09 Αυγούστου, 2019

Në Kefaloni dalin përsëri gjarpërinjtë e të Tërëshenjtës

Διαδώστε:

Ҫdo vit, kur afrohet e kremtja e Metamorfozës së Shpëtimtarit më 6 Gusht (sipas kalendarit të ri), në fshatrat Markopoulo dhe Arginia, të ndodhur në pjesën perëndimore të Kefalonisë në Greqi, në çdo kishë që mban emrin e Fjetjes së Hyjlindëses shfaqen disa gjarpërinj të mistershëm. Ata qëndrojnë aty deri në të kremten e 15 Gushtit.

Ҫdo vit, qindra e mijëra pelegrinë shpresëtarë udhëtojnë drejt këtyre fshatrave për të parë nga afër “Gjarpërinjtë e të Tërëshenjtës”, të cilët duken se dalin nga hiçi dhe zhduken po ashtu befasisht më 15 Gusht. Gjarpërinjtë, të cilët janë në ngjyrë të bardhë e të zezë, dallojnë sepse kanë një shenjë kryqi mbi kokën e tyre, dhe gjuhën e kanë gjithashtu në formë kryqi.

Sipas medieve të Kefalonisë, edhe këtë vit ata u shfaqën një ditë përpara Metamorfozës.

Gjarpri i parë u shfaq në Markoppoulo, i ndjekur më pas edhe nga dy të tjerë në Arginia. Sapo ata shfaqen, kambanat e kishave bien gëzueshëm, për të bërë të ditur lajmin.

Besimtarët vendas dëshmojnë se gjarpërinjtë në fjalë janë gjaknxehtë, gjë që është tepër e pazakontë në llojin e tyre. Ata zvarriten përqark kishës dhe sidomos nëpër ikonat e të Tërëshenjtës. Janë paqësorë e të qetë, dhe madje besimtarët i nderojnë si shfaqje të mrekullisë së Perëndisë dhe të Tërëshenjtës.

Kisha e Fjetjes së Hyjlindëses në Markopoulo është ndërtuar mbi gërmadhat e një manastiri të vjetër. Në fillimet e shek. XVIII, murgeshat e manastirit të dikurshëm u sulmuan nga grupe piratësh. Ato i drejtuan lutje të nxehta Hjlindëses, dhe kur piratët hynë në manastir, u larguan menjëherë të tmerruar nga gjarpërinjtë e shumtë që panë aty.

Që nga ajo kohë, gjarpërinjtë janë shfaqur vit për vit, me përjashtim të dy rasteve: në vitin 1940, kur Greqia u fut në Luftën e Dytë Botërore; dhe 1953, kur Kefalonia u trondit nga një tërmet i madh. Prandaj, nëse gjarpërinjtë nuk shfaqen, kjo merret si një shenjë jo e mirë.

 

/ Burimi: orthochristian.com & radiongjallja.org

Διαδώστε: