07 Αυγούστου, 2024

Oshënarët dëshmorë Domet Persiani dhe Asteri, Oshënar Nikanori, çudibërës. Oshënar Ori

Διαδώστε:

E mërkurë, 7 gusht 2024 – Shenjtori i ditës.
JEMI NË KRESHMËN E HYJLINDËSES (1 – 15 gusht)
Oshënarët dëshmorë Domet Persiani dhe Asteri, Oshënar Nikanori, çudibërës. Oshënar Ori.


– OSHËNAR DOMET PERSIANI –
Në kohën e shën Konstandinit të Madh, një njeri i shenjtë i quajtur Abaros, shkoi në vendet e Mesopotamisë për t’i predikuar bashkëpatriotëve Lajmin e Mirë. Takoi një djalë të ri të quajtur Domet, që i ishte përkushtuar studimit të fesë, dhe e këshilloi të hiqte dorë nga idhujtaria, për të njohur të vërtetën. Dometi e përqafoi menjëherë besimin e vërtetë, që e kishte kërkuar për shumë vite. U përpoq të kthente në besim edhe prindërit, por nuk ia arriti. Sapo mbërriti në moshën e pjekurisë braktisi vendlindjen dhe shkoi në qytetin e Nisivës, në kufijtë e perandorisë romake dhe perse, ku u pagëzua.
Hyri në një manastir dhe iu kushtua studimit të Shkrimit të Shenjtë. Fjala e Perëndisë u bë për të ushqim, aq sa harronte të shkonte në mensë me murgjit e tjerë, të cilët dyshonin për sjelljen e tij dhe nisën të ushqejnë ndjenja xhelozie dhe përbuzjeje. Dometi pati frikë se mos kthehej në shkak skandali e ndarjeje, ndaj iku natën nga manastiri. Në rrugë e sipër e sulmoi një tufë ujqërish, prej të cilëve e shpëtoi Perëndia dhe vazhdoi nëpër rrugën romake, që përshkonte shkretëtirën e Sirisë. Ai iu bashkua një grupi të krishterësh që shkonin në Theodhosopolis. U betua se nuk do të hante ushqim derisa të gjente një komunitet murgëror, ndaj nuk qëndronte me shokët e udhëtimit kur ata hanin, saqë këta të fundit dyshuan për të, por u shpjegoi arsyen dhe ata i thanë se do ta çonin në manastirin e shën Sergjit. Kur mbërritën në afërsi të qytetit, ndërsa kishë rënë nata, një njeri në dukje i devotshëm u shfaq tek ata dhe u tha se do t’i mikpriste. Ndërsa po i çonte në një vend të egër dhe plot me gremina, Dometi dalloi se i panjohuri ishte shërbëtor i djallit, dhe e dëboi me lutje. I luti shokët të mos flisnin me asnjë për këtë ngjarje, sepse ata donin t’ua thoshin mrekullinë edhe të tjerëve.
Shkuan pa humbur kohë në manastirin e shën Sergjit, ku u mikpritën nga arkimandriti Nubel, njeri i nderuar, i cili prej 65 vitesh nuk kishte provuar ushqim të gatuar dhe nuk ishte shtrirë dhe as kishte fjetur i ulur, por flinte në këmbë, i mbështetur mbi shkopin e tij. Gjatë këtij takimi Dometi heshti, duke vështruar me admirim njeriun e Perëndisë. Nubeli dalloi se ai ishte dërguar nga Perëndia dhe i kërkoi të futej në komunitetin e tij. Shën Dometi përparoi shumë shpejt në të gjitha virtytet, duke ndjekur mësimin e atit të tij shpirtëror. Ishte shumë i përqendruar, duke parë tek çmimi që Perëndia u ka rezervuar në qiell atyre që e duan (shih Fil.3:13).


– OSHËNAR NIKANORI –
Lindi në Selanik (1491) nga prindër shpresëtarë dhe të pasur, të cilët për shumë vjet nuk kishin fëmijë, por patën pas shfaqjes së mrekullueshme të shën Minait. E edukuan në mënyrën më të mirë me dashuri për Shkrimet e Shenjta dhe e ushqyen me zellin për virtytet. Mbeti jetim, dhe pasurinë që pati e shpërndau te të varfërit dhe u bë murg me emrin Nikanor. Megjithëse qëndroi në shtëpinë e tij, ai ushtrohej në asketizëm, duke imituar Etërit hyjprurës. Episkopi e admironte përkushtimin e tij, ndaj dhe e dorëzoi në dhjak dhe pastaj në prift.
Kur ishte 37 vjeç, Nikanori dëgjoi një zë që i thoshte të tërhiqej në shkretëtirë, në bregun e majtë të Aliakmonit në krahinën e Grevenasë, që të gjente qetësinë e duhur për komunikimin e tij me Perëndinë. I shpërndau shpejt gjithçka që i kishte mbetur, e braktisi Selanikun dhe u nis. Nëpër fshatra dhe qytete ku kalonte, predikonte fjalën e Perëndisë. Fama e mirë që pati e detyroi të tërhiqej në malin Kalistrat, në një shpellë ku futeshe me vështirësi.
Djalli, i cili nuk i duronte dot betejat e tij, i solli shumë vështirësi, por shenjti i përballoi me emrin e Jisuit dhe me shenjën e Kryqit. Edhe pas fjetjes së tij, demonët e shkatërruan shpellën e tij nga frika se mos vendosej atje ndonjë asket tjetër. Jeta e virtytshme dhe përpjekjet e shën Nikanorit nuk mund të mbeteshin të fshehura. Ai tërhoqi vëmendjen e shën Dionisit të Olimpit (23 janar), i cili u tha njëherë nxënësve të tij: “Ja thesari që fshihet nën këto rrënoja!”
Dikur dy të krishterë të pasur shkuan në shpellën e Nikanorit dhe i kërkuan t’i pranonte si nxënës. I priti me nderim, por i qortoi që kishin braktisur shën Dionisin për të ardhur tek ai. I veshi me skimën engjëllore. Pas tyre erdhën edhe shumë dishepuj të tjerë dhe vëllazëria e Nikanorit u rrit. Pas disa vjetësh ky manastir numëronte numrin më të madh të murgjve në tërë zonën.Tri ditë para se të vdiste, i mblodhi murgjit dhe iu la testamentin në të cilin i këshillonte t’i ruanin me besnikëri traditat e Etërve të shenjtë dhe Tipikonë e shën Savës.
Vendosi që në manastir nuk do të hynin femra e fëmijë dhe se igumeni i tij do të zgjidhej në prani të igumenëve të manastireve: të Meramorfozës (Shndërrimit/Shpërfytyrimit), të Varlaamit, të Meteorës dhe të Skitit të Pararendësit, themeluar nga shën Dionisi, dhe se do t’i jepnin shkopin e tij si bari. Pas kremtimit të festës së Metamorfozës, shenjti priti gjithë besimtarët që erdhën për të kremtuar dhe, sapo hyri në qeli, e zunë ethe të forta.Fjeti ditën e tretë të festës (1549), siç i ishte parathënë dhe u varros në Kishën e Pararendësit. Lipsani i tij u bë burim shërimesh.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

Διαδώστε: