22 Αυγούστου, 2019

Nga Spiritualiteti Orthodhoks: DURIMI

Διαδώστε:

 

Që të jesh i bindur në të gjitha gjërat tek Perëndia kërkohet virtyti i durimit. Shën Pavli e vendos këtë virtyt në listën e “fryteve të Shpirtit të Shenjtë” (Galatianët 5:22) Krishti Vetë në bindjen e Tij të përunjur ndaj Perëndisë, ishte jashtëzakonisht i duruar.

Të jesh i duruar fjalë për fjalë do të thotë të vuash dhe të durosh. Do të thotë të presësh në Zotin, nëpër të gjitha sprovat dhe mundimet, me kurajo dhe shpresë. Do të thotë të përshtatesh me veten dhe me të tjerët, të rritesh shkallë – shkallë në hirin e Perëndisë me anë të përpjekjeve të përditshme për të mbajtur urdhërimet e Tij dhe për të kryer vullnetin e Tij. Vetëm ata që janë të duruar, sipas Krishtit, japin fryte nga farat e Fjalës së Perëndisë që janë mbjellë në zemrat e tyre.

De ato në tokë të mirë, janë ata që e dëgjojnë Fjalën dhe e ruajnë në zemër të mirë e bujare dhe japin fryte me qëndrueshmëri (Lluka 8:15).

Në kohët e persekutimit, kur të krishterët dorëzoheshin të përgjigjeshin për Krishtin, duke qenë “të urryer nga të gjithë për shkak të emrit tim”, Zoti i këshillonte pasuesit e Tij: “me durim, shpëtoni ju shpirtrat tuaj” që do të thotë, “me durimin tuaj ju do t’a fitoni jetën tuaj” (Lluka 21:19).

Tani, pra, vëllezër, jini të durueshëm deri në ardhjen e Zotit; shikoni si e pret me durim bujku frytin e çmuar të tokës, derisa të marrë shiun e parë dhe të fundit. Jini të durueshëm edhe ju dhe forconi zemrat tuaja, sepse ardhja e Zotit është afër. Mos u ankoni nga njëri – tjetri, vëllezër, që të mos dënoheni; ja, gjykatësi është te dera. O vëllezër të mi, merrni si shembull vuajtjeje dhe durimi profetët, që folën në emër të Zotit. Ja, ne shpallim të lum ata që duruan; ju keni dëgjuar për durimin e Jobit, dhe e keni parë fatin përfundimtar që Zoti i rezervoi, sepse Zoti është plot mëshirë e dhembshuri (Jakovi 5:7-11).

Shpesh njerëzit e futur në jetën shpirtërore e harrojnë se durimi është një virtyt, dhe kjo, për shkak të lirisë së njeriut, përpjekja për të pastruar jetën nga mëkati është e lodhshme dhe e gjatë. Gjithçka pritet të bëhet menjëherë, me pak luftë dhe pak përpjekje.

Shpesh, njerëzit, gjithashtu, që dëshirojnë të jenë të duruar e harrojnë se virtyti është një hir i Perëndisë dhe një fryt i Shpirtit. Ata mendojnë se mund ta arrijnë durimin me vetet dhe me të tjerët vetëm nga forca e vullnetit; nga arsyetimet dhe konsiderimet njerëzore. Njerëz të tillë kurrë nuk gjejnë paqe në shpirtrat e tyre.

Virtyti i durimit gjendet në qëndrueshmërinë e fortë të dhënë nga Perëndia. Është fuqia “për të ndenjtur në kryq” s’ka rëndësi se çfarë, duke bërë vetëm vullnetin e Zotit. Durimi bashkohet me besimin, shpresën, dashurinë, përunjësinë dhe bindjen, që i vetëm sjell forcën për të vazhduar. Ai duhet të rinohet përditë nëpërmjet agjërimit, lutjes dhe kungimit me Perëndinë në Kishë. Ai gjendet kur dikush e stërvit veten të kujtojë Perëndinë, të banojë në Krishtin dhe t’i shikojë të gjitha gjërat në dritën e Mbretërisë së Perëndisë. Nëse një dëshiron të jetë i duruar, ai duhet të bashkohet me Krishtin dhe të jetojë nga fuqia e Shpirtit. Sipas mësuesve shpirtërorë nuk ka rrugë tjetër.

Asnjë tundim nuk ju ka gjetur juve, përveçse tundimi njerëzor; por Perëndia është besnik dhe nuk do të lejojë që t’ju tundojnë përtej fuqive tuaja, por me tundimin do t’ju japë dhe rrugëdalje, që ju të mund ta përballoni (1 Korinthianët 10:13).

Hidh mbi Zotin barrën tënde, dha ai do të të mbajë; ai nuk do të lejojë kurrë që i drejti të lëkundet (Psalmi 55:22; Kr. 1 Pjetri. 5:7).

 

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë/facebook

Διαδώστε: