11/10/2019 11/10/2019 “Pohoj një pagëzim për ndjesën e mëkateve” Artikulli i dhjetë i Simbolit të Besimit na fut në Misteret e Shenjta të Kishës sonë. Misteret e Shenjta të Kishës sonë janë mjetet dhe kanalet e hirit; ceremonitë dhe shërbesat e shenjta nëpërmjet të cilave fuqia dhe Hiri hyjnor i transmetohet njeriut mëkatar dhe e pastron dhe...
11 Οκτωβρίου, 2019 - 16:13

Misteret e Shenjta

Διαδώστε:
Misteret e Shenjta

“Pohoj një pagëzim për ndjesën e mëkateve”

Artikulli i dhjetë i Simbolit të Besimit na fut në Misteret e Shenjta të Kishës sonë.

Misteret e Shenjta të Kishës sonë janë mjetet dhe kanalet e hirit; ceremonitë dhe shërbesat e shenjta nëpërmjet të cilave fuqia dhe Hiri hyjnor i transmetohet njeriut mëkatar dhe e pastron dhe e shenjtëron atë, duke e bërë të drejtë në sytë e Zotit.

Misteret, në kuptimin më të gjerë të fjalës, janë të gjitha dogmat e shenjta të Kishës, të vërtetat mbinatyrore dhe hyjnore që mbeten të pashprehshme dhe të mistershme ndaj intelektit të kufizuar njerëzor dhe që vetëm me anë të besimit mund të vihen në zotërim të njeriut. Megjithatë, në këtë pikë, ne përsërisim që Misteret në kuptimin e tyre specifik, janë shërbesa të shenjta të themeluara hyjnishmërisht dhe nëpërmjet të cilave transmetohet tek njeriu Hiri i Shpirtit të Shenjtë për rigjenerimin dhe shpëtimin e tij. Gjithashtu Hiri Hyjnor përçohet me anë të fjalës së Perëndisë, me anë të predikimit të Ungjillit, dhe nëpërmjet lutjes. Në këtë mënyrë, njeriu forcohet dhe ndriçohet në betejën e jetës së tij. Por ky është vetëm një transmetim i pjesshëm i Hirit Hyjnor. Plotësia e Hirit Hyjnor – hiri i plotë transmetohet nëpërmjet Mistereve të Shenjta, pa të cilat është e pamundur për njeriun të arrijë shpëtimin.

Hiri i Mistereve të Shenjta dhe i tërë adhurimi i Krishterë buron nga sakrifica e Zotit në Kryq, siç na thotë Shën Athanasi, dhe më konkretisht, nga brinja e Zotit të Kryqëzuar kur u shpua nga heshta e ushtarit Romak, siç shprehet Shën Qirili i Jerusalemit dhe Shën Joan Gojarti: “Këto dy burime (i gjakut dhe i ujit) nuk buruan rastësisht, por sepse prej këtyre burimeve përbëhet Kisha. Sepse ne e dimë se nëpërmjet ujit ne rilindemi, dhe nëpërmjet Trupit dhe Gjakut të Tij të shenjtë ne ushqehemi. Prej këtyre e kanë zanafillën dy Misteret e Shenjta; prandaj kur t’i afroheni Kupës (potirit) së Shenjtë, të besoni se po pini nga brinja e Tij”.

Edhe Misteret janë fuqitë hyjnore me anë të së cilave Kisha edhe e pastron njeriun nga mëkati edhe heq prej tij barrën e mallkimit dhe të fajit, dhe dhuron tek ai faljen e mëkateve, e ushqen atë shpirtërisht dhe e trajnon atë në jetën e shenjtë të Frymës. Edhe për shkak se njeriu përbëhet prej dy elementëve: frymës dhe lëndës, shpirti që është i padukshëm dhe trupi që është i dukshëm, po kështu edhe Misteret e Shenjta kanë elementët e dukshëm dhe të padukshëm. Elementi i padukshëm është hiri hyjnor dhe elementi i dukshëm të cilin njeriun e dallon gjatë kryerjes së Misterit, për shembull – uji gjatë Pagëzimit, uji dhe zhytja tre herë në Kolimvithër, vaji dhe vajimi me vajin e shenjtë në Misterin e Vajimit të Shenjtë, lutja e faljes në Misterin Pendim Rrëfimit, etj.

Kështu prapa të dukshmes dhe të ndjeshmes fshihen të padukshmet – hyjnoret dhe shpirtëroret, vet hiri që shenjtëron, Shpirti i Shenjtë që ndriçon, shpëton dhe rigjeneron. Kështu e dukshmja dhe e ndjeshmja bëhen kanalet e fuqisë dhe hirit hyjnor.

Numri i Mistereve

Shtatë janë Misteret e Shenjta të Kishës sonë Orthodhokse: I pari Pagëzimi, së dyti Mirosja, së treti Eukaristia Hyjnore. Më pas vijojnë sipas nevojës dhe prirjes së njeriut – Pendimi dhe Rrëfimi, Priftëria, Martesa dhe Vajimi i Shenjtë (Efqelia).

Shënim: Por megjithatë ne duhet të kuptojmë që tradicionalisht Kisha Orthodhokse kurrë nuk e ka kufizuar numrin e mistereve vetëm në shtatë. Numri shtatë nuk ka rëndësi absolute dogmatike në teologjinë Orthodhokse, por përdoret për përshtatshmërinë e tij. Është më tepër simbolik dhe përdoret për të treguar përsosmërinë e hirit. Për shembull dhuratat e Shpirtit të Shenjtë janë shtatë (Isaia 11: 2-4). Të vendosësh një kufizim në numrin e mistereve do të thotë t’i shohësh ato nga një perspektivë shumë e ngushtë. Nëse një mister gjendet kudo ku hiri i Perëndisë ndërmjetëson tek njeriun nëpërmjet materies, atëherë nuk ka numër të kufizuar të Mistereve vetëm në shtatë. Kështu që tërë krijesa bëhet një mister, një Theofani, nëpërmjet së cilës ne shohim Perëndinë. Tradicionalisht Kisha Orthodhokse çdo gjë që është në Kishë e kupton si mistike. E gjithë jeta bëhet një mister në Krishtin i Cili e mbush vet jetën me Frymën e Perëndisë.

Mistere të tjera të përmendura nga teologë Orthodhoksë janë dhe Tonsura Murgërore, Shërbesa e Varrimit, Bekimi i Ujit, Shenjtërimi i Kishës, Bekimi i Bukës, Vajit, Verës, Frutave, Shtëpive, etj….. Lipsanet e Shenjtoreve, Ikonat të cilat nuk janë vetëm një imazh i botës hyjnore por gjithashtu janë prania e saj në tokë. Dhembshuria që sipas Shën Joan Gojartit, është një mister: “Dhembshuria është një mister …. sepse misteret tona janë përmbi të gjitha dashuria dhe dhembshuria e Zotit për njerëzimin, mund të numërohen edhe shërbesa të tjera të Kishës si mistere”.

Numri i Mistereve nuk përcaktohet nga Dhiata e Re, as nga Etërit e Kishës. Por gjatë jetës së Kishës gradualisht u përcaktuan shtatë. Koha kur i caktuan përfundimisht misteret si shtatë ishte fundi i shekullit XIII.

Prej të shtatëve, katër të parët janë të detyrueshëm. Tre të tjerët janë fakultativ (jo të detyrueshëm). Pa kryer katër Misteret e para një njeri nuk mund të jetë i Krishterë. Në qoftë se ai nuk pagëzohet dhe krezmohet, nëse nuk kungohet shpesh dhe rrëfen mëkatet e tij, ai nuk e merr hirin dhe nuk mund të jetë i Krishterë. Nëpërmjet Pagëzimit i Krishteri rilind, me anë Mirosjes ai përparon në jetën shpirtërore, nëpërmjet Kungimit të Shenjtë ai ushqehet dhe merr brenda vetes jetën hyjnore, Vet Perëndinë dhe Shpëtimtarin, nëpërmjet Misterit të Pendim – Rrëfimit ai merr faljen e mëkateve të tij. Këto janë misteret e detyrueshme. Dhe prej këtyre Pagëzimi dhe Krezmimi nuk përsëriten por kryhen vetëm një herë: “Pohoj një Pagëzim për ndjesën e mëkateve” thotë Simboli i Besës. E njëjta është edhe për Krezmimin. Përveç kur dikush kthehet nga herezia në Kishën Orthodhokse, atëherë ai pranohet në Kishë nëpërmjet Misterit të Krezmimit, në qoftë se Kisha vendos kështu.

Misteret e tjera, Pendim – Rrëfimi, Kungimi i Shenjtë, Vajimi përsëriten sipas nevojave shpirtërore të të Krishterit. Misteret fakultativë janë Priftëria, Martesa dhe Efqelia. Cilido që dëshiron mund të bëhet Prift, nëse ai dëshiron me gjithë shpirt dhe është i denjë për Priftërinë. Ai duhet të ketë si prirjen e shpirtit ashtu dhe thirrjen nga Perëndia, sipas udhëzimeve të Shkrimit: “askush nuk e merr këtë nder prej vetes së tij, por ai thirret nga Perëndia” (Hebrenjve 5:4). Përsëri, kushdo mund të martohet. Ai që nuk dëshiron martesën mund të qëndrojë beqar ose të bëhet murg. Efqelia është e nevojshme për dobinë e shpirtit të të Krishterit në mënyrë të veçantë kua ai është i sëmurë. Si përfundim mund ta përkufizojmë kështu thelbin e secilit nga të shtatë Misteret: “Në Pagëzim njeriu lind mistikërisht në jetën shpirtërore. Në Mirosje ai merr hirin e cili e rrit atë shpirtërisht dhe e forcon. Në Kungim ai ushqehet shpirtërisht. Në Pendim ai shërohet nga sëmundjet shpirtërore (mëkatet). Në Dorëzim ai merr hirin shpirtërisht për të rigjeneruar dhe ushqyer të tjerët me anë të mësimit, lutjeve dhe Mistereve. Në martesë ai merr hir i cili shenjtëron martesën dhe lindjen e rritjen e fëmijëve. Në Efqeli ai shërohet nga sëmundjet e trupit me anë të shërimit të sëmundjeve shpirtërore.

 

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων