Nisma komunitare e grupit “Shtigjet e Shpresës”, Gjinar
“Familja e shëndetshme, themeli i një shoqërie dashurie, pa dhunë, abuzime dhe përjashtime”.
Ditën e martë më 11 qershor, 2019, shkolla “27 shtatori” në Gjinar të Elbasanit hapi dyert e saj për nismën e grupit CHAT të modulit Shtigjet e Shpresës. Drejtoresha e shkollës znj. Fanie së bashku me mësuesit e shkollës kishin organizuar me profesionalizëm programin e kësaj nisme, e cila kishte qëllim ndërgjegësimin e të gjithë pjesëmarrësve, 17 prindër 12 mësues 80 fëmijë në lidhje me krijimin e një shoqërie dhe familjeje pa dhunë, abuzime dhe përjashtime.
Mirëseardhja dhe prezantimi i NISMES, koncerti i ndërgjegjësimit nga grupi IMPACT (drama, video, thënie, ese), ndarja në grupe, ku fëmijët zhvilluan lojëra ndërgjegjësuese, punë dore dhe mësimin mbi Mbrotjen e Fëmijëve, tryeza e përbashkët e prindërve, mësuesve dhe stafit, e cila drejtohej nga drejtoresha e shkollës, me anëtarë aktorë të ndryshëm lokalë, si punonjësja sociale, infermierja, anëtarë nga qeveria e nxënësve dhe kleriku i zonës, ishin pjesë e programit të nismës.
“Jemi para jush, jo vetëm si fëmijët apo dhe nxënësit tuaj, por tashmë do të na pëlqente ta prezantonim veten si një grup që reagojmë, ndihmojmë dhe kontribuojmë në përmirësimin e komunitetit tonë në çdo aspekt. Ne jemi të rinjtë e Kishës Orthodhokse që kemi të mbjellë në zemrën tonë ndjenjën: “Të duam njëri-tjetrin, ashtu siç Zoti na do ne”. Ne jemi aftësuar dhe ndërgjegjësuar që indiferenca nuk ndihmon, por përbën problem. Prandaj, ne themi MOS HESHT! Kjo është fraza që na nxit ne të mbrojmë veten dhe të tjerët. Në anëtarësimin tek ky grup, me anë të nismave, në bazë të nevojave të komunitetit, kemi mësuar të mos rrimë duarkryq dhe të mos lejojmë të krijojmë perceptimin se ne meritojmë të jemi pre e fenomeneve që dëmtojnë personalitetin dhe familjet tona.
Mësues, prindër dhe nxënës të dashur jemi para jush me synimin që t’ju ftojmë të bashkoheni me ne për të mos lejuar dhunën dhe format e ndryshme të saj si sjellje normale me të cilën ballafaqohemi apo i nënshtrohemi çdo ditë. Të njohim të drejtat tona dhe t’i mbajmë ato” – theksuan të rinjtë e grupit rinor orthodhoks Gjinar në fjalën e hapjes së aktivitetit ndërgjegjësues të përgatitur prej tyre.
Takimi dhe biseda gjatë tryezës së përbashkët përfshiu të gjithë pjesëmarrësit e rritur në diskutim, duke u thelluar më tej se si secili prej tyre dhe të gjithë së bashku të përpiqeshin me çdo lloj mënyre për t’u bërë shtigje shprese për fëmijët e tyre, që kështu të ndihmonin në mirëqenien e tyre.
Gjatë diskutimit u identifikuan disa forma dhune që ekzistojnë në komunitet dhe në shkollë. Duke identifikuar sjelljet e përditshme kuptuan që një pjesë e mirë e tyre ishin forma të gabuara sjelljeje, dhune, bullizmi edhe pse shpesh fshihen në hijen si zakone të zonës, edhe merren si normale. Thellimi në këtë diskutim ndihmoi që të gjithë të reflektonin për këto sjellje të gabuara dhe të dëmshme.
Gjithashtu u theksua edhe mirëqenia e fëmijës dhe çfarë i lumturon ata. Në listën konkrete doli që nevojitet më shumë kohë cilësore me fëmijët dhe të kërkojmë ndihmë nga shkolla dhe organizatat për mirëqenien e tyre.
Pyetja që u ngrit ishte: Si mund të jemi vend ku fëmijët të kenë shpresë, dashuri dhe përkujdesje?
– Mitropolia e Shenjtë e Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit / Facebook
H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.
Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.