06 Νοεμβρίου, 2019

NJERËZIT E PERËNDISË

Διαδώστε:

Perëndia që jetoi në tendë me njerëzit e Dhiatës së Vjetër, e shfaqi veten e tij si një person në Dhiatën e Re. Ky është kuptimi i frazës “banoi midis nesh” (Joani 1:14), “Dhe Fjala u bë mish dhe e vendosi tendën e tij midis nesh, plot me të vërtetë e hir; ne kemi marrë pjesë në lavdinë e tij, si lavdia e të vetmit bir nga Ati”, Biri i Perëndisë, personi i dytë i Trinisë së Shenjtë, që mori mbi vete natyrën njerëzore. “Perëndia lëvizi nga tempulli i Jerusalemit nëpërmjet natyrës njerëzore të Jisuit, ashtu si më parë që Ai kishte lëvizur nga tabernakulli për në tempullin e Solomonit”. Perëndia tani nuk jeton në një tempull, por një person njerëzor. Zoti Jisu u bë tani tempulli i gjallë i Perëndisë.
I njëjti Jisu vjen ta vendosë tendën e tij tek ne nëpërmjet Misterit të Shenjtë të Kungimit Hyjnor: “Ai që ha trupin tim dhe pi gjakun tim, ai mbetet tek Unë dhe Unë tek ai”. (Joani 6:56). Nëpërmjet misterit të vajosjes ne marrim vulën e Shpirtit të Shenjtë për të cilën Shën Pavli thotë: “A nuk e dini ju se jeni tempull i Shpirtit të Shenjtë, dhe se Shpirti i Zotit banon në ju?” Tani Perëndia jeton tek njerëzit e tij. Çdo njëri nga ne bëhet një tempull, një kishë që ecën.
Kështu që Kisha nuk është thjesht një ndërtesë, ajo është edhe njerëzit tek të cilët Perëndia jeton. Ndërtesa nuk është vetëm shtëpia e Perëndisë, madje ajo është më shumë se kaq, është shtëpia e njerëzve të Perëndisë. Njerëzit janë Kisha. Përgjatë tre shekujve të parë të krishtërimit, disa të krishterë e bënin adhurimin e tyre në katakombe për shkak të persekutimeve. Kisha vazhdoi të ekzistonte, madje edhe pse nuk kishte ndërtesa të madha si kemi ne sot, kjo tregon se kisha janë njerëzit e Perëndisë. Gjithashtu ka qenë edhe një periudhë në kishën e hershme ku njerëzit e adhuronin Perëndinë në shtëpitë e tyre. Kisha nuk ishte vendosur ende në një ndërtesë të posaçme, Kisha ishin njerëzit e Perëndisë. Edhe nëse kisha juaj shkatërrohet, kjo nuk do të thotë se ajo nuk ekziston, sepse kisha janë njerëzit e Perëndisë. Ata do të adhurojnë në shtëpi ose në salla. Kisha së pari ndërtesë nuk është, ajo është një grup njerëzish të cilët i janë përgjigjur thirrjes së Perëndisë dhe mblidhen çdo të Dielë të jenë me Të. Fjala greke Eklisia do të thotë: “Ata që janë thirrur”. Një i krishterë është dikush i cili është thirrur nga bota dhe i përket Krishtit.
Në Dhiatën e Vjetër, Perëndia zgjodhi judenjtë të ishin njerëzit e tij. Ata u zgjodhën për të qenë një komunitet i ri nëpërmjet të cilëve Perëndia do të shpëtonte botën. Ai e shfaqi veten e Tij tek ata në mënyrë që ata ta shfaqnin veten e tyre tek kombet e tjerë. Kur Izraeli refuzoi të besonte në Jisuin si Mesia e Premtuar, kisha ishte quajtur nga Zoti “Izraeli i Ri”, populli i ri i zgjedhur, komuniteti i ri i shpëtuar i cili do të përhapte “lajmin e mirë” për atë që Perëndia kishte bërë në Krishtin për të gjithë njerëzit kudo rreth botës. Ne njerëzit u bëmë Kisha, tabernakulli i Perëndisë në botë. “Ju jeni një rracë e zgjedhur, dhe ju mund të deklaroni veprat e mrekullueshme të Perëndisë, të Atij që ju nxori nga errësira për tek drita e mrekullueshme. (Pjetri 1). Qenie njerëzore, jo gur dhe as të vdekshëm, u zgjodhën për të qenë simboli i pranisë së Perëndisë në botë. Perëndia zgjodhi vetë njeriun për tempull të Tij.

Radio “Ngjallja”/facebook

Διαδώστε: