12/11/2024 12/11/2024 E martë, 12 nëntor 2024 – Shenjtori i ditës. Oshënar Joan Përdëllimtari. Martini i Taracinës, çudibërës. Oshënar Nil Mirovliti. – OSHËNAR JOAN PËRDËLLIMTARI – Shën Joani ishte filiz i një familjeje të shkëlqyer të Amathundës në Qipro. Nga presioni i prindërve, u martua dhe pati shumë fëmijë, të cilët, nga vullneti i Perëndisë, i vdiqën...
12 Νοεμβρίου, 2024 - 14:28

Oshënar Joan Përdëllimtari. Martini i Taracinës, çudibërës. Oshënar Nil Mirovliti

Διαδώστε:
Oshënar Joan Përdëllimtari. Martini i Taracinës, çudibërës. Oshënar Nil Mirovliti

E martë, 12 nëntor 2024 – Shenjtori i ditës.
Oshënar Joan Përdëllimtari. Martini i Taracinës, çudibërës. Oshënar Nil Mirovliti.


– OSHËNAR JOAN PËRDËLLIMTARI –
Shën Joani ishte filiz i një familjeje të shkëlqyer të Amathundës në Qipro. Nga presioni i prindërve, u martua dhe pati shumë fëmijë, të cilët, nga vullneti i Perëndisë, i vdiqën të vegjël, sikurse dhe e shoqja. Duke parë në këtë privim të dhimbshëm rastin për t’u çliruar nga përkujdesjet e botës, iu përkushtua plotësisht Perëndisë.
Më 610, u dorëzua patriark i Kishës së Aleksandrisë, me emrin Joani V. Të njëjtën ditë, ai mblodhi klerin dhe personelin e mitropolisë së pasur të Egjiptit dhe i dërgoi të bënin regjistrimin ekzakt të atyre që i quante mësuesit e tij: d.m.th. të varfrit dhe lypësit, që Perëndia na i vuri pranë, që ne të fitojmë Mbretërinë e Qiejve duke u dhënë lëmoshë. Pasi gjetën më shumë se 7500, dha urdhër që çdo ditë t’u jepnin ushqim dhe veshjet e nevojshme. Shpesh i thoshte Perëndisë në lutje: “Do ta shohim mirë, o Zot, se cili nga ne të dy do të dalë fitimtar në këtë betejë: ose Ti duke më bërë gjithmonë mirë ose unë duke mos pushuar së dhëni te të varfrit. Sepse e di se gjithçka vjen nga përdëllimi Yt dhe ai ma mban jetën”.
Në fakt, përdëllimi i shenjtit ndaj të varfërve ishte i pashtershëm; lëmoshat e tij ishin të bollshme si ujërat e Nilit, që mbulojnë vazhdimisht tokat e Egjiptit për t’i bërë pjellore. Prandaj mori emërtimin Përdëllimtar, sipas ikonës së Krishtit, mësuesit të tij, i Cili është burim i çdo mëshire. Nuk mund të shikonte një të varfër apo një të pikëlluar t’i afrohej dhe të mos qante, apo të mos merrte mbi vete plagën e tij. Jepte pa llogaritur, duke marrë nga thesari i Kishës, sikundër mëson edhe Krishti (Lluk. 6.35), jepte pa bërë dallime mes të mirëve dhe të këqijve, të denjëve dhe të padenjëve.
Një ditë, një i varfër që kishte marrë lëmoshë prej tij, i doli tri herë përpara shenjtit, duke iu shfaqur me pamje të ndryshme. Edhe pse Joani e dallonte, urdhëronte t’i jepnin dyfishin, duke thënë: “Mos ndoshta është Jisui, Shpëtimtari im, që vjen për të më provuar?”. Sa më shumë jepte lëmoshë, pa llogaritur sasinë apo se ç’do sillte e nesërmja, aq më tepër Perëndia ia shumëfishonte dhurimet që i bënin Kishës; dhe populli ishte i siguruar në premtimin e Shpëtimtarit: “Mos u shqetësoni për jetën tuaj, çfarë do të hani, çfarë do të pini, as për trupin tuaj se çfarë do të vishni… Kërkoni së pari Mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij dhe gjithçka do t’ju jepet” (Matth. 6).
Një nga klerikët e ngarkuar për lëmoshat i kishte dhënë një të varfri një të tretën e shumës që shenjti i kishte caktuar, duke gjykuar se ishte e palogjikshme të boshatisej thesari për një të vetëm. Por u turpërua nga Joani, kur ky i zbuloi se një grua e pasur, e cila kishte premtuar se do t’i bënte një dhurim të konsiderueshëm Kishës, përfundimisht kishte dhënë një të tretën e shumës së parashikuar.
Më 614, kur persët pushtuan provincën e Sirisë dhe morën me gjak qytetin e Jerusalemit, një numër i madh refugjatësh vërshoi drejt Aleksandrisë. Shën Joani i pranoi si vëllezërit e tij, i ngushëlloi, u ngriti spitale dhe fjetore dhe përdori tërë burimet e Kishës për t’i ushqyer dhe për t’u dhënë para. Ndërkohë, dërgoi në Palestinë anije të ngarkuara me drithëra e ushqime, si dhe punëtorë për të ndërtuar kishat e shkatërruara.
Vetë ai vizitonte të sëmurët dhe nevojtarët dhe u dëftonte në personin e tij një reflektim të pranisë së Krishtit.
Kur donin ta falënderonin për mirëbërjet, e ndërpriste papritur bashkëfolësin dhe i thoshte: “Hesht, vëlla, sepse gjakun tim ende nuk e kam dhënë për ty, ashtu siç e kërkon Zoti!”.
Çdo të mërkurë dhe të shtunë, rrinte në derën e kishës dhe priste që t’i vinin njerëz, të cilët i ndihmonte të ndërprisnin grindjet dhe të pajtoheshin me armiqtë. Kurrë s’tha fjalë të kotë dhe kurrë s’dënoi ndonjë edhe para rasteve më të dukshme të mëkatit.
Shikonte vetëm të mirën dhe qëllimet e mira, supozonte se mëkatarët ishin penduar fshehtazi dhe ruhej se mos binte në gjykim, i cili i përket vetëm Perëndisë. E falënderonin ata që shpifnin për të ose e fyenin, ngaqë u kujtonte mëkatet dhe u jepte lëmoshat më të mëdha se të tjerët.
Për të korrigjuar mëkatarët, krenarët ose zemërgurët, patriarku i shenjtë u drejtohej gjithmonë duke u rrëfyer mëkatet që do të kryenin dhe duke u kujtuar të luteshin që të pendoheshin. Ai i nxiste me durim besimtarët për përulësi dhe pendim, duke u kujtuar mrekullitë që Perëndia ka bërë për ne duke krijuar botën, duke dërguar Birin e tij për të na shpëtuar dhe duke bërë durim për fajet tona të panumërta. Më shumë se me fjalë, i pëlqente të transmetonte mësimin e Shkrimit të Shenjtë me veprat e tij, si profetët.
Një të diel, tek po celebronte Liturgjinë Hyjnore në katedrale, i rrethuar nga kleri dhe gjithë populli, patriarku u ndal befas para se të thoshte fjalët e shenjtërimit, i kërkoi dhjakut të përsëriste litanitë dhe dërgoi të kërkonin një nga klerikët e Kishës së tij, i cili ishte zemëruar dhe s’ishte i pranishëm në kishë. Kur ky mbërriti, episkopi u përkul para tij me lot dhe i kërkoi të falur. E vazhdoi meshimin vetëm pasi u pajtua me të, e përqafoi dhe prifti u fut në shenjtërore, duke përmbushur porosinë e Zotit (Matth. 5.23).
Ndonëse kishte qenë i martuar, shën Joani i donte murgjit dhe ua kalonte në ashpërsinë e jetës. Kishte mbledhur pranë katedrales dy vëllazëri murgërore dhe mori përsipër mbarëvajtjen e tyre. Si shkëmbim u kishte kërkuar të luteshin për të dhe për Kishën gjatë shërbesave që kryenin, të luteshin në qeli për shpëtimin e tyre dhe për tërë pjesën tjetër të botës. Banonte në një pallat të pasur, por nuk zotëronte asgjë. Qelia e tij s’kishte asnjë komoditet; prandaj dhe një pasanik i qytetit i dhuroi një ditë një mbulesë luksoze.
Një natë më pas, shenjti s’gjente prehje dhe e dënoi veten duke menduar se ka shumë të varfër që vuajnë nga të ftohtët dhe uria para derës së tij, ndërsa ai mbështillet me një luks të tillë. Të nesërmen e shiti dhe të hollat i shpërndau. Megjithatë, mirëbërësi e gjeti dhuratën në vitrinën e tregut, e ribleu dhe e detyroi Joanin ta pranonte. Por ky e shiti prapë për të bërë lëmoshë. Meqë as njëri, as tjetri nuk tërhiqeshin, objekti qarkulloi shumë herë në duart e tyre dhe kështu Joani e detyronte në mënyrë të tërthortë këtë pasanik të shpërndante një pasuri të madhe te të vobektët.
Dashuria dhe përulësia e tij ekstreme nuk e pengonin të ishte i prerë me heretikët monofizitë. I donte dhe i ndihmonte, por ishte strikt dhe i dënonte në gabimet e tyre dhe nuk i lejonte orthodhoksët të merrnin pjesë në adhurim dhe në lutje me ta.
Kur uria dhe epidemitë bënë kërdinë në qytet, shenjti ishte i pari që u ndodh pranë të sëmurëve dhe varrosi të vdekurit. I nxiti besimtarët të luteshin vazhdimisht për të fjeturit dhe merrte shkak nga këto fatkeqësi për t’u kujtuar brishtësinë e jetës sonë dhe urgjencën për pendim.
Disa vite më vonë, pas marrjes së Jerusalemit, edhe Aleksandria u kërcënua nga persët. Prandaj dhe me kërkesën e guvernatorit të Egjiptit, Nikitës, Joani u kthye në Qipro, ku dhe fjeti në moshën 64-vjeçare (më 619), duke lavdëruar Perëndinë që nuk i la asgjë nga gjithë ato pasuri të mëdha, të cilat i kishte përdorur në dobi të të varfërve.
Pak para fjetjes së tij, pa t’i shfaqej e njëjta virgjëreshë e fisshme, e cila i ishte shfaqur kur ishte 15 vjeç dhe i kishte thënë se ishte Mëshira si person, që e shtyu Krishtin të mishërohej për shpëtimin tonë; dhe i kishte premtuar se do t’i hapte Mbretërinë e Qiejve. Disa kohë pas fjetjes së tij, një vaj erëmirë (miro) rrodhi nga trupi i hierarkut të shenjtë për ngazëllimin dhe ngushëllimin e besimtarëve.


– OSHËNAR NIL ASKETI –
Shën Nili ishte nga Angira e Galatisë. Ishte nxënës i shën Joan Gojartit kur ky mësonte në Antioki, dhe u bë prefekt i qytetit të Konstandinopojës gjatë sundimit të Theodhosit (379-395). Ishte i martuar me një grua të përkushtuar dhe të pasur, me të cilën pati dy fëmijë.
Pas disa vjetësh, i djegur nga dashuria për Perëndinë dhe jeta vetmitare, arriti ta bindte të shoqen të ndaheshin dhe të jetonin si murgj në Egjipt, duke marrë secili me vete, njëri djalin e tjetri vajzën.
Shën Nili dhe biri i tij, Theodhuli, u tërhoqën në Malin Sina, në të tatëpjetat e thepisura ku Perëndia iu shfaq Moisiut dhe ku një numër i madh murgjish jetonin në asketizëm e në vetmi, duke u takuar vetëm për mbledhjen dhe vaktin vëllazëror të të dielave dhe ditët e festave të mëdha. Jetuan që të dy për shumë kohë në qetësi, në luftë kundër sulmeve të demonëve, me kreshmë, agripni dhe duke thirrur pa pushim Emrin e Jisuit.
Një ditë, si zbritën drejt vendit të Shkurres së Zjarrtë (Eks. 3), për t’u lutur e për të biseduar për gjëra shpirtërore me murgjit që jetonin atje, vërshoi një bandë saraçenësh, masakroi një pjesë të etërve të shenjtë, i zhveshi e dëboi nga mali pjesën tjetër dhe kapën më të rinjtë, me qëllim që t’i shisnin si skllevër. Shën Nili ishte me ata që duhej të arratiseshin, që të mos i vrisnin, por s’mundej, sepse Theodhulin e kishin kapur; por ishte i biri ai që e urdhëroi të largohej.
Nili dhe shokët e tij u strehuan në lartësitë e Sinait, ku barbarët s’guxonin të hynin nga frika se mos i digjte zjarri i lavdisë së Perëndisë. Që nga ajo ditë, shenjti u dha me më shumë vrull në asketizëm. U njoh nga të gjithë për dallueshmërinë dhe dhuntinë e profecisë. Nga të gjitha anët vinin për t’i bërë pyetje dhe ai u përgjigjej me letra të shumta, duke prekur tërë çështjet. Shkëlqeu në zbulimin e dredhive të demonëve dhe në ngushëllimin e atyre që ishin zemërlëshuar dhe të hutuar në udhën e tyre drejt Perëndisë. U përgjigjej shumë enigmave të Shkrimit, mbronte besimin e Vërtetë kundër arianëve dhe heretikëve të tjerë dhe mori në mbrojtje fuqishëm shën Joan Gojartin, të cilin e internuan padrejtësisht. Përveç të tjerave, ai shkroi një numër të madh ligjëratash asketike, në të cilat lavdëron jetën murgërore, si: “Filozofia e vërtetë”, “Filozofia e Shpirtit të Shenjtë”, që na jep, përmes korrigjimit të zakoneve tona dhe ushtrimit sistematik në lutje, njohjen e vërtetë. Pas shumë vjetësh, ai arriti të gjente Theodhulin, dhe që të dy u hirotonisën priftërinj nga episkop Eluzi, i cili kishte strehuar Theodhulin.
Shën Nili fjeti në paqe rreth vitit 430. Lipsanet e tij u transferuan në Konstandinopojë dhe u nderuan në kishën e Jetimores, kushtuar Shën Pavlit, në kohën e perandorit Justin (518-527).


– OSHËNAR NIL MIROVLITI –
Lindi ndoshta në vitin 1601, në Peloponez të Greqisë. Mësoi shkronjat dhe virtytin pranë xhaxhait të tij, hieromonakut Makarios. Së bashku u ushtruan në Manastirin e Malevit (po në Peloponez), ku Nili u hirotonis dhjak dhe prift. Meqenëse ata kërkonin një jetë të një niveli më të lartë, kërkuan në Malin e Shenjtë dhe gjetën një vend krejt të shkretë, ku ishte ushtruar më parë shën Petro Athoniti (12 qershor) skiti aty afër i Kafsokalivëve u krijua përfundimisht gjatë 100-vjeçarit të mëvonshëm. Pasi blenë vendin nga manastiri i Lavrës, aty afër, ata punuan me ngulm për të rregulluar florën e zonës, ndërtuan dhe pikturuan me dorën e tyre kishën e Ipapandisë.
I nipi, për shkak të vetizolimit të plotë, arriti që të zbriste në një shpellë pranë, në një greminë vertikale që përfundonte në port natyror, aty ku kishte ndalur anija që sillte shën Petron. I marrim me mend përpjekjet e tij të përhershme mbinjerëzore në këtë shpellë, përderisa ai u bë i denjë që të lëshojë miro pas fjetjes më 12 nëntor të vitit 1651. Miroja rridhte nga varri i tij, pranë shpellës, deri në det! Ndaj vinin anijet dhe merrnin nga ai, sepse shëronte sëmundjet.
Por, më pas varri i tij u harrua. Dy etër, duke dashur ta gjenin atë, gërmuan dhe një shkëmb rrëshqiti dhe dërrmoi këmbën e njërit prej tyre. Kur tjetri iku për t’i sjellë ndonjë kafshë pune, shenjti iu shfaq të plagosurit, e qortoi për guximin që kishin ndërmarrë pa bekimin e tij, dhe pastaj e shëroi.
Që atëherë askush nuk e kërkoi më, deri në vitin 1815. Atëherë një murg, i pushtuar nga demonët dhe që gjithashtu vuante nga hernia, u shërua nga oshënari, i cili i tregoi në mënyrë profetike të këqijat që do të pësonte Mali i Shenjtë. Pastaj e nxiti të riparonte shtegun që të çonte drejt shpellës së tij, që të kryheshin liturgji në kishëzën, që kishte krijuar vetë brenda saj.
Atëherë vëllezërit ndërtuan pranë saj një kishëz me emrin e tij. Por, duke gërmuar themelet, gjetën varrin me lipsanin që kundërmonte erë të mirë (7 maj 1815), dhe u shëruan sëmundje të ndryshme. Varri është mbrapa Hierores. Janë ruajtur kodikë me profeci që i dedikohen atij, por nuk duken se janë të tij. Megjithëse festa e tij është më 12 nëntor (dita e fjetjes së tij), kremtohet sot në Malin e Shenjtë për shkak të kushteve më të favorshme të motit.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων