25 Δεκεμβρίου, 2018

Mesazhi i Mitropolitit të Korçës, Hirësisë së Tij imzot +Joanit

Διαδώστε:

Krishtlindja, ardhja e Zotit tek njeriu, është gjithmonë një kremtim i gëzuar dhe shpresëdhënës, sepse lindja e Krishtit është fillimi i shpëtimit tonë. Misteri i mishërimit është misteri i dashurisë hyjnore, i identifikimit hyjnor me njeriun e humbur.

Por, shpesh, shqetësimet dhe problemet e jetës dhe zhurma e madhe nga informacione të kota, ose të rreme, na pengojnë të ndalemi dhe të meditojmë në kuptimin e vërtetë të Krishtlindjes dhe se çfarë do të thotë ajo për ne sot.

Për këtë arsye, për të kuptuar se çfarë është kremtimi i Krishtlindjes dhe misteri i mishërimit të Zotit, Kisha na parapërgatit me një periudhë kreshmimi dhe meditimi, duke na ndihmuar kështu të largohemi nga kotësitë dhe të përqëndrohemi në thelbin e Krishtlindjes. Sepse, nëse ne festojmë vetëm nga jashtë, duke u angazhuar vetëm në dhuratat, drekat dhe zbukurimet, ato nuk do të na ndihmojnë të gjejmë Krishtin.

Zoti është i fshehur në urdhërimet e Tij dhe ai mund të gjendet atje në masën që Ai kërkohet – na thotë shën Mark Asketi. Urdhërimi më i madh është të duam Perëndinë dhe të duam njëri-tjetrin. Në përjetimin dhe praktikimin e këtij urdhërimi ne do të gjejmë Zotin.

Nëse ju nuk e gjeni Krishtin në lypësin në derën e kishës – na thotë shën Joan Gojarti – ju nuk do ta gjeni atë në kungatën, që do të thotë se, vetëm në dashurinë dhe dhembshurinë për të tjerët, sidomos për ata që janë në nevojë, ne mund të jemi në kungim me Zotin.

Krishtlindjet janë gjithmonë një kujtim i fortë për dashurinë e thellë dhe të vazhdueshme të Perëndisë për ne, sepse në fakt, në themel të këtij festimi, është pikërisht njohja dhe përjetimi i dashurisë së Perëndisë.

Sepse Perëndia e deshi aq shumë botën sa dha Birin e tij të vetëmlindur që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme (Jn. 3:16). Ajo është një dashuri që përfshin gjithsecilin nga ne, pa përjashtim, kushdo qoftë ai.

Perëndia, ndër shekuj, nuk u mjaftua vetëm të na drejtonte me mësimet e tij, me anë të profetëve dhe mësuesve të shenjtë, por Ai u bë si njëri nga ne, duke marrë natyrën tonë si njeri dhe duke e shëruar atë si Perëndi, sepse shpëtimi nuk vjen vetëm nga informacioni dhe mësimi, por nga një pjesëmarrje e brendshme dhe transformimi.

II

Mishërimi i Zotit është dhurata më e madhe që i është bërë njerëzimit, dhurata e dashurisë së pafundme dhe gjithpërfshirëse e Atit tonë qiellor. Ai na dhuroi Shpëtimtarin.

Vetë emri që iu dha foshnjës së shenjtë tregon misionin e tij: Edhe do t’ia quash emrin Jisu (që do të thotë shpëtimtar), sepse ai do të shpëtojë popullin e tij nga mëkatet e tyre (Mat. 1:21).

Nga dashuria Perëndia i gjallë pranoi kufizimet e njerishmërisë sonë dhe u shfaq ndër ne në personin e Zotit tonë Jisu Krisht, për të na shpëtuar të gjithëve.Sepse Perëndia nuk e dërgoi të Birin në botë që të gjykojë botën, po që të shpëtojë bota me anë të tij (Jn. 3:17).

Krishtlindja e gjallëron vazhdimisht shpresën tek ne, duke na forcuar besimin në fuqinë transformuese të dashurisë dhe na kujton vazhdimisht se Perëndia nuk na ka braktisur, sepse dashuria e vërtetë kurrë nuk braktis.

Ndonëse koha e sotme po plagoset nga lakmia, egoizmi dhe vetmia, nga padrejtësia dhe korrupsioni, nga pabarazia dhe indiferentizmi ndaj të tjerëve, duke i shkatërruar kështu marrëdhëniet ndërnjerëzore, ne përsëri kemi besim në mundjen e së keqes, sepse e mira egziston, por shpesh nuk vihet re ngaqë nuk bën zhurmë.

Ndonëse shoqëria po i humbet vlerat tradicionale, të cilat e kanë mbajtur atë të shëndetëshme ndër shekuj, duke e vështirësuar jetën e të gjithëve, përsëri ne kemi shpresë, sepse me lindjen e Zotit, në një botë që kishte marrë rrugën e shkatërrimit, lindi një dritë. Edhe sot, është pikërisht kjo dritë dhe kjo prani e Krishtit ndër ne, e cila na jep forcë e kurajo dhe e ndriçon udhëtimin e jetës sonë, duke mos na lënë të mbytemi në detin e dëshpërimit.

III

Të dashur vëllezër dhe motra; Zoti na thotë: Ju jeni drita e botës…ju jeni kripa e botës. (Mat.5:13-14) Prandaj, edhe në këtë Krishtlindje, nëse duam të jemi të krishterë të vërtetë, le të ndezim kandilin e shpirtit tonë në dritën e Krishtit dhe le të bëhemi një dritë, sado e vogël, për të ndriçuar errësirën shpirtërore të frikës dhe dëshpërimit.

Le të sjellim pak shpresë në zemrat e atyre që e kanë humbur shpresën. Le të bëhemi kripa e botës, që ashtu si kripa, e cila e ruan ushqimin nga prishja, të ruajmë edhe ne sot shoqërinë tonë nga prishja dhe korrupsioni. Le t’i japin njëri-tjetrin më shumë dashuri dhe ngohtësi, për të shkrirë akullin e urrejtjes dhe egoizmit.

Zoti tashmë është ndërmjet nesh!

Në këtë ditë të bekuar ju uroj të gjithëve: Gëzuar Krishtlindjet dhe për shumë vjet!

Mitropoliti i Korçës, Pogradecit, Kolonjës, Devollit dhe Voskopojës

+ Joani

Διαδώστε: