arkitra i portalit të derës jugore të kishës së manastirit të Gjon Vladimirit sot gjendet në Muzeun Historik Kombëtar. Kisha është në anën veriore të manastirit.

“Një ditë me kuratorin” synon të forcojë bashkëpunimin me shkollat e mesme, duke sjellë më afër objektin me nxënësit apo studentët, për të rritur ndjeshmërinë e brezave të rinj ndaj objekteve muzeore.

(ATSH)

Διαδώστε: