04/11/2024 04/11/2024 E hënë, 4 nëntor 2024 – Shenjtori i ditës. Oshënar i madh Joaniki. Hierodëshmorët Nikandri i Mirës dhe Ermeu. Dëshmor Porfir Aktori. – OSHËNAR I MADH JOANIKI – Ati ynë i shenjtë Joaniki lindi më 754 në Marikat, pranë liqenit të Apoloniadës, në Bitini. Prindërit e tij ishin fshatarë dhe, që kur fëmija ishte 7...
04 Νοεμβρίου, 2024 - 16:36

Oshënar i madh Joaniki. Hierodëshmorët Nikandri i Mirës dhe Ermeu. Dëshmor Porfir Aktori

Διαδώστε:
Oshënar i madh Joaniki. Hierodëshmorët Nikandri i Mirës dhe Ermeu. Dëshmor Porfir Aktori

E hënë, 4 nëntor 2024 – Shenjtori i ditës.
Oshënar i madh Joaniki. Hierodëshmorët Nikandri i Mirës dhe Ermeu. Dëshmor Porfir Aktori.
– OSHËNAR I MADH JOANIKI –
Ati ynë i shenjtë Joaniki lindi më 754 në Marikat, pranë liqenit të Apoloniadës, në Bitini. Prindërit e tij ishin fshatarë dhe, që kur fëmija ishte 7 vjeç, i dhanë të ruante derrat. I devotshëm nga natyra, Joaniki u tërhoq bashkë me prindërit e tij në herezinë ikonoklaste. Kur ishte 19 vjeç, u shqua dhe nderohej si ushtar i gardës perandorake. Më vonë, pas 17 vjetësh, kur ishte për fushatë në afërsi të Malit Olimp të Bitinisë, takoi një asket të vjetër, i cili e bindi për gabimin e tij. I riu u pendua dhe e nderoi me besim ikonën e Krishtit dhe vendosi t’i përkushtohej jetës asketike dhe pendimit.
Më 795, bullgarët idhujtarë pushtuan Thrakën. Perandori Konstandini VI mblodhi një ushtri të fuqishme për t’u bërë ballë, por u mund. Joaniki tregoi heroizëm të jashtëzakonshëm. Kështu fitoi admirimin e perandorit, i cili i dha privilegjin të bëhej pjesë e rojës së tij personale. Por masakrat dhe tmerret e luftës e kishin bërë Joanikin të kuptonte kotësinë e kësaj jete.
Ai shkoi fillimisht në manastirin e Agaurëve. Por igumen Grigori, duke parë paditurinë e tij, i rekomandoi të shkonte si fillim të merrte një formim në shkrimet kishtare dhe rregullat e asketizmit pranë një kinovi, para se t’u bashkohej murgjve më me përvojë. Pas një qëndrimi të shkurtër në manastirin e Tilaonit, pranë Atroas, u pranua në manastirin e Antidionit, ku për dy vjet u bë model për tërë murgjit e tjerë në luftën kundër egoizmit, kundër dhënies pas kënaqësive, kundër tundimeve të çdo lloji. Por, i etur për një jetë të vetmuar, Joaniki kërkoi të tërhiqej i vetëm me Perëndinë në malin Korakoqefaleos. Qëndroi një javë pa ushqim, vetëm në lutje që të takonte një atë shpirtëror për ta udhëhequr në udhën e përsosmërisë. Ditën e shtatë, takoi dy eremitë që kishin dhuratën e largpamësisë, të cilët i profetizuan të ardhmen dhe i dhanë një tunikë prej leshi dhe një kryq, duke i siguruar se këto do t’i nevojiteshin në betejat që do të bënte kundër frymëve të errësirës.
Prej asaj kohe shenjti nisi jetën vetmitare. Qëndroi si fillim në Trikalika, pranë Prusës dhe manastirit të Agaurëve. Nuk vonoi shumë dhe u njoh nga të gjithë, ndaj u tërhoq në një vend edhe më të vetmuar. U fut në një shpellë të humbur thellë në pyll, në zonën e Elespontit, ku askush nuk e njihte, përveç një bariu që i çonte ujë e bukë një herë në muaj. Tre vjet më vonë gjeti një bashkatdhetar të tij, Andonin, i cili edhe ai kishte hequr dorë nga bota. Të dy shkuan në vetmitë më të skajshme të maleve Konduria, pranë Mirës së Likisë. Rrugës, Joaniki takoi një virgjëreshë që ishte bërë viktimë e tundimeve të demonit. Iu afrua dhe i tha të vendoste dorën në qafën e saj duke thënë: “Me fuqinë e Jisu Krishtit, tundimi që të skllavëron rëntë mbi mua!” Ndërkohë që vajza u kthye e qetësuar në manastir, shenjti u mbyll në shpellë i luftuar nga sulme të llahtarshme të demonit të imoralitetit.
Tre vjet më vonë, kur Andoni u kthye te Agaurët, Joaniki u nis për tjetër vend të vetmuar në malet e Kilikisë, ku qëndroi për katër vjet. Më 808, pas një vizioni që pati, u kthye në Elespont, në manastirin e Pandimonit, që të merrte skimën engjëllore. Duke i vazhduar udhëtimet e tij drejt Bitinisë, ndenji një vit në shpellë, i lidhur me zinxhirë të rëndë prej hekuri, pastaj tre vjet në Helidonë, nën drejtimin e asketit të madh, Jorgjit, që të përfundonte formimin e tij.
Më 810, në një vegim, Perëndia i bëri të njohur se tashmë kishte ardhur koha të linte vetminë dhe të punonte për shpëtimin e shpirtrave. U vendos në një qeli të manastirit të Trikalikës dhe filloi të shfaqte dhuratën e tij të largpamësisë dhe të pushtetit mbi kafshët, si Adami në Parajsë. Shenjti pranoi atje vizitorë të shumtë: ngushëllonte shpirtrat e trazuar, korrigjonte mëkatarët dhe kthente heretikët ikonoklastë në rrugën e së vërtetës dhe të virtytit, shëronte të sëmurët. Ishte gjithçka për të gjithë, pa humbur kurrë qetësinë që Perëndia i kishte dhuruar si shpërblim të punëve të tij. Shën Joaniki shkëlqeu veçanërisht në dhuntinë e profecisë. Mes të tjerash, ai paratha rënien e perandorit Mihail I Rangabesë (813), marrjen e pushtetit nga Leoni V Armeni (813-829) dhe persekutimin e tmerrshëm që ky i fundit do të ndërmerrte kundër orthodhoksëve.
Pas kthimit në pyllin e Lidisë, në fillim të mbretërimit të Leon Armenit, shenjti u helmua nga një magjistar me emrin Guria. Por një natë më pas, shën Efstathi iu shfaq në ëndërr Joanikit, i dha një copë bukë për ta ngrënë dhe e shëroi. Në shenjë mirënjohjeje, shenjti i ndërtoi një kishë dhe një manastir, i cili vite më vonë do të numëronte më shumë se 70 murgj. Një herë tjetër, pa në ëndërr një burim mrekullibërës dhe dëgjoi një zë që e urdhëronte të ndërtonte në atë vend një kishëz kushtuar Hyjlindëses dhe një manastir. Shenjti nisi punën dhe i ndihmonte punëtorët me mrekullitë e tij. Shumë herë Joaniki zhdukte, me ndihmën e shkopit të tij, gjarpërinjtë që kishin zaptuar tokat dhe prandaj ai nderohet edhe si mbrojtësi kundër zvarranikëve dhe kafshëve helmuese. Themeloi edhe një manastir të tretë, kushtuar apostujve Petro e Pavli. I organizoi këto ngulime dhe u kthye në vetmi, për të qëndruar i vetëm me Zotin.
Gjatë persekutimit të Leon Armenit, shenjti pranoi shumë vizitorë në skitin e tij. I ngushëllonte dhe i forconte në besim, si murgj ashtu dhe laikë, me fjalën e tij frymëzuese dhe me mrekullitë. Një ditë, një dishepull hyri fshehurazi në qelinë e tij dhe pa shenjtin të ngritur në ajër, dy kubit mbi tokë, krejt i transportuar në qiell. E la tri herë vetminë për të sjellë në besimin orthodhoks igumenin e Agaurëve, i cili kishte rënë në herezi.
Pas vdekjes së Leon Armenit, shenjti shkoi përfundimisht në qelinë e tij në Trikalika. Fama e tij ishte përhapur në tërë Lindjen dhe asnjë i krishterë i devotshëm nuk kalonte në krahinë pa i marrë bekimin. Një herë doli nga qelia e tij për t’u kthyer në Thrakë dhe të çlironte të burgosurit e krishterë që kishin rënë në duart e bullgarëve.
Më 824, një grup prej 100 personalitetesh kishtare, më të shquarit e kohës (ndër të cilët ishin edhe mitropolitët e Kalqedonisë dhe të Nikeas, shën Theodhor Studiti, Klement Notari etj.), e vizituan Joanikin dhe i kërkuan t’u thoshte se cili ishte virtyti më i madh. Joaniki iu përgjigj: “Përulësia. Nga përulësia Fjala e Perëndisë e zbrazi veten dhe pranoi të merrte trajtë shërbëtori (Fil. 11.6), që të na shpëtonte nga vdekja ku ra stërati ynë Adam.” I përcolli vizitorët duke parashikuar edhe të ardhmen e disave në formë enigmatike.
