Në rrëfefsh me gojën tënde Zotin Jisu, edhe në besofsh në zemrën tënde se Perëndia e ngjalli atë prej së vdekurish, do të shpëtosh. (Rom. 10:9)
I
Në këtë ditë të madhe e të shenjtë kremtojnë Ngjalljen e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht. Kjo është dita më e rëndësishme dhe kremtimi më i gëzuar në jetën e Kishës. Gëzohemi dhe ngazëllohemi, sepse drita e shenjtë shpresëdhënëse e Pashkës përhapet në të gjithë njerëzit. Kjo është drita e fitores së Zotit mbi prishjen dhe vdekjen. Kjo fitore, që erdhi nëpërmjet kryqit, solli në botën dhe jetën tonë të vdekur një jetë të re. Unë jam ngjallja dhe jeta – na thotë Zoti – Ai që më beson, edhe në vdektë, do të rrojë. Edhe kushdo që rron e më beson, nuk do të vdesë për gjithë jetën. (Jn. 11:25-26)
Ngjallja e Krishtit është themeli i krishtërimit. Pa atë, besimi dhe predikimi ynë, jo vetëm që do ishte i kotë, por edhe i pafuqishëm dhe i pakuptimtë. Përjetimi i Pashkës i jep njeriut dimensionin e tij të vërtetë, dimensionin e përjetësisë, duke u bërë një çlirim shpirtëror dhe një kalim nga rrethi vicioz i varësisë prej botës së jashtme dhe vlerave të përkohshme, drejt vlerave të përjetëshme të Mbretërisë së Krishtit të ngjallur. Qëllimi i Pashkës është pjesëmarrja në sakrificën shpëtimtare të Krishtit në Kryq, për të arritur në lavdinë e ngjalljes.
II
Ngjallja e Krishti nuk është një ngjarje dhe një kremtim që ka të bëjë vetëm me Atë, por edhe me ne, sepse nëpërmjet plotësisë së natyrës së tij njerëzore, ajo prek dhe transformon të gjithë njerëzit, duke i dhënë ekzistencës së njeriut një jetë të re dhe duke u bërë treguesi i plotësimit përfundimtar të natyrës sonë njerëzore.
Ngjallja mundësoi që jeta e Krishtit të bëhet jeta e vërtetë e njeriut, sepse Ai na bëri pjesëtarë të Ngjalljes së Tij. Realiteti i Pashkës duhet të jetë i gjallë në zemrat dhe mendjet tona, jo vetëm në ditën e këtij kremtimi të madh, por në çdo ditë të jetës sonë. Jeta e një të krishteri të vërtetë është një jetë paskale, një jetë e ngjalljes së përditshme, në çdo vend dhe rrethanë, sepse pa Ngjalljen jeta e humbet qëllimin dhe plotësinë e saj.
III
Ne jemi të vetëdijshëm se në botë ka vuajtje, padrejtësi, varfëri, sëmundje, konflikte dhe urrejtje. Gjithashtu e shohim vazhdimisht praninë e dëshpërimit dhe të vdekjes. Për dikë të shkëputur nga realiteti i fitores së Krishtit ndaj vdekjes, gëzimi dhe kremtimi i Pashkës mund të duket si diçka jashtë realitetit, apo thjesht një dëshirë emocionale. Pa besimin, shumë lehtë mund të mposhtemi nga dëshpërimi. Por, për atë që beson dhe e ka ndjerë efektin real të ngjalljes në jetën e tij, ai nuk mund të jetojë më sikur Krishti të mos jetë ngjallur, sepse ngjallja ka sjellë një realitet të ri dhe ka ndryshuar gjithçka.
Në jetën e re që solli Ngjallja e Krishtit u ndryshua vetë natyra e vdekjes. Ajo nuk është më një ndarje dhe harrim, por një kalim drejt takimit me Perëndinë, sepse Krishti me vdekjen e mundi vdekjen. Ne e festojmë Ngjalljen e Krishtit, jo vetëm si një ngjarje që ka ndodhur, por edhe si një ngjarje që ka vazhduar të ndodhë, gjatë gjithë historisë mbas kësaj ngjarjeje dhe që ndodh akoma edhe sot tek ne, me të njëjtin ndriçim dhe forcë dhe me të njëjtin rezultat.
IV
Ngjallja e Zotit dhe jeta e re, që Ai ka mundësuar për ne, na jep shpresë dhe kurajë, edhe kur gjithçka mund të duket e pashpresë dhe krejtësisht e pamundur për t’u ndryshuar. Të pamundurat për njerëzit janë të mundura për Perëndinë, na thotë Zoti (Llk. 18:27). Prandaj le të mos dëshpërohemi dhe të kemi shpresë. Sado e madhe të jetë errësira, drita e Krishtit do ta shpërndajë; sado e madhe të jetë pasiguria, prania Zotit do të na japë guxim; sado e madhe dhe dinake të jetë gënjeshtra, e vërteta e Krishti do të triumfojë; sado e madhe të jetë urrejtja, dashuria e Krishtit do ta mundë dhe sado e madhe të jetë arroganca e të fuqishmëve, përulësia e Krishtit do ta mposhtë.
Prandaj na thotë Apostulli: Ngrihu ti që fle, edhe ngjallu prej së vdekurish, edhe Krishti do të të ndriçojë. (Efes. 5:14) Kjo është një thirrje për të gjithë ne, për të dalë nga errësira e së keqes dhe për të ecur drejt dritës së Pashkës. Tragjedia më e madhe në jetë është kur njerëzit tremben nga drita, duke qëndruar tërë jetën në errësirë dhe pa shijuar bukurinë e dritës.
Të dashur vëllezër dhe motra! Le t’i hapim sytë e shpirtit dhe të mos kemi frikë nga drita e Krishtit. Le ta pranojmë në jetën tonë këtë dritë jetëdhënëse dhe le ta largojmë tej errësirën. Por, për të arritur në dritën e Krishtit duhet të kalojmë nëpër kryqin e Tij, sepse nëse nuk duam Kryqin e Tij, nuk arrijmë dot në Dritën e Tij. Të duash kryqin e Zotit do të thotë të kryqëzojmë çdo të keqe në zemrat tona, të kryqëzojmë lakminë, egoizmin, dhe urrejtjen dhe të kemi dashuri për të gjithë njerëzit, sidomos për ata që janë në varfëri, në sëmundje dhe në nevojë. Gjithashtu, nuk mjafton të shprehim dhembshuri vetëm me fjalë, por edhe me vepra, sepse dashuria e vërtetë nuk është vetëm ndjenjë, por edhe veprim. Nëse zgjedhim të jetojmë me dritën e Krishtit të Ngjallur, me dritën e Krishtit do të vishemi dhe do të ndriçojmë si veten tonë, ashtu edhe të tjerët rrotull nesh, duke i dhënë jetës sonë kuptim, shpresë dhe gëzim.
Në këtë kremtim të shenjtë e të gëzuar le të marrin dritë prej dritës që s’perëndon dhe të lavdërojmë Krishtin që u ngjall së vdekurish.
Gëzuar dhe për shumë vjet Pashkët!
Mitropoliti i Korçës, Pogradecit, Kolonjës, Devollit dhe Voskopojës
+ Joani