11/12/2024 11/12/2024 E mërkurë, 11 dhjetor 2024 – Shenjtori i ditës. Oshënarët Danieli e Llukai, stilitë. Dëshmor Varsava Persiani. Dëshmor Miraku. JEMI NË KRESHMËN E KRISHTLINDJES (15 NËNTOR – 25 DHJETOR). – OSHËNAR DANIEL STILITI – Ylli ndriçues, që ndriti botën me shkëlqimin e virtyteve të tij dhe, duke jetuar si një shkallë që me shembullin e...
11 Δεκεμβρίου, 2024 - 15:58

Oshënarët Danieli e Llukai, stilitë. Dëshmor Varsava Persiani. Dëshmor Miraku

Διαδώστε:
Oshënarët Danieli e Llukai, stilitë. Dëshmor Varsava Persiani. Dëshmor Miraku

E mërkurë, 11 dhjetor 2024 – Shenjtori i ditës.
Oshënarët Danieli e Llukai, stilitë. Dëshmor Varsava Persiani. Dëshmor Miraku.
JEMI NË KRESHMËN E KRISHTLINDJES
(15 NËNTOR – 25 DHJETOR).
– OSHËNAR DANIEL STILITI –
Ylli ndriçues, që ndriti botën me shkëlqimin e virtyteve të tij dhe, duke jetuar si një shkallë që me shembullin e tij na fton të ngjitemi nga toka në qiell, shën Danieli, ishte me origjinë nga një fshat i vogël i Merathas, afër Samosatës në Siri. Nëna e tij, që kishte mbetur pa fëmijë për një kohë të gjatë, arriti të ketë një djalë pas shumë lutjesh, pasi pa një vizion të ndritshëm, si shenjë e jetës së shkëlqyer të djalit të saj. Kur mbushi 5 vjeç, ai u çua nga prindërit e tij në manastirin e afërt për ta përkushtuar te Perëndia, ashtu si profetin Samuel (shih I Samuel 1:19).
Ai mori atëherë emrin Daniel, pasi kishte hapur rastësisht me urdhër të igumenit, librin e profetit Daniel, që ndodhej përpara altarit. Por nuk u pranua në manastir, për shkak të moshës së tij fëmijërore. Kur mbushi 12 vjeç, ai dëgjoi nënën e tij që i tha: “Biri im, unë të kam përkushtuar te Perëndia”. Pa pritur më, ai shkoi vetë në një nga manastiret e rrethinave dhe me lutje këmbëngulëse arriti të pranohej mes vëllezërve, me gjithë ngurrimet e igumenit. Danieli bëri një përparim aq të madh në jetën shpirtërore dhe shfaqi një zell aq të madh në përpjekjet për virtytin, saqë shumë shpejt igumeni e qethi dhe e veshi me rrobën engjëllore, në prani të prindërve të tij dhe në mes të një gëzimi të madh. Pas kësaj e paraqiti si nxënësin e tij të dashur.
I ftuar një ditë në një mbledhje arkimandritësh, e cila u bë nga kryepiskopi i Antiokisë, drejtuesi i tij shpirtëror mori me vete Danielin për ta shoqëruar në udhëtim dhe i dha në këtë mënyrë të përmbushte dëshirën e tij më të madhe: faljen në Vendet e Shenjta dhe t’i bënte një vizitë shën Simeon Stilitit (më 1 shtator). Asketizmi i këtij shenjtori të madh kishte tërhequr një numër të shumtë admiruesish si edhe kritikat e një pjese tjetër. Kur mbërriti te këmbët e shtyllës së shenjtorit, pamja e asaj përpjekjeje aq heroike, e kryer për hir të Krishtit dhe rrezatimi i jerondit të madh, i habiti të gjithë ata që kishin vënë në dyshim shenjtërinë e tij. Danieli ishte i vetmi që kapërceu frikën, e cila kishte kapur të gjithë igumenët që ai shoqëronte dhe, me anë të një shkalle, ai u ngjit për të marrë bekimin e shenjtorit të Perëndisë, që i tha: “Ki kurajë, Daniel, merr fuqi dhe durim, sepse ti do të heqësh po aq vuajtje sa unë, për Perëndinë. Por unë kam besim te Zoti që i shërbej se do të të forcojë dhe do të bëhet miku i rrugëtimit tënd”.
Me kalimin e kohës, kur igumeni i tij u thirr për të shkuar te Zoti, Danieli, që atëherë ishte 37 vjeç, u caktua për ta zëvendësuar. Pasi ai provoi aftësitë e zëvendësit të tij, shkoi përsëri për 2 javë pranë shën Simeonit; pastaj u nis për t’u falur në Vendet e Shenjta dhe për t’u futur thellë në shkretëtirën e Palestinës. Në rrugë, iu shfaq një plak me pamjen e shën Simeonit dhe e bindi të mos e fuste veten në mënyrë të padobishme në rreziqe të shumta për shkak të samaritanëve rebelë, por të merrte rrugën e Konstandinopojës, “Jerusalemit të Ri”, që shkëlqente nga prania e shumë lipsaneve dhe e altarëve. Aty pranë tij mund të gjente qetësinë e shumëdëshiruar.
Kur mbërriti pranë qytetit perandorak, në një vend të quajtur Anapli, Danieli qëndroi në fillim 7 ditë në lutje në një kishë që i ishte përkushtuar shën Mihailit. Pastaj, duke ndjekur shembullin e heronjve të besimit, Andonit, Pavlit dhe shumë të tjerëve, ai u fut me guxim të madh në një tempull paganësh, të molepsur plot me demonë që keqtrajtonin shumë nga udhëtarët e ndryshëm, i armatosur me armatimin e Perëndisë, me mburojën e besimit dhe shpatën e lutjes (shih Efes. 6:14). I pashqetësuar ndaj thirrjeve të egra që prishnin qetësinë e natës dhe gurëve të mëdhenj që fluturonin në ajër, atleti i Krishtit qëndroi në lutje për ditë dhe net të tëra dhe i dëboi shpirtrat e ndyrë me anë të zjarrit të Kryqit jetëbërës. I mbyllur në këtë tempull, komunikonte me vizitorët që vinin aty në numër të madh, të tërhequr nga fama e tij, vetëm nëpërmjet një dritareje të vogël.
I tërbuar nga një gjendje e tillë, demoni nxiti xhelozinë e disa klerikëve të kishës së Shën Mihailit, që shkuan dhe e denoncuan shenjtorin pranë kryepiskopit të shenjtë Anatol (3 korrik), duke e akuzuar për herezi. Pasi arriti të hidhte poshtë fjalët e akuzuesve, kryepiskopi Anatol e mori Danielin në Bizant. Këtu ai u ndihmua shumë nga rrëfimi i pastër i besimit të shenjtorit. Pasi u çlirua nga një sëmundje e rëndë me anë të lutjes së shenjtorit, kryepiskopi, plot me mirënjohje, u bë një prej admiruesve më të mëdhenj të tij dhe vendosi me shumë vështirësi t’i jepte leje që ai të rikthehej përsëri në vendin e tij të asketizmit, i shoqëruar nga një turmë e madhe njerëzish.
Pas 9 vjetësh, kur ishte 51 vjeç, Danieli ra një herë në ekstazë dhe pa shën Simeon Stilitin në këmbë përpara tij, në majën e një shtylle resh, i rrethuar nga dy njerëz me pamje të shndritshme, që e bënë gati Danielin të ngjitej në shtyllë sipas urdhrit të shenjtorit. Aty, shën Simeoni e përqafoi në mënyrë atërore dhe u zhduk në qiell, duke lënë birin e tij shpirtëror të vetëm në shtyllë, në shoqërinë e dy engjëjve.
Ky vizion iu konfirmua me anë të ardhjes së një prej nxënësve të stilitit të madh, murgut Sergi, pranë perandorit Leon I (457-474) që erdhi aty për ta njoftuar për largimin nga kjo botë të shën Simeonit dhe për t’i dhënë kukulin (mbulesën e kokës) prej lëkure. Por, meqë takimi me sovranin po vonohej, ai ia dha këtë relike të çmuar shën Danielit, i cili u bë në këtë mënyrë trashëgimtar i shenjtorit, ashtu si profeti Elise, i cili trashëgoi gëzofin e profetit Ilia, pas ngjitjes së tij në qiell (shih 4 Mbret. 12, 13).
Pasi mori konfirmim nga kjo shenjë dhe i lajmëruar për çastin e duhur nga ëndrra që pa, Danieli, me ndihmën e disa miqve të tij besimtarë, vendosi të dilte nga kisha, për të ndjekur rrugën e shën Simeonit, dhe u ngjit mbi një shtyllë, të lartë sa shtati i 2 burrave, të cilën ia zbuloi një pëllumb, i dërguar nga Perëndia. Pronari i vendit, Gelanios, që ishte një i afërm i perandorit, nuk donte ta pranonte shenjtorin dhe ishte shumë i zemëruar. Por, për shkak të një rrebeshi të madh shiu që shkatërroi vreshtat e tij dhe përpara durimit të madh të shenjtorit që rrinte në shtyllë në një kohë të tillë, ai ndërroi mendje. Për më tepër, i ndërtoi shenjtorit një shtyllë akoma më të lartë se e para, në këmbët e së cilës u vendos murg Sergi për të drejtuar numrin e nxënësve, i cili sa vinte dhe rritej.
I ekspozuar përpara njerëzve dhe engjëjve, si Krishti mbi Kryq, Danieli qëndronte aty i palëvizur, duke jetuar vetëm për qiellin dhe në shkëmbim të kësaj, Perëndia e përdorte shtyllën për të përhapur kudo hirin e Tij mbi besimtarët. Mrekulli, shenja, shërime, fjalë shpëtimi dhe urtësie qiellore tërhoqën pranë tij një numër të madh besimtarësh, midis të cilëve ndodheshin personat më të njohur të kohës: konsulli Kirus, bijtë e të cilit u shëruan nga shenjtori, perandoresha Evdhoksia, pas kthimit të saj nga Afrika dhe vetë perandor Leo I, që u denjësua të kishte një trashëgimtar me anë të lutjes së Danielit dhe që, si shenjë mirënjohjeje, hodhi themelet e një shtylle të tretë. Të pushtuar nga demoni i xhelozisë, disa heretikë dërguan te shenjtori një grua immorale të njohur, për ta nxjerrë nga udha; por ajo u sulmua dhe u torturua egërsisht nga një demon. Në fund, u çlirua nga lutja e Danielit dhe i denoncoi në publik intrigantët.
Përpara një fame të tillë të njeriut të Perëndisë, perandori shpresëtar i tha patriarkut Genad (458-471) që ta dorëzonte prift shenjtorin, me gjithë kundërshtimet e tij. Danieli, ngaqë e kuptoi këtë plan kur patriarku vizitoi shtyllën bashkë me suitën e tij, nuk i la të ngjiteshin deri sipër tek ai. Patriarku Genadi shqiptoi lutjen e hirotonisjes në distancë, duke i kërkuar Krishtit ta vinte që lartazi dorën e Tij mbi nxënësin, gjatë kohës që turma e ndodhur aty thërriste: “I denjë!”. Danieli deshi që patriarku të ngjitej aty me një shkallë dhe, kur episkopi u ngjit lart, u përqafuan dhe gjithashtu u kunguan së bashku, midis tokës dhe qiellit, me Misteret e Panjollshme.
Pak pas vendosjes së Danielit në shtyllën e tretë, kryeqyteti u shkatërrua brenda një jave nga një zjarr shumë i madh (1 shtator 465), gjë që ishte parathënë nga shenjtori, por perandori dhe oborri i tij nuk i kishin kushtuar rëndësi. Më pas erdhi tek ai vetë perandori bashkë me gruan, për t’i kërkuar të falur dhe për ta lutur që të ndërmjetonte te Perëndia për popullin që ndodhej në fatkeqësi.
Pak më vonë shpërtheu një stuhi e tmerrshme dhe era nisi ta lëkundte fort shtyllën që nuk ishte vendosur mirë, duke frikësuar jashtë mase nxënësit e shenjtorit për jetën e tij. Një herë tjetër, kur ishte dimër, era ia mori tunikën prej lëkure dhe ai qëndroi tërë natën i mbuluar nga dëbora. Më vonë, kur erdhën nxënësit e tij, e gjetën pa shpirt dhe të mbuluar me dëborë. Pasi e gjallëruan me ujë të nxehtë, ata mësuan të habitur se shenjtori gjatë gjithë kësaj kohe ishte marrë në frymë në një vend çlodhjeje, ku kishte biseduar me shën Simeon Stilitin. Pas kësaj ngjarjeje, perandori kërkoi të ndërtohej një strehë e vogël sipër shtyllës, për ta mbrojtur Danielin nga të papriturat e motit. Perandori Leon ushqente një admirim aq të madh për shenjtorin, saqë ndërtoi një banesë për vete pranë shtyllës dhe i çonte aty të gjithë vizitorët e oborrit të tij, mbretër, perandorë ose ambasadorë.
Kështu Danieli luajti rolin e ambasadorit midis Leonit dhe mbretit të lazove, Gubazios, për të rregulluar mosmarrëveshjet e tyre politike. Në shumë raste të tjera njeriu i Perëndisë përdori dhuratën e tij të profecisë, të urtësisë dhe të pushtetit të lutjes së tij në shërbim të së mirës dhe të drejtësisë.
Kur Vasilisku uzurpoi pushtetin dhe dëboi perandorin Zenon (475), duke marrë mbrojtjen e monofizitëve, ai deshi të hidhte poshtë vendimet e Sinodit të Shenjtë të Halkidonës dhe kërcënoi kryepiskopin e shenjtë Akaki i cili gjeti strehë në Kishën e Shën Sofisë, së bashku me murgjit e kryeqytetit. Pasi hodhi poshtë përpjekjet e Vasiliskut që donte ta merrte me anën e tij, Danieli, duke marrë pohimin edhe të një shenje hyjnore, vendosi të zbriste nga shtylla dhe të shkonte në qytet, njësoj si shën Andoni dikur, për të ndihmuar Kishën që ndodhej në sprovë të madhe. I mbajtur në krahë nga një turmë e madhe dhe entuziaste, që shtohej edhe për shkak të mrekullive të shumta e të shërimeve të shenjtorit teksa kalonte nëpër rrugë, shën Danieli hyri fillimisht në Kishën e Shën Sofisë për të predikuar besimin orthodhoks dhe më pas vazhdoi marshimin e tij triumfal në pallatin e Hebdomonit, ku ndodhej uzurpatori i fronit. Në shenjë mallkimi, ai shkundi pluhurin e këmbëve të tij përpara derës së pallatit, sipas fjalës së Ungjillit, i imituar edhe nga turma që bëri të njëjtën gjë. Vasilisku, i tmerruar përpara asaj shenje force, u bind përfundimisht për gabimin e tij kur kulla e pallatit u shemb në çastin që aty mbërriti shenjtori, ndaj vendosi të shkonte në qytet ku bëri pohimin e besës orthodhokse dhe u pajtua me Akakin në prani të popullit të tij. Kur u kthye në shtyllën e tij, pasi kreu rrugës mrekulli të shumta, Danieli predikoi vdekjen e afërme të Vasiliskut dhe kthimin në pushtet të Zenonit (486-91), i cili e vlerësonte shumë shenjtorin, siç bëri edhe Anastasi, pasuesi i tij në fron (491-518).
Shtylla e shenjtorit u kthye në një nga vendet më të dashura dhe të nderuara të krahinës së Konstandinopojës, ku vinin njerëz nga të gjitha vendet dhe, me gjithë kundërshtitë e Danielit, perandori ndërtoi një bujtinë të madhe dhe pranë saj një kishë ku ishin vendosur lipsanet e shën Simeon Stilitit, të ardhura nga Antiokia. Duke qenë si një engjëll tokësor, me zemrën dhe sytë e kthyer pa pushim te Perëndia, shenjtori mbeti i paprekur nga lavdia e kotë e botës dhe nga krenaria. Përkundrazi, mrekullitë e shumta të lutjes së tij, u bënë një rast i mirë për të përparuar në përulësi, sepse nuk mendonte se ato vinin si pasojë e virtytit të tij. Shën Danieli u kërkonte atyre që i vinin për ndihmë, të shkonin të nderonin lipsanet e shën Simeonit ose të lyheshin me vaj nga kandili që ishte ndezur mbi varrin e tij.
Kjo përulësi kaq e madhe ishte e pranishme tek ai deri në momentin e largimit nga kjo botë. Pasi kishte parathënë fjetjen e tij, Danieli u sëmur dhe ndërkohë që admiruesi i tij i flaktë, perandori Anastas, bëri përgatitje të mëdha për t’i kryer një varrim madhështor, ai e detyroi perandorin që t’i premtonte se do ta varroste trupin e tij shumë thellë, poshtë lipsaneve të shenjtorëve Anania, Azaria dhe Misael (17 dhjetor), që ishin transferuar së fundmi nga Babilonia në Konstandinopojë. Këtë gjë e dëshironte me qëllim që çdo njeri që do të vinte në varrin e tij dhe do t’i plotësohej kërkesa e lutjes, t’ia atribuonte plotësimin e saj shenjtërisë së martirëve.
Disa ditë para se të vdiste, ai mblodhi nxënësit e tij të shumtë për t’u dhënë mësimet e fundit dhe për t’u kërkuar ndihmën e lutjes së tyre. Pastaj, meqë një turmë e madhe po vinte nga kryeqyteti për të marrë pjesë në çastet e fundit të jetës së tij këtu mbi tokë, ai ra në ekstazë gjatë natës dhe soditi mbledhjen e të gjithë shenjtorëve, të cilët, pasi e përshëndetën me radhë, i thanë të celebronte me ta Liturgjinë Hyjnore. Pasi erdhi në vete, u kungua me Misteret e shenjta dhe fjeti në paqe, të nesërmen, duke çliruar një të demonizuar, në çastin kur po jepte frymën e fundit. Me shumë vështirësi arritën ta zbrisnin trupin e shenjtorit nga maja e shtyllës, ku ai jetoi për 33 vjet dhe, pasi iu la popullit për ta nderuar, u varros në praninë e personave më në zë të kryeqytetit. Ishte 11 dhjetori i vitit 493 dhe shenjtori kishte arritur në moshën 84-vjeçare.
* * * * *
– OSHËNAR LLUKA STILITI –
Shën Llukai lindi në vitin 879, në një familje të pasur në qytetin e Temës së Anatolikisë në Azisë e Vogël. Kur shpërtheu lufta kundër mbretit ambicioz Simeon bullgarit (897), djaloshi i ri, atëherë 18-vjeçar, u mobilizua në ushtri dhe mori pjesë trimërisht në betejat e mësoi në të njëjtën kohë jetën e vështirë asketike, nën influencën e 2 shokëve të tij, që ishin nxënësit e një stiliti të shenjtë. Pas disfatës së Bulgarofigonit, ai la ushtrinë e kësaj bote për t’u rreshtuar në atë shpirtërore të ushtarëve të Krishtit. Llukai shkoi pranë stilitit, për të veshur Skimën murgërore dhe nisi menjëherë një luftë të fortë pa mëshirë kundër kryengritjeve të trupit, duke e ngarkuar atë me zinxhirë të rëndë dhe duke ngrënë vetëm një herë në javë.
Pas 6 vjetësh ashpërsish të tilla, ai u dorëzua prift dhe iu ribashkua ushtrisë perandorake në funksionin e priftit ushtarak, kapelan, por pa e braktisur aspak asketizmin e tij. Përveç kësaj, ai bënte edhe shumë lëmosha duke u dhuruar ushtarëve nevojtarë të gjitha burimet financiare që i kalonin nëpër duar. Gjatë një zie buke, ai u kthye fshehurazi në pronën e prindërve të tij dhe ua ndau të varfërve të gjitha ato që ndodheshin nëpër hambarë. Shumë herë përdori këtë marifet të shenjtë për t’u ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë, duke përdorur të mirat e të afërmve të tij.
Një ditë ai braktisi atdheun e tij pa e marrë vesh njeri dhe shkoi në malin Olimp (në Bitini), në manastirin e Shën Zaharisë, ku për 3 vjet shërbeu në qilar. Atje qëndroi në heshtje të plotë, sipas shembullit të shenjtorit të manastirit, atit të shën Joan Pararendësit. Për këtë arsye, mbante një gur të rëndë në gojë dhe komunikonte me vëllezërit duke shkruar në një pllakë. Ua kalonte të gjithë vëllezërve në asketizëm dhe lutje, duke u lutur gjatë gjithë netëve me lutje të zjarrta, i hipur në një pemë jashtë në qiell të hapur. Pasi u zbuluan këto praktika të tij, ai braktisi manastirin dhe u kthye në atdhe, ku gërmoi një shpellë të errët në një mal dhe hyri atje brenda, duke duruar me burrëri sulmet e demonëve për dy vjet e gjysmë.
Pastaj e la këtë vendbanim, sepse trupi iu mbush me plagë për shkak të pickimit të insekteve të ndryshme dhe u vendos pranë kishës së vogël të Shën Dhimitrit, në majë të një shtylle. Sipas shembullit të paraardhësve të tij të ndritur Simeon Plakut, Simeonit të Ri, Danielit dhe Alipit, Llukai ndërmori i vetëm ndërmjet tokës dhe qiellit përpjekje të reja asketike kundër elementeve të natyrës, të ftohtit të akullt të dimrit, të nxehtit përvëlues të verës, kundër erërave dhe shirave. Ai u rezistonte më së miri këtyre sprovave, pa i lënë kreshmët dhe ushtrimet e tjera të ashpra shpirtërore, duke e ruajtur syrin e shpirtit të tij të pashqetësuar, të kthyer gjithmonë drejt të mirave të jetës së përjetshme.
Pas 3 vjetësh, një zë qiellor e urdhëroi të shkonte dhe të vendosej (si një shenjë, jo vetëm për engjëjt, por edhe për njerëzit) mbi një shtyllë të vendosur në hyrje të kryeqytetit, në lagjen e Eftropit. Ai u bind pa hezituar dhe, me bekimin e episkopit të vendit, u ngjit në shtyllë më 11 dhjetor 935. Jetonte gjithnjë i drejtuar nga qielli në këtë vend të ngritur dhe e lartësonte përditë shpirtin e tij, duke duruar me trimëri në këtë luftë të dyfishtë: luftë kundër mishit rebel për t’ia nënshtruar shpirtit, si dhe kundër sulmeve të frikshme të frymëve të papastra me anë të durimit dhe shpresës së fortë në ndihmën e Perëndisë. Sa më shumë që ai lartësohej drejt Perëndisë në këtë mënyrë, aq më tepër hiri derdhej me bollëk tek ata që vinin te shtylla e tij.
Meqë i përkiste i gjithi Perëndisë, shenjtori “bëhej gjithçka për të gjithë” (1 Kor. 9:22). Vuante me fatkeqësitë e secilit, nga më fisniku deri tek më i fundit i bashkëqytetarëve të tij, dhe u ofronte me anë të lutjes së tij shërimin e sëmundjeve të tyre, ngushëllim ndër hidhërime, dallim në mendimet e tyre të fshehta, parathënien e së ardhmes dhe faljen e mëkateve që ai rrëfente. Shtylla e tij ishte shndërruar për banorët e Konstandinopojës në liman shpëtimi, ku shpirtrat më të vuajtur mund të gjenin paqen dhe gëzimin e pendimit.
Shën Llukai qëndroi më shumë se 40 vjet në atë shtyllë, si një engjëll mbi tokë, pasi mposhti në mënyrë të përsosur si armiqtë e brendshëm, ashtu edhe ata të jashtëm, duke bërë që të shkëlqejë në sytë e njerëzve drita e virtyteve të tij, që ata të lavdërojnë Atin qiellor (Matth. 5:16). Ai fjeti në paqe më 11 dhjetor 979, në një moshë më shumë se 100 vjeç dhe u varros në manastirin e Shën Vasianit, të cilin e kishte restauruar me ndihmën e mikut të tij, patriarkut Theofilakt.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων