Oshënar Spiridhoni i Trimithundës. Hermani i Alaskës. Oshënar Finiani. Oshënar Anthi. Dëshmor Sinesi
E enjte, 12 dhjetor 2024 – Shenjtori i ditës.
Oshënar Spiridhoni i Trimithundës. Hermani i Alaskës. Oshënar Finiani. Oshënar Anthi. Dëshmor Sinesi.
JEMI NË KRESHMËN E KRISHTLINDJES
(15 nëntor – 25 dhjetor).
– OSHËNAR SPIRIDHONI I TRIMITHUNDËS –
Ati ynë i shenjtë, Spiridhoni, jetoi në ishullin e Qipros, në agimin e shekullit të 4-t dhe ushtronte në paqe zanatin e thjeshtë të bariut. Me sjellje të thjeshtë nga fshati dhe pak i arsimuar, ai nuk kishte të ngjashëm me veten sa i takon dashurisë ndaj të afërmit, butësisë, delikatesës, lëmoshës, mikpritjes dhe zbatimit të të gjitha virtyteve. Njësoj si patriarku Abraham, ai priste me dashuri të madhe në shtëpinë e tij të gjithë njerëzit që vinin aty dhe tregonte të njëjtin respekt e devocion, siç do të bënte vetë Krishti nëse do të vinte në shtëpinë e tij në ato çaste.
Nuk kishte të varfër dhe të sëmurë që të mos gjenin ndihmë pranë tij. Spiridhoni i vinte paratë e tij në një arkë që e linte përherë të hapur, aty mund të merrte kushdo dhe ai kurrë nuk shqetësohej nëse ishte bosh ose plot, ose nëse ata që vinin për të marrë ishin të denjë ose jo për ndihmën e tij. Duke jetuar me pastërti dhe shpresëtari jetën bashkëshortore, Perëndia i fali një vajzë, Irinin, por pas pak vitesh gruaja e tij ndërroi jetë. Atëherë, i çliruar nga përkujdesjet jetësore, Spiridhoni u mor vetëm me përparimin në virtyt dhe pasurimin e shpirtit të tij me dhuratat e përjetshme të Hirit.
Ai fitoi, pa e dashur vetë një diçka të tillë, një famë të madhe në ishull. Kur vdiq episkopi i Trimithundës, një qytet i vogël afër Salaminës, besimtarët e zgjodhën në mënyrë unanime në vend të tij, për t’u bërë bariu i grigjës shpirtërore të Krishtit.
Edhe pse u nderua me këtë ofiq, bariu i përulur nuk e braktisi në asnjë çast mënyrën e tij të të jetuarit: ai mbante po të njëjtat veshje të varfra, shkonte kudo më këmbë, punonte nëpër ara dhe vazhdonte si më parë të kulloste dhentë. Një natë, disa kusarë hynë në vathën e dhenve të tij për të vjedhur; por, kur deshën të dilnin jashtë, ndjenë se i kishin këmbët të lidhura dhe se nuk mund të lëviznin dot nga vendi, ngaqë ishin të gozhduar nga një forcë e padukshme. Kur Spiridhoni i pa herët në mëngjes, të turpëruar, ata i rrëfyen fajin e tyre. Duke ndier dhembshuri për ta, shenjti i çliroi nga lidhjet e padukshme dhe i qortoi të jetonin tani e tutje një jetë të shenjtë. Por nuk i la të iknin pa u bërë dhuratë 2 desh, duke i thënë buzagaz se ky ishte shpërblimi i mundit të qëndrimit zgjuar gjatë natës.
I ashpër me veten, Spiridhoni tregonte gjithmonë dhembshuri për bashkënjerëzit e tij dhe një butësi të madhe ndaj dobësive të tyre. P.sh. që të ndihmonte ndonjë udhëtar, ai nuk hezitonte që të prishte edhe Kreshmën. Njësoj si Krishti, Bariu i mirë, ai ishte përherë i gatshëm të jepte jetën për hir të grigjës së tij shpirtërore, që ta kulloste atë në kullotat e Hirit. Me anë të butësisë, përulësisë dhe thjeshtësisë së tij, ai fitoi guxim të madh para Perëndisë, sa dhe kreu një numër të madh mrekullish për shpëtimin dhe ngushëllimin e Kishës së tij.
Kur ishulli i Qipros u godit nga një thatësirë e tmerrshme, që solli afrimin e zisë së urisë, shën Spiridhoni hapi qiejt falë lutjes së tij dhe mori nga Perëndia një shi bamirës, i cili i solli tokës përsëri pjellorinë e saj. Kur disa të pasur mblodhën sasi të mëdha gruri, për të përfituar nga mungesa e tij në treg dhe për ta shitur me çmime më të larta, episkopi bëri që të shembeshin hambarët e tyre me anë të lutjes së tij të zjarrtë dhe ua shpërndau banorëve grurin në mënyrë të barabartë. Një herë tjetër, njësoj si Moisiu në shkretëtirë (shih Numrat 21:8) ai shndërroi një gjarpër në ar për të ndihmuar një njeri të varfër. Pasi e ndihmoi të varfrin, ai e ktheu gjarprin në formën e mëparshme, që të mos e kthente shenjën e ndihmës hyjnore në një shkak koprracie. Gjithmonë i gatshëm për të rendur në ndihmë të atyre që kishin nevojë, ai u nis një ditë për të ndihmuar një të dënuar me vdekje. Rrugës ndali vërshimin e një përroi të vrullshëm që i pengonte kalimin dhe kështu e kaloi shtratin e tij pa iu lagur këmbët.
Duke jetuar në Krishtin me anë të virtyteve të tij dhe duke vepruar Krishti përbrenda tij me anë të Shpirtit të Shenjtë, Spiridhoni fitoi edhe pushtetin mbi vdekjen. Një grua barbare iu lut që të sillte në jetë djalin e saj të vogël, kufomën e të cilit ia vuri përpara këmbëve dhe, pasi shenjtori u lut, djali u ngjall përsëri. Kur vajza e tij Irini vdiq, episkopi i shenjtë, duke mos pasur kohë t’i zbulonte njeriu vendin ku kishte vendosur pasurinë që ia kishte besuar asaj, u përkul sipër varrit dhe e pyeti të ndjerën, e cila iu përgjigj menjëherë duke i treguar se ku ishte thesari. Pasi kreu një mrekulli të tillë me anë të fuqisë së Perëndisë, shën Spiridhoni hodhi tej çdo lloj ngushëllimi njerëzor për veten dhe nuk i kërkoi Zotit që ta ngjallte as edhe vajzën e tij të shtrenjtë.
Virtyti i tij ishte aq shumë i ndritshëm, saqë ky ndriçim përshkonte të fshehtat e ndërgjegjeve dhe i shtynte mëkatarët të pendoheshin dhe të vinin për të rrëfyer fajet e tyre, që të nisnin përsëri një jetë pendimi. Një herë një grua, njësoj si gruaja e penduar e Ungjillit mbi të cilën njeriu i Perëndisë hodhi një vështrim plot dhembshuri, ra në këmbët e tij dhe ia lau ato me lotët e saj, ndërsa i rrëfeu mëkatet. Spiridhoni u përkul mbi kryet e saj, e ngriti dhe i tha: “Të janë ndjerë mëkatet” (Llk. 7:48), njësoj si të fliste vetë Shpëtimtari me anë të gojës së tij. Pastaj i dha leje gruas të largohej me paqe, duke u gëzuar vetë si bariu i mirë që ka gjetur delen e humbur dhe që thërret edhe miqtë e fqinjët e tij të gëzohen, duke thënë: “Gëzohuni bashkë me mua, se gjeta delen time që pati humbur” (Llk. 15:6).
Shën Spiridhoni ishte jo i ditur për diturinë e kësaj bote, por i pasur në dhuratat e profecisë dhe të njohjes shpirtërore. Ai zotëronte një njohje të thellë të Shkrimit të Shenjtë. Një ditë përuli një episkop lavdidashës, që donte të tregonte elokuencën e tij duke përdorur me paramendim fjalë të zgjedhura të Ungjillit.
Kur perandori besimtar, Konstandini i Madh, mblodhi në Nikea Sinodin e Parë Ekumenik (325), për të dënuar herezinë e Ariosit, shkoi edhe Spiridhoni, i veshur me rrobën e tij të thjeshtë të bariut, për të dhënë dëshminë e së vërtetës së bashku me episkopët e shenjtë dhe pohuesit e mëdhenj, që ishin personalitetet më të shquara të kohës së tij. Gjatë diskutimeve, një filozof arianist, egoist, sfidoi orthodhoksët për një debat rreth Trinisë së Shenjtë. Bariu i përulur nga Qiproja, erdhi atëherë dhe, për habi të të gjithëve, shkatërroi argumentet e kundërshtarit të tij me thjeshtësinë dhe autoritetin e fjalëve të frymëzuara nga Shpirti i Shenjtë. Duke mos pasur një përgjigje, filozofi pranoi që u mund; përqafoi besimin orthodhoks me sinqeritet dhe u bëri thirrje edhe pasuesve të tjerë të Ariosit, që të braktisnin rrugët mashtruese të dijes njerëzore për të gjetur në Kishë burimin e Ujit të Gjallë dhe fuqinë e Shpirtit.
Pas vdekjes së shën Konstandinit, biri i tij, Konstanci, që trashëgoi pjesën perëndimore të perandorisë, shfaqi një prirje për arianizmin. Ai u sëmur kur ishte në Antioki dhe, me gjithë përpjekjet e mjekëve, jeta e tij ishte në rrezik. Në ato çaste pa në vizion shën Spiridhonin dhe vendosi ta thërriste në pallat, në shoqërinë e nxënësit të tij, shën Trifilit (12 qershor). Shën Spiridhoni e shëroi prej sëmundjes trupore dhe perandori i premtoi se do të kujdesej edhe për shëndetin e shpirtit të tij, duke i qëndruar besnik mësimit të Kishës dhe duke qenë i mëshirshëm ndaj nënshtetasve të tij. Kur u kthye në Qipro, ai shpërndau te të varfrit të gjithë arin që ia bëri dhuratë perandori.
Duke qenë i shkëputur nga gjërat e dheut dhe i përthithur i gjithi prej hyjnoreve dhe pritjes së jetës së përjetshme, shën Spiridhoni kryente Liturgjinë Hyjnore dhe shërbesat e Kishës sikur të gjendej para fronit të Perëndisë, në shoqërinë e engjëjve dhe të shenjtorëve. Një ditë, ndërsa po kryente Liturgjinë në një kishë që ishte lënë pas dore prej besimtarëve, ai u kthye nga populli që mungonte dhe tha: “Paqe të gjithëve!” e nxënësi i tij dëgjoi zërin e një numri engjëjsh që iu përgjigjën: “Dhe në shpirtin tënd”, dhe më pas shërbesa vazhdoi në shoqërinë e himneve engjëllore.
Në fund të një jete të gjatë që e jetoi nën frymëzimin e vazhdueshëm të Shpirtit të Shenjtë, shën Spiridhoni dha shpirtin e tij në paqe te Perëndia më 12 dhjetor 348, në moshën 78-vjeçare, pasi u dha kurajë atyre që ishin pranë tij që të ndiqnin Krishtin, duke marrë mbi vete barrën e Tij të ëmbël dhe të lehtë.
Trupi i tij u bë burim i pashtershëm shërimesh për besimtarët e Qipros deri në shekullin e 7-të, kur u mor në Konstandinopojë për t’i shpëtuar invazionit arab dhe qëndroi në një kishë afër Shën Sofisë. Pasi Qyteti ra në duart e turqve, lipsani i tij u çua fshehurazi në Korfuz (1456), ku ruhet i paprishur deri më sot, në mënyrë të mrekullueshme. Atje janë kryer shumë mrekulli si për njerëz të veçantë, ashtu edhe për mbarë popullatën, zhdukja e epidemisë së kolerës dhe dëbimi i pushtuesve të huaj saqë shën Spiridhoni nderohet si mbrojtësi i parë i Korfuzit.
* * * * *
– DËSHMOR SINESI –
Sinesi ishte anagnost në Kishën e Romës, kur Shën Ksisti I (10 gusht) ishte papë, në kohën e perandorit Aurelian (270- 275). Një ditë Sinesi i tha perandorit me shaka se ishte gati t’u ofronte sakrificë idhujve. Tirani u kap pas fjalës që i tha dhe, kur Sinesi nuk e bëri atë gjë, e rrahën me kamxhik prej lëkure bualli. Martirin e shtrinë në një skarë të nxehtë e të madhe, por një zë u dëgjua prej qiellit duke i dhënë kurajë në përpjekjen e tij. Perandori e hodhi më pas në një gropë të thellë ku ishin ngulur shkopinj me majë të mprehtë, por Sinesi u ruajt i paprekur në mënyrë të mrekullueshme.
Më pas, e mbyllën në Panteon për 12 ditë që t’u shërbente idhujve. Atje, i fuqizuar prej hirit, atleti i Zotit e theu në copa statujën e artë të Jupiterit dhe dyert e tempullit u hapën nga një engjëll. Sinesi doli dhe ua shpërndau të varfërve, vejushave dhe jetimëve copat e arit. Kur perandori pa idhujt të shkatërruar, urdhëroi të nxirrnin jashtë Sinesin, i cili me paqe priste atje dhe, pasi e torturuan, dha urdhër t’i prisnin kokën.
H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.
Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.