24 Μαΐου, 2024

Oshënarët Simeoni e Nikita. Dëshmorët Meleti, Festi, Markiana, Suzana, Kristiani

Διαδώστε:

E premte, 24 maj 2024 – Shenjtori i ditës.
DITË KRESHME
KRISHTI U NGJALL!
Oshënarët Simeoni e Nikita. Dëshmorët Meleti, Festi, Markiana, Suzana, Kristiani.
– OSHËNAR SIMEONI –
Lindi në vitin 510. Babai i tij Joani ishte me origjinë nga Edesa e Mesopotamisë, por më vonë shkoi që të banojë në Antioki. Nëna e tij Marta ishte një grua shumë besimtare. Ajo kreshmonte dhe i lutej Perëndisë që, nëpërmjet ndërmjetimeve të Shën Joan Pagëzorit, t’i jepte një fëmijë, të cilin do t’ia dedikonte atij. Pas kësaj, Marta pa në vegim shën Joan Pagëzorin i cili i tha: “Marta do të lindësh djalë të cilin do ta quash Simeon. Ai do të ushqehet vetëm me gjirin e djathtë, sepse vetëm djathtas do të ecë dhe do të bëhet shenjtor i madh”. Këto tha shenjti dhe pas pak kohe të gjitha u realizuan. Pasi u bë tre vjeç Simeoni u pagëzua në kishën e Pararendësit. Ishte akoma shumë i ri kur pa në vegim një burrë të veshur me të bardha të ulur në një fron të lartë, që mbante të hapur librin e jetës dhe i thoshte: “Më paso”. Simeoni menjëherë u bind. Burri me të bardha e udhëhoqi në një vend të quajtur Tiberin, dhe pasi u ngjitën në një mal të shkretë, qëndruan së bashku disa ditë. Pastaj udhëheqësi i tij, pasi i mësoi Simeonit se çfarë duhet të bënte, u largua. Kur mbeti vetëm, Simeoni, duke ecur, pa një manastir të vogël, igumen i të cilit ishte Joani, i cili kishte parë më parë një vegim për Simeonin. Çdo ditë Simeoni përparonte në virtyte.
Të shqetësuar nga kjo, demonët i nxitnin fantazi të ndryshme si gurët e çmuar, veglat muzikore e dëshira të ndryshme. Por, duke u lutur dhe duke bërë shenjën e kryqit, shenjti mundi që t’i largonte këto. Me anë të fuqisë hyjnore arriti të asgjësonte sulmet e tyre. I informuar nga Shpirti i Shenjtë, Simeoni, i cili forcohej gjithnjë e më shumë në besim, përgatiti një kolonë të lartë dhe qëndroi atje për tetë vjet duke u lutur dhe psalur. Perëndia e vlerësoi më pas Simeonin që të bëjë sa më shumë mrekullira. Shumë të demonizuar shëroheshin dhe lavdëronin Perëndinë. Shenjti shëronte shumë sëmundje, jo vetëm duke i prekur të sëmurët, por edhe me fjalë.
Njëherë, një njeri nga Kapadokia kishte demon dhe, kur erdhi te kolona ku rrinte shenjti, thërriti: “Shërbëtori i Perëndisë, mëshiromë sepse po vdes nga demonët”. Pas kësaj oshënari i dha një copë nga rasoja e tij. Jo vetëm që ai njeri u shërua, por edhe të sëmurë të tjerë u shëruan prej saj dhe lavdëruan Perëndinë. Kështu, shumë të sëmurë, duke dëgjuar për famën e shën Simeonit, nxitonin për tek ai që të gjenin shërim. Meqë numri i tyre qe shumë i madh, shenjti bekoi disa shkopinj dhe ua dha nxënësve të tij. Pasi luteshin dhe preknin të sëmurët me ta, ata menjëherë shëroheshin. Ia dhe një mrekulli tjetër ndërmjet mrekullive të panumërta.
Me anë të lutjeve të nxehta të tij te Perëndia, mali në të cilin ndodhej manastiri i shenjtit u mbulua nga një re e madhe dhe kështu ai shpëtoi nga sulmet e barbarëve. Më pas, sipas udhëzimit të Perëndisë, oshënari u ngjit në majën më të lartë të malit, në të djathtë të kolonës, por edhe atje mundën që ta gjenin; vinin shumë të sëmurë që i luteshin t’i shëronte. Duke vendosur duart mbi kokat e tyre, ai i shëronte duke përmendur emrin e Krishtit. Shën Simeoni pranoi të bëhej prift vetëm nga vegimet që i shfaqte Perëndia, pasi nuk e konsideronte veten të denjë për këtë. Që atëherë, shenjti filloi të bënte mrekulli të reja, nëpërmjet hirit të Zotit tonë Jisu Krisht. Të paralizuar ecnin, të verbër shihnin dhe memecë flisnin. Në vitin 595 shenjti ndërroi jetë në moshën 85-vjeçare, nga të cilat 45 vjet qëndroi në një kolonë të dytë në malin Thavmasto, poshtë së cilës ishte manastiri i tij të cilin e quajtën Mandra.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

Διαδώστε: