Me dt. 5 dhjetor 2019 është zhvilluar mbledhja e radhës e Bordit Ekzekutiv të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, në ambientet e Qendrës Sinodike të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Në mbledhjen e drejtuar nga sekretari i përgjithshëm Dr. Genti Kruja, anëtarët e bordit, përfaqësues të komuniteteve fetare në vend janë njohur me zhvillimet e fundit dhe gjendjen aktuale të KNFSH-së, si dhe veprimtarinë e zhvilluar gjatë vitit 2019.
Viti 2019 shënon për KNFSH një vit me angazhime, organizime dhe pjesëmarrje në konferenca të ndryshme ndërkombëtare të zhvilluara në vend dhe jashtë Shqipërisë.
Gjatë këtij viti janë themeluar gjithashtu dy departamente të reja në KNFSH, Departamenti i Gruas dhe Departamenti i Rinisë, të cilët janë përfaqësuar edhe në takimet ndërkombëtare të zhvilluara në Poloni dhe Gjermani.
Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë ka zhvilluar gjithashtu në qershor të këtij viti dhe Konsultimet e Para Kombëtare të të gjitha instancave të tij, Këshillit të Presidencës, Bordit Ekzekutiv, Departamentit të Gruas dhe Departamentit të Rinisë.
Rekomandimet e këtyre konsultimeve janë dërguar më pas në Asamblenë e X-të Botërore të Organizatës Ndërkombëtare “Fetë për Paqen” (Religions for Peace), zhvilluar në Lindau të Gjermanisë në gusht të këtij viti. Në këtë asamble kreu i KNFSH-së dhe njëkohësisht kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë Prof. Dr. Anastas Janullatos është rizgjedhur si President Nderi i “Religions for Peace”.
Anëtarët e Bordit Ekzekutiv kanë folur gjithashtu dhe për kontributin që po japin të gjitha komunitetet fetare në vend në fushatat e ndihmave për të prekurit nga tërmeti i fundit që preku vendin tonë.
— knfsh.al