29/05/2024 29/05/2024 E mërkurë, 29 maj 2024 – Shenjtori i ditës. DITË KRESHME KRISHTI U NGJALL! Mespentikostia. Aleksandri i Aleksandrisë. Oshënare dëshmore Theodhosia. Hierodëshmor Olviani i Aneon. – MESPENTIKOSTIA – Në mes të javës së katërt, kremtohet solemnisht dita mes Pashkës dhe Rushajeve (Pesëdhjetores/Pentikostisë). Kjo quhet festa e Mespentikostisë/Mes-Rushajeve, në të cilën Krishti “në mes të festës”...
29 Μαΐου, 2024 - 16:23

Mespentikostia. Aleksandri i Aleksandrisë. Oshënare dëshmore Theodhosia. Hierodëshmor Olviani i Aneon

Διαδώστε:
Mespentikostia. Aleksandri i Aleksandrisë. Oshënare dëshmore Theodhosia. Hierodëshmor Olviani i Aneon

E mërkurë, 29 maj 2024 – Shenjtori i ditës.
DITË KRESHME
KRISHTI U NGJALL!
Mespentikostia. Aleksandri i Aleksandrisë. Oshënare dëshmore Theodhosia. Hierodëshmor Olviani i Aneon.
– MESPENTIKOSTIA –
Në mes të javës së katërt, kremtohet solemnisht dita mes Pashkës dhe Rushajeve (Pesëdhjetores/Pentikostisë). Kjo quhet festa e Mespentikostisë/Mes-Rushajeve, në të cilën Krishti “në mes të festës” i mëson njerëzit për misionin e tij shpëtimtar dhe i ofron të gjithëve “ujin e gjallë” (Joani 7:14, 38). Përsëri ne kujtohemi për praninë e Mësuesit dhe për premtimin e tij shpëtimtar: “Nëse dikush ka etje, le të vijë tek unë e të pijë” (Joani 7:37).
Ne mendojmë përsëri për vdekjen dhe ngjalljen tonë me Krishtin në Pagëzimin tonë dhe për marrjen e Shpirtit të Shenjtë prej Tij në Mirosjen. Ne “shohim mbrapa njerën dhe paramarrim tjetrën” siç thotë një nga himnet e festës. Ne e dimë që i përkasim mbretërisë së Krishtit të Ngjallur, ku “Shpirti dhe Nusja thonë ‘Eja!’ Dhe ai që ka etje, le të vijë; dhe ai që do, le të marrë si dhuratë ujin e jetës” (Zbulesa 22:17; Isaia 55:1).
Në mesin e festës, o Shpëtimtar, shuaje etjen e shpirtit tim me ujin e gjallë, siç i ke premtuar të gjithëve: Nëse dikush ka etje, le të vijë të pijë! O Krisht Perëndi, Burim i jetës, lavdi më Ty (Përlëshorja). Krishti Perëndi, Krijuesi dhe Zoti i të gjithave, i ftoi të gjithë në mes të festës: Ejani dhe pini ujin e pavdekësisë! Ne falemi para Teje dhe thërrasim plot besim: Falna mëshirat e tua, se Ti je Burimi i jetës sonë!
* * * * *
– OSHËNARE DËSHMORE THEODHOSIA –
Ishte fëmijë të pasurish të krishterë në Konstandinopojë. Pas zhdukjes së babait të saj, vajza 7-vjeçare ndoqi pas nënën, e cila u tërhoq në një manastir të kryeqytetit. Atje u rrit me dashurinë dhe mëshirën e Perëndisë. Pas vdekjes së nënës, shpërndau pasurinë te të varfrit, duke ruajtur tri ikona ari: të Krishtit, të Nënës së Zotit dhe të shën Anastasisë dhe më pas u bë murgeshë. Dy vjet më vonë, perandori Leoni III filloi persekutimin kundër ikonave dhe shkarkoi patriarkun, shën Gjermanin, i cili refuzoi t’u nënshtrohej dekreteve të tij. Urdhëroi të hiqte ikonën e Krishtit që gjendej mbi portën e Bronzit. Theodhosia, e cila ishte e pranishme me shumë të tjerë, u shty nga një indinjatë dhe e hodhi tutje shkallën, në të cilën po ngjitej agjenti i perandorit. Grupi i besimtarëve u drejtua më pas drejt patriarkanës për të qëlluar me gurë patriarkun e ri Anastas. Me urdhër të perandorit, ushtarët i kapën që t’i ekzekutonin (martirët e parë të ikonoklazmës nderohen më 9 gusht). Një prej tyre e zvarriti brutalisht Theodhosinë në tokë deri në vendin e quajtur “Demi” dhe i ngulën një bri dashi në grykë.
* * * * *
– HIERODËSHMOR OLVIANI I AENON –
Gjatë persekutimit të Dioklecianit, qeveritari i provincës së Azisë, Julius Sextus Elianus, ngarkoi priftërinjtë paganë, Agripini dhe Klementi, që t’i bindnin të krishterët e Aenon, qytet në jug të Efesit, të hanin nga sakrificat ofruar idhujve në tempullin e Herës dhe të Diellit. Ata arrestuan episkopin e qytetit, Olvianin, për ta detyruar t’i nënshtrohej këtij dekreti të ndyrë, duke tërhequr kështu edhe të krishterët e tjerë në mohimin e besimit. Kur e pyetën për identitetin, Olviani deklaroi se ishte episkop dhe barí i të krishterëve të atij qyteti dhe, se i tillë, do të mbetej deri në vdekje. Pastaj rrëfeu se Ai që ata e përçmonin si të Kryqëzuar, është ndihmësi dhe mbrojtësi i të gjithë atyre që e besonin si Birin e Perëndisë së gjallë, i Cili vdiq për shpëtimin tonë dhe për këtë arsye mbanin me krenari emrin të krishterë.
Me këmbëngulje të palëkundur nuk pranoi të sakrifikonte, ndaj dhe priftërinjtë paganë e vunë në tortura. Xhelatët ia shpuan kurrizin dhe të përbrendshmet me hekur të hollë të skuqur, por nuk lëshoi asnjë britmë dhimbjeje, vetëm psherëtinte dhe, duke parë nga qielli, thoshte: “Armiq të Perëndisë, mund të më bëni çfarë të doni, por mishi im nuk ndien asgjë, ndërsa shpirti im është i paprekur”. Një nga torturuesit thirri: “Lëri fjalët e mëdha! Mos të duket vetja më i mirë se ne që iu nënshtruam urdhrave të perandorit?”. Shenjtori iu përgjigj: “Po, ndryshojmë shumë, pasi ju e adhuroni me dëshirë djallin dhe kotësinë e tij, ndërsa unë adhuroj Jisu Krishtin, i Cili do të vijë në botë të gjykojë të gjallët e të vdekurit dhe dëshira ime e vetme është të ngulmoj në predikimin e emrit të Tij”.
Nga frika se mos me shembullin e tij kthente të tjerë në besim, priftërinjtë i thanë qeveritarit se Olviani kishte fyer perandorin dhe perënditë dhe se e nxiste popullin të ngrinte krye. Eliani dërgoi ushtarë për ta detyruar, por më kot. Atëherë e zhveshën dhe e kamxhikuan mizorisht; pastaj ndezën një zjarr të madh jashtë qytetit dhe shenjtori hyri vetë në të, për habi të të pranishmëve, duke rrëfyer Krishtin, i Cili e kishte çliruar nga dora e të pabesëve. Të krishterët e qytetit mblodhën eshtrat e tij dhe i vendosën si gurë të çmuar në një vend aty afër, ku shkonin çdo vit për të kremtuar kujtimin e tij. Bashkë me shën Olvianin u martirizuan edhe nxënësit e tij: Makedoni, Simfori dhe Kalisti.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων