E hënë, 9 dhjetor 2024 – Shenjtori i ditës.
Ngjizja e Shën Anës, nëna e Hyjlindëses Mari. Profetesha Ana, nëna e profetit Samuel.
JEMI NË KRESHMËN E KRISHTLINDJES
(15 NËNTOR – 25 DHJETOR).
– NGJIZJA E SHËN ANËS, NËNA E HYJLINDËSES MARI –
Sipas planit të parajetshëm të Perëndisë, që donte të përgatiste një banesë shumë të pastër për t’u mishëruar dhe të jetonte midis njerëzve, Joakimi dhe Ana ishin penguar të kishin pasardhës. Pasi mbërritën të dy në një moshë të thyer dhe ishin pa fëmijë, duke simbolizuar natyrën njerëzore që ishte kërrusur dhe tharë nën peshën e rëndë të mëkatit dhe të vdekjes, ata nuk reshtnin së luturi Perëndinë që t’i çlironte nga turpi i shterpësisë. Kur mbërriti koha e përgatitjes, e caktuar sipas vullnetit të Perëndisë, ai dërgoi Kryeengjëllin Gavriil te Joakimi, i cili ndodhej i tërhequr mbi një mal, dhe tek Ana, e cila qante për fatkeqësinë e saj në kopshtin e shtëpisë. Ai u bëri të ditur se do të përmbusheshin tek ata profecitë e thëna në kohë të lashta dhe se do t’u lindte një fëmijë, i caktuar që të bëhej Arka e vërtetë e Besëlidhjes së Re, Shkalla qiellore, Ferra që nuk digjej nga flaka, Mali i paprerë, Tempulli i gjallë ku do të banonte Fjala e Perëndisë.
Në këtë ditë, nëpërmjet zënies së shën Anës, merr fund tërë shterpësia e natyrës njerëzore, e ndarë nga Perëndia, për shkak të vdekjes. Dhe me anë të lindjes fëmijë në mënyrë të mbinatyrshme, nga ajo që kishte mbetur shterpë deri në moshën ku gratë nuk mund të lindin dot më, Perëndia lajmëronte dhe vërtetonte mrekullinë më të mahnitshme të zënies së pafarshme dhe të lindjes së panjollë të Krishtit, në gjirin e Hyjlindëses së Tërëshenjtë dhe Virgjëreshës Mari.
Edhe pse ishte lindur me anë të një ndërhyrjeje të mrekullueshme të Perëndisë, e Tërëshenjta Mari u zu me anë të bashkimit të burrit dhe të gruas sipas ligjeve të natyrës sonë njerëzore, e cila ishte rrëzuar dhe i ishte nënshtruar vdekjes, pas mëkatit të Adamit (shih Gjen. 3:16). Enë e zgjedhur, tempull i shenjtë që përgatiti Perëndia para jetëve, Hyjlindësja është përfaqësuesja më e pastër dhe më e përsosur e njerëzimit, por nuk u çlirua nga trashëgimia jonë e përbashkët dhe nga pasojat e mëkatit të stëretërve tanë të parë.
Sikundër duhej që Krishti, në mishërimin e Tij, të bëhej i ngjashëm me njerëzit në gjithçka, përveç mëkatit, për t’i çliruar nga vdekja me anë të vdekjes së Tij të vullnetshme (shih Hebr. 2:14), njësoj duhej që edhe nëna e Tij, në gjirin e së cilës Fjala e Perëndisë do të bashkohej me natyrën tonë njerëzore, të ishte në gjithçka e ngjashme me ne. Ajo duhej t’i nënshtrohej vdekjes dhe prishjes, pa bërë asnjë përjashtim në këtë, për të na përfshirë të gjithë ne bijtë e Adamit në misterin e Shpëtimit dhe të Çlirimit.
Nëna e Zotit është zgjedhur midis grave, jo në mënyrë arbitrare, por sepse Perëndia e parapa se ajo do të dinte të ruante në mënyrë të përsosur pastërtinë e saj, që të ishte e denjë për ta pritur. E zënë dhe e lindur njësoj si të gjithë ne, ajo u bë e denjë të jetë Nëna e Birit të Perëndisë dhe nëna e të gjithëve. E dhembshur dhe mëshiruese, ajo mundet të ndërmjetojë për ne te Biri i saj, që të na mëshirojë.
Si Zoti ynë Jisu Krisht ishte fryti i virgjërisë së saj, ashtu edhe Nëna e shenjtë e Zotit ishte, për sa i takon asaj, fryti i dëlirësisë shpirtërore i Joakimit dhe i Anës. Dhe duke ndjekur këtë udhë të pastërtisë, edhe ne, murgj dhe të krishterë të urtë, bëjmë të lindë dhe të rritet brenda nesh Shpëtimtari Krisht.
* * * * *
– PROFETESHA ANA, NËNA E PROFETIT SAMUEL –
Profetesha e shenjtë Ana jetonte në fshatin e Ramatajimit (ose Aramathaim, ose Ramah) në malin e Efraimit. Ajo ishte një nga dy gratë e një burri të quajtur Elkuana, të cilës Perëndia nuk i jepte fëmijë. Rivalja e saj, që kishte lindur bij dhe bija, e përbuzte dhe e turpëronte, duke ia rikujtuar faktin se ajo nuk lindte fëmijë, çdo vit kur familja shkonte në Silo, përpara Arkës së Besëlidhjes, për të adhuruar dhe për të ofruar sakrifica te Zoti. Por ajo nuk humbte kohë dhe ruante me përpikëri porositë dhe urdhrat e Zotit, duke shpresuar në mëshirën e Tij.
Një ditë, pas sakrificës, ajo u kthye duke qarë në tempull, për t’i drejtuar Zotit një lutje të nxehtë dhe u betua se, nëse Perëndia do t’i falte një fëmijë, ajo do t’ia përkushtonte shërbimit të Tij. Pas një kohe të gjatë, lutja e saj u dëgjua nga Perëndia, ndërsa ajo po lutej me përkushtim të madh, duke lëvizur vetëm buzët, pa nxjerrë zë, saqë prifti Eli mendonte se ishte e dehur. Perëndia, përpara një lutjeje të tillë, nuk e vonoi mëshirën e Tij dhe i fali një bir, megjithëse ajo ishte në moshë të thyer, për të bërë të ditur lindjen e Virgjëreshës Mari nga një grua tjetër që nuk lindte, nga shën Ana.
Ajo lindi një djalë që e quajti Samuel (i kërkuar te Perëndia) dhe, pasi mbeti shtatzënë, ia përkushtoi Zotit, duke i kushtuar Atij edhe këtë këngë të famshme me theks profetik: “Zemra ime do të jetë e fortë në Zotin, balli im do të lavdërohet në Perëndinë tim; goja ime do të çelet kundër armiqve të mi, do të ngazëllehem në shpëtimin.
Sepse nuk ka të shenjtë tjetër si Perëndia im, nuk ka të drejtë si Perëndia dhe nuk ka të shenjtë, përveç teje, o Zot…. Zoti bën që të vdesë dhe të jetojë dikush, Ai e bën dikë të zbresë në ferr dhe e rimerr përsëri…. Zoti është ngjitur në qiell dhe ka lëshuar bubullimë; “ai vetë do të gjykojë lartësitë e tokës, sepse është i drejtë” ” (1 Mbretërit 2:2-10).
Pas kësaj, kur ata po ngjiteshin të gjithë familjarisht në Silo për sakrificën, Ana i çoi një mantel të birit, Samuelit, i cili shërbente në altar. Prifti i madh Eli e bekoi, sepse ajo ia kishte përkushtuar Perëndisë birin e saj të vetëm dhe Ai i dha përsëri mëshirën e Tij, duke e bekuar edhe me 3 djem dhe 2 vajza, me gjithë moshën e saj të thyer. Ajo e kaloi pjesën tjetër të jetës duke lavdëruar Perëndinë dhe fjeti në paqe.
09 Δεκεμβρίου, 2024
Ngjizja e Shën Anës, nëna e Hyjlindëses Mari. Profetesha Ana, nëna e profetit Samuel
Διαδώστε:
Διαδώστε: