Misteri i Pendimit në Kishën Orthodhokse – Si duhet të përgatitet dikush përpara Rrëfimit Shën Nikodhim Agjioriti
Si duhet të përgatitet dikush përpara Rrëfimit?
Çfarë është pendimi?
Pendimi sipas Shën Joan Damaskinoit është kthimi nga e keqja tek Perëndia që vjen nëpërmjet dhimbjes dhe asketizmit. Pendimi është kthimi prej asaj që është kundër natyrës tek ajo që është sipas natyrës, nga Djalli tek Perëndia, nëpërmjet asketizmit dhe dhimbjes. Pra në qoftë se ne duam të pendohemi siç duhet, duhet të largohemi prej Djallit dhe veprave diabolike dhe të kthehemi tek Perëndia dhe tek jeta sipas Urdhërimeve të Perëndisë. Ne duhet të heqim dorë nga mëkati, që është kundër natyrës, dhe të kthehemi tek virtyti që është sipas natyrës. Ne duhet të urrejmë aq shumë të keqen saqë të themi bashkë me Profetin David: “Urrej dhe se shoh dot me sy të keqen” (118:163) dhe të duam të mirën dhe Urdhërimet e Zotit aq shumë, saqë të themi përsëri me Profetin David: “Por e dua ligjin Tënd”, dhe përsëri: “ Për këtë arsye unë i dua Urdhërimet e Tua më tepër se ari; po…. më tepër se ari i kulluar” (118:127). Për ta thënë më shkurt; Shpirti i Shenjtë na tregon me anë të të Urtit Sirak çfarë është në fakt pendimi i vërtetë, duke thënë: “Kthehu tek Zoti dhe hiq dorë prej mëkateve të tua. Kthehu tek i Shumë i Larti e shporrju keqbërjes sate dhe urreje paudhësinë” (Urtësia e Sirakut 17: 25-26).
Aspektet e Pendimit
Aspektet e pendimit janë tre: keqardhja e thellë, rrëfimi dhe kënaqësia.
Keqardhja – Keqardhja është brengë dhe ndjellë e thellë hidhërimi e shpirtit që vjen te personi i cili për mëkatet e tij të bëra ka hidhëruar Perëndinë dhe shkelur Ligjin e Tij Hyjnor. Kjo keqardhje vjen vetëm tek ata që janë bij të Perëndisë, sepse kjo lloj keqardhje buron vetëm nga dashuria për Perëndinë, ashtu si një bir pendohet thjesht vetëm për shkak se hidhëroi të atin e tij, dhe për shkak se ai u privua prej pasurisë së tij ose për shkak se ai do të nxirrej prej shtëpisë së atit të tij. Në lidhje me këtë Gojarti hyjnor thotë: “Nxirrni ofshamë pasi të keni mëkatuar, jo sepse do të ndëshkoheni (sepse kjo nuk është asgjë) por sepse ju keni fyer Zotin që është aq i mirë, Atë që ju do kaq shumë dhe dëshiron për shpëtimin tuaj saqë ka dhënë Birin e Tij për ju. Për këtë nxirrni ofshamë.
Pikëllimi
E lidhur me keqardhjen është pikëllimi, që është gjithashtu një shqetësim dhe një dhimbje e paplotë ose e papërsosur e shpirtit, që vjen si rezultat, jo sepse dikush ofendoi Perëndinë me anë të mëkateve të tij, por për shkak se ky person u privua prej Hirit Hyjnor, humbi Parajsën dhe fitoi ferrin. Ky pikëllim i përket të papërsosurës që do të thotë tek punëtorët e marrë me mëditje dhe skllevërit, sepse nuk buron nga dashuria për Perëndinë, por nga frika ashtu siç pikëllohet punëtori kur humbet rrogën e vet
dhe një skllav pikëllohet për shkak se ai i frikësohet disiplinës të zotërisë së tij.
Kështu që nëse ne duam të marrim këtë keqardhje dhe pikëllim në shpirtin tonë dhe nëpërmjet këtyre me qëllim që pendimi të jetë i pëlqyeshëm në sytë e Perëndisë, ne duhet të veprojmë si më poshtë:
Të rrëfehemi tek një At Shpirtëror me përvojë
Së pari ne duhet të kërkojmë dhe të mësojmë kush Ati Shpirtëror që ka më shumë përvojë, sepse Shën Vasili i Madh thotë, ashtu si ne nuk ia tregojmë dhimbjet dhe plagët çdo mjeku, por tek ai mjek me përvojë që di t’i trajtojë ato; po kështu dhe mëkatet duhet të zbulohen jo tek cilido por tek ai që është në gjendje që t’i shërojë ato. “Në po atë mënyrë që dikush zbulon sëmundjet e tij po në këtë mënyrë duhet edhe pendestari që të rrëfehet. Ashtu si një i sëmurë nuk i zbulon plagët e tij tek të gjithë mjekët ose te vizitorët e rastësishëm por tek ata që kanë përvojë në trajtimet e tyre, po kështu rrëfimi i mëkateve duhet të bëhet përpara pranisë së atyre që janë në gjendje t’i trajtojnë ato, siç na thotë Shkrimi i Shenjtë: “Edhe ne që jemi të fortë duhet të mbajmë dobësitë e atyre që janë të dobët dhe jo t’i pëlqejmë vetes” (Romakëve 15:1).
Si duhet që dikush të ekzaminojë ndërgjegjjen e tij:
Ashtu siç do të uleshit dhe të numëronit paratë prej një biznesi, po kështu në të njëjtën mënyrë duhet të shkojmë në një vend të veçantë, dy ose tre javë para se të shkojmë tek Ati Shpirtëror, të ulemi në atë vend të qetësisë, dhe duke ulur kokën të shqyrtojmë ndërgjegjen tonë të cilën Filozofi Hebre Filo e quan “ekzaminimi i ndërgjegjes” dhe të mos bëhemi mbrojtës por gjykatës të makave tona sipas Shën Agustinit. Le të mendojmë ashtu si Hezekia, gjatë gjithë ditët e jetëve tona, në hidhërimin e shpirtit: “Unë do të eci ngadalë gjatë tërë viteve të mia, në hidhërimin e shpirtit tim” (Isaia 38:15). Le të mendojmë për të gjitha mëkatet që kemi bërë, mbas rrëfimit të fundit, me vepra, fjalë dhe mendime. Le të kujtojmë njerëzit me të cilët mëkatuam dhe vendet ku mëkatuam dhe me kujdes të reflektojmë tek të gjitha gjërat me qëllim që të gjejmë çdo mëkat. Këtë na thotë dhe Siraku i Urtë:
“Para gjyqit bëja vetes gati avokatin, e para se të flasësh mëso, Para sëmundjes përdore barin shërues, para gjyqit shqyrtoje vetveten dhe në kohën e pasisë do të gjesh përdëllim. Para sëmundjes përule vetveten, kur të kesh mëkatuar dëfto se je penduar, mos e lër pa kryer kushtin në kohën përkatëse e mos prit vdekjen për tu shfajësuar sepse shpërblimi i Perëndisë mbetet në përjetësi” (Siraku 18: 19-22), dhe Shën Grigor Teologu na thotë: “Ekzaminoje veten me kujdes dhe numëro veprat e tua – sepse numërimi i veprave mëkatare ka vlerë të pakrahasueshme me numërimin e parave – sepse paraja i nënshtrohet prishjes por veprat mbeten”.
Edhe ashtu si gjahtarët të cilët nuk kënaqen thjesht duke parë një kafshë të egër por me çdo mënyrë përpiqen për ta vrarë atë, po kështu dhe ne mëkatarët nuk duhet të kënaqemi thjesht duke ekzaminuar ndërgjegjen tonë por të përpiqemi me çdo mënyrë të shfarosim mëkatet tona nëpërmjet hidhërimit në shpirt ose e thënë ndryshe me anë të keqardhjes së thellë dhe pikëllimit. Dhe që të arrijmë këtë ne duhet të kuptojmë se sa shumë e kemi ofenduar Perëndinë me anë të mëkateve tona. Dhe me qëllim që arrijmë pikëllimin e shenjtë duhet të kuptojmë se sa shumë e kemi ofenduar veten nëpërmjet mëkateve tona.
Mëkati e ofendon Perëndinë në tre mënyra:
Fillimisht duhet të kemi parasysh sesi mëkatet tona e kanë fyer Perëndinë.
Me anë të mëkateve tona ne kemi fyer dhe ofenduar të Tërë Lartin dhe Perëndinë e Madhërishëm – ne që jemi veçse krijesa kemi fyer dhe ofenduar të Gjithëpushtetshmin; – ne që jemi veçse baltë kemi fyer dhe ofenduar Krijuesin e të gjithave – sepse ne kemi shkelur ligjin e Tij. Shën Pavli në Letrën drejtuar Romakëve na thotë: “Duke shkelur ligjin ti çnderon Perëndinë” (2:23).
Me anë të mëkateve tona ne tregohemi shërbëtor dhe bir mosmirënjohës ndaj një Zotërie të tërëmirë dhe ndaj Atit tonë të tërëdashur, i Cili na donte përpara se të vinim të në këtë jetë, jo për shkak të ndonjë denjësie tonën por për shkak të Mirësisë së Tij Ai vendosi në mendjen e Tij Hyjnore të na krijonte, kur mund të kishte krijuar të tjerë në vendin tonë. Ne e kemi ofenduar Atë sepse ne jemi treguar mosmirënjohës ndaj Atij që na solli në ekzistencë, që na formoi sipas Shëmbëlltyrës dhe Ngjashmërisë së Tij, që na dhuroi që trup që i përmban të gjitha shqisat dhe një shpirt me të gjitha aftësitë, Atë që na bëri mbret të krijesave tokësore, që na siguron ushqimin, veshjen dhe strehimin, Atë që urdhëroi të gjitha krijesat e Tij që të na shërbenin, Atë që na mbron nga të gjitha rreziqet, sëmundjet varfëria kur shumë të tjerë vuajnë prej tyre, Atë që na dha një Engjëll që të qëndrojë gjithmonë pranë nesh që të na mbrojë nga çdo e keqe.
Ne e kemi fyer Perëndinë sepse ne jemi treguar mosmirënjohës ndaj Mirëbërësit, ndaj Atij që na ka pranuar në Misteret e Tij, ndaj Atij që na bëri bij të Tij nëpërmjet Pagëzimit të Shenjtë, ndaj Atij që na çliroi nga prangat e demonëve, që u bë njeri për hatrin tonë, ndaj Atij që derdhi gjakun e Tij të shenjtë për të na bërë trashëgimtarë të Mbretërisë së Tij, ndaj Atij që pret krahëhapur që ne të pendohemi pasi kemi mëkatuar, ndaj Atij që na qëndron pranë edhe kur na largohemi prej Tij, ndaj Atij që troket në zemrat tona edhe kur ne nuk e duam Atë, ndaj Atij që na foli, na deshi, na shfajësoi, na solli shpëtimin.
Për ta thënë më shkurt, ne e ofendojmë Perëndinë sepse ne jemi treguar mosmirënjohës ndaj një Zotërie i Cili na dhuroi bekime prej natyrës dhe hirit, pjesërisht dhe tërësisht, të fshehura dhe të shfaqura, dhe më e keqja e gjithë këtyre gjërave, në të njëjtën kohë që ne morëm të gjitha këto hire para syve tanë, ne krijesat mosmirënjohëse guxuam t’ia shpërblenim Atij me veprat tona të këqija.
Mjerë ne! Në qoftë se dikush do të na jepte vetëm një prej këtyre bekimeve, ne nuk gjenim dot mënyrë që ta falënderonim. Por, kur jo një njeri, por Perëndia i Tërë Lartë, Krijuesi i të gjithë engjëjve, na ka dhuruar kaq shumë hir, si është e mundur të tregohemi kaq mosmirënjohës drejt Tij? Le të pyesim veten se si na mban dheu dhe nuk mban dheu dhe nuk çahet që të na përpijë të gjallë; le të pyesim veten se si ajri, që ne e ndotim me anë të mëkateve tona, nuk fryn erëra helmuese për të na helmuar, dhe se si të gjithë elementët ende nuk janë ngritur kundër nesh ashtu si bishat e egra për të na përpirë të gjallë, duke mos duruar më kur na shohin ne tinzarët dhe apostatët teksa shfaqim këtë mosmirënjohje me anë të mëkateve tona drejt Krijuesit dhe Mirëbërësit më të madh: “Brez i shtrembër dhe i degjeneruar” (Ligji i Përtërirë 32:5).
Ne e fyejmë Perëndinë, për shkak se me anë të mëkateve tona ne tallemi me gjithë veprën e shpëtimit që Biri i Perëndisë e kreu për ne, sepse ne me anë të mëkateve tona e gozhdojmë në Kryq për herë të dytë, përdhosim Gjakun e Tij të Tërëshenjtë, fyejmë hirin e Frymës së Tij, hapim plagët e Tij, përsërisim pështymat, shuplakat, kurorën e gjembave, sfungjerin me uthull, gozhdat, heshtën dhe të gjitha vuajtjet dhe poshtërimin, për shkak se ne kryem mëkatin, që ishte shkaku i Kryqëzimit të Tij: “Ata e kryqëzojnë përsëri Birin e Perëndisë dhe e poshtërojnë” (Hebrenjve 6:6) na thotë Shën Pavli i bekuar.
Prandaj, në qoftë se ne do t’i marrim në konsideratë këto tre heshta me anë të të cilave lënduam Perëndinë me anë të mëkatit, atëherë s’na mbetet gjë tjetër veçse të ulërijmë dhe të hungërimë si një luan për shkak të psherëtimave tona. Psalmi 37:8 na thotë: “Jam i sfilitur dhe i vrarë; vrumbulloj nga drithma e zemrës time”, dhe ne do ta urrejmë dhe do ta kemi neveri mëkatin, dhe zemra jonë do të copëtohet në mijëra pjesë, edhe nëse ajo mund të jetë bërë si granit, dhe do ta bëjmë atë të derdh lot gjaku. Prandaj le të meditojmë mbi këto tre pika për të siguruar keqardhjen e thellë, që është pjesa më fisnike dhe më e çmuar e pendimit, të na vijë keq jo për arsye të tjera por për të vetmen arsye se ne kemi mëkatuar kundër Perëndisë dhe kemi trishtuar Frymën e Shenjtë: “Dhe mos e trishtoni Frymën e Perëndisë” (Efesianëve 4:30).
Kjo ishte dhe arsyeja që Davidi i shenjtë nuk u trishtua për padrejtësitë e tjera që i shkaktoi mëkati, por u trishtua vetëm sepse mëkati e bëri atë të fyente Perëndinë. Dhe ja si shprehet Profeti në Librin e Psalmeve: “Kam mëkatuar kundër Teje, vetëm kundër Teje, dhe kam bërë atë që është e keqe në sytë e Tu” (Psalmi 50:4). Po kështu Manaseu u trishtua vetëm sepse ai fyeu Perëndinë, dhe shpirti nuk i gjeti prehje, prandaj ai tha: “Nuk po gjej qetësi, sepse provokova zemërimin Tënd dhe kam bërë te keqen para syve të Tu, duke mos bërë vullnetin Tënd, dhe duke mos ruajtur Urdhërimin Tënd”.
Shën Nikodhim Agjioriti
H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.
Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.