Në kohën e luftës me saraçenët, i treguan për gjendjen e mjerueshme të të krishterëve të burgosur të Amosiumit në Frigji. Joaniki vajtoi kur dëgjoi këtë dhe natën iu shfaq të burgosurve dhe i çliroi mrekullisht nga zinxhirët.
Një ditë, një murg që i konsideronte mrekullitë që kryente shenjti si të pabesueshme, erdhi dhe e vizitoi. Njeriu i Perëndisë e priti dhe i dha të hante. Gjatë vaktit, një ari vinte rrotull duke mbjellë panik mes banorëve. Shenjti e thirri me zë të ëmbël dhe bisha u përkul në këmbët e tij. I dha urdhër më pas që të bënte të njëjtën gjë me secilin nga të ftuarit dhe u tha: “Kur u krijuan, kafshët respektonin njeriun që u krijua sipas ikonës së Perëndisë, dhe ai s’kishte prej tyre pikë frike. Por, që kur shkelëm porositë e Perëndisë, i kemi frikë. Në qoftë se e duam Zotin Jisu dhe zbatojmë urdhërimet e Tij, asnjë bishë nuk do të na cenonte”. Besimtarët që kishin ardhur përfituan prej shenjtit dhe që atëherë nuk dyshuan më për mrekullitë e tij.
Më 829, hipi në fron perandori Theofil. Ishte më fanatiku ndër perandorët ikonoklastë. E persekutoi dhunshëm Kishën e veçanërisht murgjit që mbronin ikonat. Megjithatë, nga vitet e fundit të jetës, ai filloi të dyshonte te bindjet e tij.
Më 841, dërgoi disa lajmëtarë te Joaniki të merrnin këshillat e tij. I lumuri ishte i prerë, ndaj u tha: “Ai që nuk u jep nderimin e duhur ikonave të Krishtit, të Hyjlindëses dhe të shenjtorëve, nuk do të pranohet në Mbretërinë e qiejve, edhe nëse ka bërë jetë të paqortueshme. Sikurse dhe ata që e përbuzin figurën tuaj do të ndëshkohen, ashtu edhe ata që tallen me ikonën e Krishtit, do të hidhen në zjarrin e përjetshëm.” Një vit më vonë, shtrirë në shtratin e vdekjes, Theofilit i sollën një ikonë të Krishtit, të cilën e puthi me lot para se të jepte shpirt. Gruaja e tij, Theodhora, bëri që të caktohej menjëherë shën Metodi si patriark i Konstandinopojës, sipas profecisë së Joanikit dhe, përfundimisht, rivendosi nderimin e ikonave të shenjta (842).
Në vitet e mëpasshme, patriarku u përpoq të rregullonte Kishën, pa u sjellë shumë ashpër me priftërinjtë dhe episkopët që kishin rënë në herezi dhe që pranonin të pendoheshin. Ky qëndrim nuk u pëlqeu disa hierarkëve dhe murgjve, mes të cilëve ishin edhe disa nga murgjit e Studionit. Atëherë, shën Joaniki erdhi vetë në kryeqytet, që të mbështeste me autoritetin e tij politikën falëse të shën Metodit. Kur u kthye në vendin e tij të vetmuar, pa se murgjit ziliqarë, për famën që ai kishte, i kishin djegur kasollen. I dalloi pa vështirësi në turmën që shikonte zjarrin dhe u afrua tek ata. U foli me qetësi dhe butësi dhe i ftoi të hanin bashkë ato që i kishin mbetur. Shenjti ishte më shumë se 90 vjeç. Kuptoi se kjo ishte një shenjë e fundit të tij të afërt, prandaj nuk e ndërtoi më kasollen dhe vendosi të shkonte për t’u përgatitur për vdekjen në manastirin e Antidionit: tek i njëjti që kishte shkuar në fillimet e jetës së tij engjëllore.
Fjeti në paqe më 4 nëntor 846, pasi i kishte parathënë shën Metodit se do t’i bashkohej shenjtit tetë muaj më pas. Në çastin e fjetjes së tij, murgjit e Malit Olimp panë një shtyllë zjarri të ngrihej nga toka në qiell. Lipsanet e tij të shenjta vazhduan të kryenin shumë çudira. Koka e tij nderohet sot në manastirin e Pantokratorit, në Malin e Shenjtë.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων