E premte, 6 dhjetor 2024 – Shenjtori i ditës.
Oshënar Nikolla i Mirës së Likisë. Dëshmor Niseri. Dëshmore Asela. Dëshmor Auksili.
JEMI NË KRESHMËN E KRISHTLINDJES
(15 NËNTOR – 25 DHJETOR).
– OSHËNAR NIKOLLA I MIRËS SË LIKISË –
Ati ynë i shenjtë Nikolla, imituesi i flaktë i Zotit tonë Jisu Krisht dhe vazhduesi i veprës apostolike, u shfaq si një shtyllë e gjallë për Kishën, i zellshëm në mbrojtjen e besimit dhe një model bariu për të gjithë episkopët e shenjtë. Nëpërmjet mrekullive të shumta në ndihmë të të varfërve dhe të të braktisurve, të atyre që pësojnë padrejtësi dhe të gjithë sa thërrasin në ndihmë mbrojtjen e tij atërore, shën Nikolla e ka shfaqur veten e tij deri në ditët tona si kujdestar i mirë i hirit të shumëfishtë të Perëndisë (1 Pet. 4:10).
Shën Nikolla lindi në Patara të Likisë në fund të shekullit të 3-të nga prindër të krishterë, që kishin qenë për një kohë të gjatë pa fëmijë. Që në moshë të vogël, ai shfaqi një dashuri të madhe për virtytin dhe zell për ruajtjen e porosive të Kishës, duke mos pirë qumësht nga gjiri i nënës së tij të mërkurave dhe të premteve deri vonë në darkë. I devotshëm dhe i prirë për heshtje, ai u edukua në theologji dhe, ndërkohë që ishte i ri, u dorëzua prift nga ungji i tij, kryepiskop Nikolla. Për shumë vjet agripnia, kreshma dhe lutja ishin virtytet që ai shkëlqeu, por, që kur i vdiqën prindërit, ai ua dha gjithçka që kishte të varfërve, bujaria e tij në lëmosha u bë kudo e njohur.
Shenjti e shikonte veten e tij si një kujdestar i të mirave që u takonin të varfërve dhe u përkujdes në mënyrë të veçantë që bamirësitë e tij të mbeteshin përherë të fshehura nga sytë e njerëzve, për të mos humbur shpërblimin hyjnor (shih Matth. 6:7). Në tri raste ai la në fshehtësi ar të mjaftueshëm për martesën e tri vajzave, të cilat, ati i tyre, ngaqë kishte rënë në borxhe, mendonte t’i kthente në prostituta. Kur i ati i vajzave zbuloi se kush ishte ndihmësi i tij, Nikolla e bëri atë t’i premtonte se nuk do t’i tregonte njeriu për këtë ngjarje.
Perëndia e shpërbleu me shumë dhurata dhe mrekulli, gjë për të cilat u bë i njohur te njerëzit. Kur po shkonte për pelegrinazh në Vendet e Shenjta, ai i qetësoi me anë të lutjes së tij dy herë me radhë erërat, që po rrezikonin anijen me të cilën po udhëtonte.
Disa kohë pas kthimit të tij, një engjëll i bëri të ditur Sinodit të episkopëve, mbledhur për të zgjedhur një bari për qytetin e afërt të Mirës, se duhej të zgjidhnin Nikollën gjë që ata e bënë dhe kjo ngjalli gëzim të madh në popull. Gjatë persekutimit të fundit të madh nën sundimin e Dioklecianit dhe të Maksimianit (305), shën Nikolla u burgos, por ai vazhdonte ta fuqizonte grigjën e tij në besën e krishterë. Me ardhjen e Konstandinit në fuqi, ai u tregua mjaft i zellshëm për shkatërrimin e tempujve paganë dhe për të dëbuar prej tyre demonët që banonin ndër ta. Midis etërve të Nikeas, të mbledhur në vitin 325 për Sinodin e Parë Ekumenik, shën Nikolla ishte një nga udhëheqësit e orthodhoksëve që luftuan kundër herezisë jofetare të Ariosit. Kjo herezi kishte shkaktuar një trazirë të madhe dhe e kishte përçarë Trupin e Krishtit.
Ai e shpëtoi qytetin e Mirës nga zia e bukës, duke iu shfaqur të zotit të një anijeje të ngarkuar plot me misër dhe duke i thënë se duhej ta sillte dhe ta shkarkonte në Mirë ngarkesën e tij.
Më vonë, njeriu i Perëndisë shpëtoi jetët e tre oficerëve romakë të akuzuar për konspiracion, duke iu shfaqur në ëndërr perandorit Konstandin dhe prefektit intrigant Avlavio. Plot me mirënjohje për shenjtorin, tre ushtarakët u bënë murgj.
Në shumë raste të tjera, si gjatë kohës kur ishte gjallë, ashtu edhe pas largimit të tij nga kjo botë, shën Nikolla ndihmoi me një mënyrë të mrekullueshme shumë anije që ishin në rrezik dhe shumë njerëz që ishin në vështirësi gjatë udhëtimeve të tyre. Prandaj, ai nderohet si mbrojtësi i të gjithë atyre që lundrojnë në det. Kështu, një ditë gjatë një stuhie të fortë, ai u shfaq në bashin e një anijeje në rrezik mbytjeje dhe e çoi të sigurt drejt portit më të afërt.
Ndërsa në një rast tjetër shpëtoi një njeri që ra në ujë, i cili, ndërsa ishte duke rënë, thirri me të madhe: “Shën Nikolla, ndihmomë!”. Shumë i çuditur, ai njeri e gjeti veten menjëherë në shtëpi, i rrethuar nga familja e tij.
Për shumë vjet episkopi i shenjtë ishte prania e Krishtit, Mikut të njerëzve, dhe bariu i mirë i besimtarëve të tij; nuk kishte fatkeqësi në të cilën ai të mos shkonte për të ndihmuar njerëzit i shtyrë nga dhembshuria, apo padrejtësi që të mos e ndreqte ai. Në grigjën e tij nuk kishte grindje e përçarje, sepse shën Nikolla i zgjidhte të gjitha. Kudo që ndodhej, pamja e tij e ndriçuar dhe atmosfera e një paqeje rrezatuese që e rrethonte gjithmonë, e bënin që të njihej menjëherë se kush ishte.
Kur ai fjeti në paqe, besimtarët vajtonin që humbën bariun dhe përkujdesjen e tyre, me anë të të cilit kishin marrë aq shumë bamirësi. Por engjëjt dhe shenjtorët u gëzuan jashtë mase teksa pritën shën Nikollën mes tyre. Lipsani i tij u vendos në një kishë të ndërtuar për nder të tij në Mirë, ku nderohej çdo vit nga një numër i madh besimtarësh.
Një ditë, djalli, duke mos e duruar dot lavdinë që shkëlqente nga varri i shën Nikollës, mori pamjen e një gruaje të moshuar dhe iu afrua disa pelegrinëve që po shkonin për në Mirë. Iu ankua atyre se nuk mund të shkonte vetë deri në varrin e shenjtit për t’u falur, dhe iu dha një shishe me vaj për ta përdorur në kandilat që qëndronin gjithmonë të ndezur. Gjatë udhëtimit, shën Nikolla iu shfaq kapitenit të anijes dhe i tha atij ta flakte vajin magjik në det. Sapo e flaku, ra një zjarr i madh mbi sipërfaqen e detit dhe u krijua një vorbull tymi, duke shkaktuar habi të madhe te pasagjerët e anijes.
Në vitin 1087, pasi Mira ra në duart e saraçenëve, lipsani i shën Nikollës u transferua në Bari të Italisë, i shoqëruar nga shumë mrekulli, ku nderohet edhe sot.
Shën Nikolla, ashtu si edhe shën Gjergji, është një nga shenjtorët më të dashur të të krishterëve si në Lindje, ashtu edhe në Perëndim. Kishat që i janë kushtuar atij janë të panumërta, gjithashtu edhe vendet, edhe besimtarët që kanë marrë emrin e tij. Ai nderohet veçanërisht nga rusët si mbrojtësi i të mbjellave dhe në Perëndim shikohet si mbrojtësi i fëmijëve të shkollave dhe, në përgjithësi, i të rinjve.
* * * * *
– DËSHMOR NISERI –
Gjatë përndjekjes së madhe të Maksimianit dhe Dioklecianit (304), shën Niseri u dorëzua te sundimtarët Julio dhe Eliano. E morën në pyetje dhe, pasi pohoi me guxim besimin te Krishti Shpëtimtar, e zhveshën lakuriq dhe me mjete të mprehta e të nxehta i shpuan trupin dhe e futën në burg. Pas një hetimi të dytë, e zhveshën përsëri lakuriq dhe ia rropën mishin para se ta hidhnin brenda një zjarri të madh, ku dorëzoi shpirtin e tij, si therore e pëlqyeshme për Zotin.
06 Δεκεμβρίου, 2024
Oshënar Nikolla i Mirës së Likisë. Dëshmor Niseri. Dëshmore Asela. Dëshmor Auksili
Διαδώστε:
Διαδώστε: