Një prej afreskeve më të veçantë, që ndodhet në kishën e Shën Mërisë së Sinjës, Berat është nxjerrë në dritë, duke shpëtuar nga rrënimi.
Kryeministri Edi Rama bën të ditur se ky afresk është shpëtuar pas një pune të gjatë.
“Dhe me pamjet e një prej afreskeve më të veçantë, që ndodhet në kishën e Shën Mërisë së Sinjës, Berat, i cili pas një pune të gjatë është shpëtuar dhe nxjerrë në dritë, ju uroj një javë të mbarë“, theksoi Kryeministri Rama.
Restaurimi i afreskut të kishës së “Shën Mërisë” në Sinjë të Beratit u hartua nga specialistët e sektorit të artit pranë Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Berat dhe ndërhyrja ka qenë në konsolidimin e shtresës së suvasë me murin, konsolidimi i bordurave me llaç, konsolidimin e shtresës së pelikulit me shtresën përgatitore dhe pastrimi i depozitimeve të blozave dhe kripërave që ndodhen në afresk.
Kjo kishë është një monument i rrallë i trashëgimisë kulturore. Afresku mural në kishën e Shën Mërisë në fshatin Sinjë të Beratit, që mendohet se daton që nga viti 1292, është nxjerrë në dritë nga restauratorët e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Berat. E realizuar e gjitha në shkëmb, piktura shfaqej e dëmtuar nga koha dhe tymrat e zjarreve.
Kisha e ”Shën Mërisë” mendohet të jetë ndërtuar në shekujt XI-XII, kur pati një lulëzim të madh të arkitekturës së kishave–shpellë, periudhë e cila shquhet për realizimin e kishave dhe ambienteve përreth në disa raste me volume të vogla, duke shfrytëzuar me mjeshtëri gjithë hapësirën e mundshme që jepte shpella natyrore në atë pjesë të formacionit shkëmbor.